Nga Albert Vataj
Ai nuk ishte i lajthitur pas epshit, por pikturën e tij e dallojmë lehtësisht prej të gjithë atyre që u përfaqësuan dhe dominuan në shpirtin krijues të botës nëpërmjet erosit. Ky zjarr që djeg shpirtin dhe trupin e tij, i vë flakën dhjetra kanavacave dhe tablove, ndez në joshje çdo ngurtësim dhe tërbon çdo gjykatore puritane. Shpërfytyrimi, trajta e zgjatuar dhe ngërthimi i një çasti kopulues, derdhen në punët e Egon Schiele si një shi llave. E kush u pa me tablotë e tij dhe nuk u dogj. E kush u përpi nga çasti i ngasjes së kredhur në ngjyra e shprehi flakëruese të pikturave të tij dhe nuk i’u la dorzan ndijimit. Ky ishte dhe mbeti në historinë e artit, austriaku Egon Schiele.
Piktori Egon Schiele ishte një ndër figurat më të spikatura e fillimit të shekullit XX. Puna e tij shquhet për intensitet dhe tension. Shformimet e trupave dhe linjat theksuese që përshkojnë pikturën e Schiele shënojnë fillimet e Ekspresionizmit. Ai ishte i famshëm gjatë kohës së tij për portretizimet e guximshme të seksualitetit njerëzor. Atëditë e sot ai ka mbetur një subjekt magjepsjeje dhe polemikash. Tematika që joshi tablonë e tij është një etapë e ethshme erosi. Bota krijuese e Egon Schiele është një e atypëratyshme ngasëse dhe mbushur plot ngacmim. Jo vetëm trajta se si ai i sendërton imazhet, kolori dhe teknikat e përdorura prej tij, por në thelbësoren e saj, mënyra e thukët e shtjellimit estetik, e veçojnë atë pë sytë ëndjes shprehëse duke e vendosur në një vend gjithkahpamës. Për dallim nga shoku dhe mentori i tij, Gustav Klimt, pikturat dhe vizatimet e Schiele janë zhveshur nga pikëpamja kompozicionale, duke u përqëndruar në një paraqitje të stilizuar të figurës njerëzore që përmban muskulaturë të ekzagjeruar dhe një fokus të veçantë të dhënë për ekstremitetet. Paraqitja tërësore, flokët, gjinjtë dhe organet gjenitale janë pasqyruara të gjitha me kujdes të veçantë.
Ai ishte vetëm 28 vjeç kur vendosi të ndalte kumtin e çartun të mëtimit të gjendjeve dhe gjërave, hireve dhe përhedhjeve të epshta të mishit. Megjithë jetën e shkurtër ai la një galeri të begatë punësh dhe një formë ndryshe të shëtitimit të penelatës, akuarelit e grafikës në kuadratin e një shpërthimi të potershëm ndjenjash delikate të një shpirti të trazuar.
Seksualiteti i dominuar në pikturat e Egon Schiele është një manifestim jo dhe aq i botës së brendshme të dengur prej gropash të errëta ku emocionet e forta, epshi e spazmat e trandnin atë kurm dorzan një mendje të lidhur pazgjidhshmërisht me seksin, me mishin, me nevojën përnga harbimet intime si formë çlirimi prej sëmbimeve të brendshme dhe përndjekjes së të shkuarës.
Gjithqysh Egon Schiele mbetet penelata më e garrametshme e ekspresionizmit dhe epshi më i çartun i një force jetësimi në kurm e në penel. Ndoshta është ndër të paktët që dëshmon me një imponim përshkues nevojën e njeriut për të mbërritur tek gjithçka duke kaluar gjithçka përnga seksi. Për te seksi është jo vetëm një subjekt por edhe një afri komunikimi ndjesor. Pa të duket se Egon Schiele është i kapitulluar. Krevati është gjithnjë një masë e pamatshme, e bardhë apo fluide. Mishi, trupi, loja e seksit është gjithça dhe ai i’a beson asaj që mundet ta thotë po kaq fuqishëm sa dhe e ndjen, penelit.
“Nënë me dy fëmijë”. 1915 Një gjendje e ngarkuar trishtimi dhe një tension që e bormarduar nga e florinjta rreket ta himnizojë dramacitetin, i cili shquhet në portretin e sterruar të nënës. Një portret që duket se është vendosur si element dominues i angështisë që të mbërthen teksa qasesh të kapësh fillin e një idili amësor që shkalafitet pre një drite që shpërthen e shpërbëhet në tonet e forta të ngjyrës. Nuk janë, natyrisht mumje, por gjendja ku ai e ka murosur tensionin duket se kjo trandje bashkëudhën në çdo shtangie para kësaj tabloje.
Egon Schiele u lind më 12 Qershor 1890 në Tulln an der Donau, Perandoria Austro-Hungareze. Jeta personale e Schiele ishte e trazuar dhe e shënuar me vdekje dhe tragjedi. Pasi babai i tij vdiq nga sifilisi më 1905, Schiele u transferua në Vjenë, ku ai fitoi kontakte me piktorët e shquar Edvard Munch dhe Vincent van Gogh. Duke ekspozuar punën e tij deri në vitin 1908, brenda dekadës së ardhshme artisti u burgos me akuza pornografie, i akuzuar për joshjen e një të mituri, të hartuar për shërbim ushtarak në Luftën e Parë Botërore, dhe u martua dy herë. Ai përfundimisht iu nënshtrua pandemisë spanjolle të gripit të vitit 1918, duke vdekur më 31 tetor 1918 në moshën 28 vjeç. Trashëgimia e Schiele është me ndikim të pallogaritshëm, dhe puna e tij mund të gjendet në koleksione të rëndësishme kulturore si Muzeu i Artit Modern në Neë York dhe Österreichische Galerie Belvedere në Vjenë.