“Sa më shumë nxë, aq më tepër nxjerr në pah paditurinë time”, kjo maksimë nuk ka pse të na detyrojë të zbresim kokëulur nga kreshta e krenarisë së rreme ku fudullëku na ka ngjitur. Ky përkufizim nuk bën me faj asnjërin nga ne, cilado qoftë përpjekja dhe sakrifica që ai/ajo kanë bërë për të shtytur tej kapacitetet përvetësuese të dijeve. Pafundësia e gjithësisë dhe ajo e nxënies janë dy prej grishjeve më të ethshme të njeriut. Këto dimensione të pamatshme na tregojnë, jo vetëm papërfillshmërinë e raporteve, por na nxisin të kërkojmë brenda nesh dhe mundësisë, rivlerësimin e kapaciteteve zotëruese të përcaktimit të caqeve njohës. Nëse dija dhe gjithësia janë të pafundme, jemi ne që i dëshmojmë këto fakte dhe na mbetet ne që t’i shtytim më tej këto caqe. Dija dhe drita janë arsyet e themelta dhe motivime të qenësishme të rrugëtimit tonë në jetë. Gjithçka tjetër është në funksion të këtij qëllimi.
E bëra këtë shënim për të kërkuar vëmendje dhe për t’i qenë mirënjohës, Selim Kurtit, një miku në Facebook, i cili publikon, gjithnjë dhe pa u zhgënjyer nëse nuk ka mundur të marrë pritshmëritë e interesimit, gjëra me shumë interes, njëra prej të cilave janë këto të dhëna telegrafisht për trurin.
Duket si një planet i porsazbuluar. Edhe pse e e kemi kaq afër, edhe pse taborre me njerëz i kanë kushtuar gjithë jetën hulumtimit të tij, ai duket ende i largët, i errët, misterioz, i paeksploruar.
Si punon ai? Si zhvillohet? Si ndikon në gjumin e kujtesën tonë? Si e kontrollon gjithçka mendojmë, flasim e bëjmë?
Faktet e mëposhtme mund të na mësojnë diçka.
- Truri njerëzor peshon rreth 1,4 kg.
- Truri i madh (cerebrum) përbën 85% të peshës së gjithë trurit.
- Lënda e hirtë e trurit përbëhet nga trupat e neuroneve, të cilët mbledhin e tejçojnë sinjale.
- Lënda e bardhë përbëhet nga dentritet dhe aksonet, të cilët krijojnë rrjetin përmes të cilit neuronet dërgojnë sinjalet.
- 60% e trurit është lëndë e bardhë dhe 40% lëndë e hirtë.
- 75% e trurit përbëhet nga uji.
- Truri përmban rreth 100 miliardë neurone.
- Çdo neuron lidhet me neurone të tjerë me 10-25 mijë sinapse.
- Truri nuk dhemb kurrë, sepse në të nuk ka receptorë dhimbjeje.
- Në raport me peshën trupore, njeriu ka trurin më të madh. Truri i njeriut përbën 2% të peshës trupore, ndërsa ai i elefantit, arrin deri në 0.15% të peshës trupore.
- Gjatësia e enëve trunore të gjakut arrin në 161 mijë km.
- Truri njerëzor është organi më i dhjamosur i organizmit tonë: të paktën 60% e tij është dhjamë.
- Gjatë shtatzanisë së hershme, në çdo minutë, formohen 250 mijë neurone.
- Truri i një fëmije të porsalindur rritet rreth tri herë gjatë vitit të parë të jetës.
- Pas moshës 18-vjeçare, truri nuk rritet më.
- Një mjedis nxitës mund të rrisë me 25% aftësitë e trurit
- Lloji njerëzor vazhdon të prodhojë neurone të reja përgjatë gjithë jetës, si përgjigje ndaj veprimtarisë mendore
- Truri i fëmijës zhvillohet duke i lexuar atij me zë të lartë dhe duke biseduar shpesh me të
- Emocione si gëzimi, lumturia, frika e trishtimi janë të zhvilluara që në lindje, por tipi i edukimit përcakton formën e zhvillimit të këtyre emocioneve
- Shqisa e parë e cila zhvillohet që në mitër, është të prekurit. Buzët dhe faqet e ndjejnë të prekurit në moshën 8-javëshe
- Fëmijët që mësojnë dy gjuhë para moshës 5-vjeçare, e ndryshojnë strukturën e trurit dhe kur të rriten kanë më shumë lëndë të përhimtë
- Oksigjeni përdor 20% e gjithë oksigjenit të trupit, pra edhe 20% të gjakut qarkullues
- Nëse na mungon gjaku për 8-10 sekonda, ne humbasin vetëdijen
- Informacioni mund të procesohet me shpejtësi të ndryshme: nga 0.5 m/sek deri në 120 m/sek (431 km/orë)
- Mendohet se gogësima ndihmon në shtimin e oksigjenit që shkon në tru.
- Neokorteksi përbën 76% të trurit njerëzor dhe është përgjegjës për gjuhën dhe ndërgjegjen.
- Çdo pjesë e trurit njerëzor ka një funksion të përcaktuar, prandaj nuk është e vërtetë që ne përdorim vetëm 10% të tij
- Truri mund të jetojë 4-6 minuta pa oksigjen, kohë pas të cilës ai fillon të vdesë. Po të ngelet pa oksigjen për 5-10 min, ai pëson dëmtime të pariparueshme
- Stresi i ndryshon neuronet, strukturën dhe funksionimin e trurit.
- Sipas një studimi 7-vjeçar, njerëzit që hanë prodhime deti të paktën një herë në javë, rrezikojnë 30% më pak të preken nga demenca (çmendja) se të tjerët
- Duke lexuar fytyrën e tjetrit, ne jemi në gjendje të përcaktojmë nëse dikush është i zemëruar apo me humor të mirë.
Këtë aftësi na e jep një zonë e vogël e trurit, e quajtur amigdala.
- Meshkujt reagojnë ndaj dhimbjes ndryshe nga femrat
- Femrat priren të mendohen mirë para se të marrin një vendim, krahasuar me meshkujt. Përveç kësaj, ata i mbeten besike vendimit, ndërsa meshkujt e ndryshojnë më shpesh mendjen .
- Sa herë kujtojmë diçka ose kemi një mendim të ri, ne po krijojmë një lidhje të re nervore në tru.
- Kujtesa formohet prej asociacioneve, ndaj, nëse duam kujtesë më të mirë, duhet të krijojmë asociacione.
- Anomia është termi që tregon situatën kur një fjalë e “kemi në gojë”, por ajo nuk del jashtë.
- Një kampion botëror i kujtesës – Ben Prodmore – memorizoi 96 ngjarje historike për pesë minuta
- Kush nuk e di rolin e insulinës në uljen e sheqerit në gjak, por është zbuluar se ajo ndihmon edhe në përmirësimin e kujtesës
- Nëse nuk i mbani mend ëndrrat, kjo nuk do të thotë se nuk ëndërroni. S’ka njeri që nuk ëndërron.
- Shumica e njerëzve ëndërrojnë 1-2 orë dhe shohin mesatarisht 4-7 ëndrra në natë
- Pas pesë minutash nga ëndërrimi, gjysma e saj është fshirë, ndërsa 10 minuta pas saj, mbi 90% e saj është harruar
- Kur flemë, trupi prodhon një hormon që nuk na lejon t’i luajmë fizikisht ëndrrat, i cili na lë virtualisht të paralizuar
- Gogësima është ngjitëse: sapo i ndodh njërit, na e “pason” edhe ne.
Mendohet se kjo përbën përgjigje ndaj një sjelljeje sociale antike për komunikimin ndërnjerëzor.
- Mendohet se gjatë një dite njerëzit mendojnë mesatarisht 70 mijë herë.
- Aristoteli mendonte se funksionet e trurit ushtroheshin në të vërtetë nga zemra.
Marrë nga publikimi në profilin e tij në Facebook i Selim Kurti