Nga Albert Vataj
– Mjaft!
– Nuk i’a vlen më!
Më duhet të heq dorë nga kjo praktikë që më ngjet më një mënyrë persekutimi.
Jeta e bashkëshortit të devotshëm e plot përkushtim më mbante me zinxhirë që sa vinin e bëheshin më të rëndë, aq sa fillova ta kem të pamundur t’i mbaja, edhe pse shpesh përpiqesha t’i trajtoja si bizhuteri të një nderimi puritan, me të cilat mburresha dhe… ndoshta edhe nderohesha.
Dëgjoja gjithnjë e me më shumë interes dhe zili se si bashkëvuajtësit si unë, i kishin këputur me kohë këto pengesa, i kishin shembur ngulmueshëm këto mure ndarës.
Liria për ta kishte filluar të merrte një kuptim të ndryshtë ngase na ishte thënë dhe me çfarë na kishin mëkuar. Një liri që fillonte nga shpengimi, nga kapërcimet e pragjeve të moralit dhe përbetimeve, lutjeve përulëse e nënshkrimeve për robëri të përjetshme. Një liri që rrekej të të jepte gjithçka që më ishte mohuar. Të më kthente çfarë më ishte grabitur. Të rivlerësonte pikërisht ato gjëra që nuk më kishin shfaqur asnjë interesim, me përjashtim të rasteve kur duhet të mylmeja një retorikë me neveri dhe përçmim përmes këtij si shembulli.
Sot, kisha vendosur të mos isha ajo vete nën shkelmin e të drejtës zakonore dhe dritshmërinë e asaj krenarie të rreme, me të cilën nuk mund të bleje asgjë dhe vlefta e së cilës sa vinte e merrte një teposhtë zhvleftësimi.
E nisa këtë filozofi të re jetese duke frekuentuar fillimisht shoqërinë dhe ambientet ku këto fundërrina mblidheshin. Të pija e të dehesha në praninë e tyre. Të flija rrugëve dhe të zgjohesha pa ëndrra të mëdha dhe dëshira larushitëse. U bëra një dëgjues i zellshëm i dëftimeve të tyre bajate, historive të mbushura plot spermë e jargë, pështymë dhe përzirjesh të gjithfarshme neveritëse. Joshja mu bë adhurim teksa katologoja bredhjet e tyre nga një histori seksi në tjetrën, nga një flirt, në tjetrën mundësi argëtimi.
Dhe një prej atyre ditëve vendosa ti bëj vetes një pyetje:
– More çfarë kanë këto rrufjanë më shumë nga unë?
– Pse u dashka që të ngrys jetën e kësaj cope mishi ku isha kyçur duke u përcëlluar në një skarë, në pritje të një perëndie për t’iu blatuar.
Fati më shpërbleu duke mos më rraskapitu dhe aq për të filluar. Pata mundësinë të luaja mjeshtërisht rolin e rrufjanit, të pafytyrit, të atij që e tërhiqte në rrugën pa krye, koka poshtë. Fatmirësisht ndesha në personin e duhur, në kohën e duhur. Kishim që të dy njëjtësisht qasjet. I dhamë dhe morëm nga njëri-tjetri, jo më shumë se sa na ishte dhënë në një tjetër regjim, por e shijuam. Se morëm vesh saktësisht se kur u bashkuam dhe kur u ndamë me të. Harresa arriti të fshinte mjeshtërisht çdo gjurmë. Ai rast u pasua nga tjetri. Tjetër mundësi erdhi pas tij. Po ndahesha pa e kthyer kokën pas. Nuk kishte as mirëseardhje dhe s’kishte pse të kishte as lamtumirë. Fytyrat, sikurse dhe trupat e tyre më ngjanin gjithnjë e më shumë më njëri-tjetrin. Zhytesha dhe dilja pa e vrarë mendjen ku dhe si. Asgjë nuk ishte tashmë e re. Gjithçka ishte e njohur, e zakonshme, e parëndësishme, volitëse dhe kalimtare. Shtretërit dhe skutat e ndyta të flirteve më gjenin më shpejt se në mua sipërmarrja kërkonte mobilizim angazhues. Koha kalonte dhe jeta e re kishte ndryshuar shumë gjëra në përditshmërinë time. Më bëhej se i vështroja më sipërfaqësisht gjërat dhe gjendjet i përjetoja pa shumë energji dhe shpesh me fije të këputura ndijimesh.
Kisha ecur gjatë në këtë rrugë. Jetuar kisha fare pak nëpër copëzat e shqyera ashtu përdhunshëm e mospërfillshëm. Brenda meje kishte filluar të zhbëheshin shumë gjëra. Kjo liri po më merrte më shumë ngase po më jepte. Kjo harlisje po kërkonte më shumë mundësi vegjetuese se sa degët e mia shtriheshin. Kisha nisur të mos isha i përfshirë në ndjesi të çfarëdoshme. Më dukej gjithçka pa shije, pa interes, pa thellësi përfshirje dhe pa thelb, si ato frutat e modifikuara.
– Varja, dalë ku të dalë! i thash vetes, ndërsa vijoja dalldinë e dhuruar nga liria, nga e drejta për të mohuar gjithçka në këmbim të një pohimi vjellacak, që më kishte kapluar kokë e këmbe. Dita ndiqte tjetrën. Mundësitë e pështirjes vargonin duke më tërhequr zvarrë si lokomotiva vagonët për në një destinacion të panjohur.
Një ditë, guxova të shihja veten, të depërtoja me kureshtuesen e ngulmët përtej gjërave që tashmë ishin bërë e çdoditshmja ime dhe e atypëratyshmja e çasteve. Shfaqa interes të shihja se çfarë fshihej nën këtë dukshmëri dhe gatshmërie ofrimi të seksit dhe epshit. E radhës, ishte një shpirtdrobitur, një zemërthyer që kapardisej në boshin e asaj gjendje ku binte papushim. Nuk e kisha pyetur asnjëren prej tyre, se pse? Pse jepej me aq prani, sikur gjithçka që vinte pas ishte e zhvleftësuar nga ai çast, nga ajo mundësi, nga ajo përfshirje kurmesh e shkëmbim lëndësh.
– Ai maskarai, më ka tradhtuar me shoqen time më të ngushtë. Ajo ka shkuar me të duke tradhtuar të dashurin e saj, sepse e zuri në flagrancë.
– Dhe…?! ndërhyra unë, duke u përpjekur të thjeshtoja gjetjen e zgjidhjes së këtij ekuacioni.
– Unë do të hakmerrem! E tha pa menduar e përfshirë nga zjarri i tërbimit dhe inatit.
Kur e pa se nuk e prita me aq entuziazëm eksplodimin e saj, u përpoq të mblidhte copat e thyera të arsyetimit dhe me to të bënte një lloj motivimi shtytës të funksionimit të kësaj lidhje.
– Unë të dua, – tha ashtu nëpër dhëmbë, ndërsa vështrimin e mbante ngulur diku gjetkë.
– Ti më pëlqen dhe kjo është arsyeja se pse unë jam këtu, -shtoi ndërsa kokën nisi të anonte dhe vështrimin e rrëzoi përdhe.
– Po, moj shpirt, unë atë e di shumë mirë.
– Edhe unë kam këtë fat të hidhur sikurse edhe ti. Më tradhtoi ajo që kisha bërë kaq shumë për të. Gjithçka e shkatërroi në një çast të vetëm, për t’u bashkuar me të njohurin e saj, i cili gjithashtu kishte lënë pas një divorc me pasoja. Shkakësia? një flirt në kohën dhe me personin e gabuar.
-Pse të tradhtoi, tha? dhe sytë e saj të kaftë mi nguli si kanxhat që alpinistët ngulin në shkëmb.
– Sespe dyshonte se e tradhtoja.
– Ishte e vërtetë se po e tradhtoje? ngulmoi me pyetje.
– Po! Po e tradhtoja se dyshoja se po më dridhte.
– Me kë e tradhtove?
– Me një të njohurën e përbashkët, e cila ishte në një gjendje shumë të keqe dhe nuk kisha pse të isha aq zemërgurë sa ta loja të vuante një tradhti që po e rrënonte çdo ditë e më shumë. Ndodhi pa dashje, por ndodhi ama. Bashkëshorti e kishte tradhtuar me një kolege pune, e cila kishte kohë që i vardisej, por që kishte shfrytëzuar një krisje në marrëdhëniet e saj me të fejuarin dhe gjithçka kishte marrë fund.
– Keq, shumë keq!
– Edhe këto burra sa të ndyrë, sa të pacipë. Më të ndeshur një femër, menjëherë ngërthehen, sikur duan të mbushin atë hendek që tradhtia u ka krijuar në shpirt, -tha dhe u mbush me frymë thellë.
– Edhe gratë jo më pak, shtova, për larmi bisede?
– Edhe ato, ngrenë këmbët dhe lejojnë të penetrojë mes tyre turli ndyrësire, aq sa u vjen ndot t’ua shohin edhe surratin dhe turp t’ua mësojnë edhe emrin. Mes djersës, e lëngjeve përzihen e përlyhen, sikur duan të lahen nga mëkati që i ka lënduar. Dhe… largohen duke lënë pas një copë të vlertë të vetes së tyre të shpërdorur, të ndotur, që përgojohet e përmjerr nëpër tavolina ku bie era alkool, duhan dhe perversitet.
– Por gjithsesi të gjithë gabojmë duke kërkuar që ky faj të na ngushëllojë. Pra një plagë që zgjedhim të na shërojë plagën. Një mëkat, i cili edhe pse nuk na thërret në pendim, ai ka thyer diçka brenda nesh, ka ndotur diçka që natyra e ka krijuar dhe na e ka besuar ta mbajmë të pastër.
– Nuk të kuptoj, tha ashtu turfullueshëm, ndërsa lypi të distancohej nga ku ishte ulur pran meje.
– Ti flet si një gjykator puritan, shtoj me ton të potent.
– Flet si një prift përtej atij gardhit të rrëfimtores.
– Unë nuk jam besimtare. Unë nuk ka frikë nga ferri, nga ndëshkimi. Unë kam frikë nga e tashmja, nga e përditshmja që pajtohet me të keqen dhe lejon të ndotet. Dhe këtë frikë dua ta mposht nëpërmjet guximit, kurajës duke u bërë pjesë e këtij gjirizi, pjesë e këtij prostituimi, pjesë e kësaj botë ku asnjëri nuk e di se kujt i’a fut dhe kush i’a nxjerr, ku i hap këmbët e ku e shkund mashkullorin.
– Jetë muti, jetë kot! tha me zemërim dhe mori të ngrihej.
E zura përdore dhe e detyrova të ulej. Faleminderit, tha, dua të iki.
– Edhe ti si gjithë të tjerët.
– Si nuk gjeta dikënd, të cilit më duhet t’i besoj dhe me të cilin të qaj një hall e të mbështes kokën. Të gjithë duan por druhen. Të gjithë meritojnë çfarë i bie për hise, edhe unë. – Lëshoi këto fjalë si një barrë të rëndë që mbante prej kohësh e ashtu fluturimthi mu fashit nga sytë.
Kishte të drejtë. Por padrejtësitë shpesh duam ti gjykojmë me padrejtësi. Gozhda del me gozhë, e plumbi me plumb, thotë proverbi. Por si ti kuptojmë këto eufemizma?
Kisha lexuar kohë më parë shprehjen, sipas së cilës: Të gjithë jemi tradhtarë dhe të tradhtuar. Thellë më kishte goditur dhe atëditë e pas mu bë se i shihja këto molepsje, këto dyshime dhe implikime nën këtë projektim.
Ndërsa mendoja kësisoj mu përzie. Mu morën ment, më erdhi të nxjerr dhe në përpjekje për t’i shpëtuar këtij sikleti i dhash vetes fort sikur doja tw shqitesha ku kisha ngecuar, dhe… koka më ndeshi në diçka të fortë dhe mu bw sikur mu nda mw dysh. Hapa sytë dhe vërej se kisha rënë në një gropë septike. Po pluskoja në ujra të zeza. Nuk po e merrja vesh se ku ndodhesha dhe si kisha përfunduar këtu. Arrita të shoh nëpërmjet një katrori qiellin që llamburiste nga yjet. Pas disa tentativash arrita të dal. Qyteti i tëri kridhej në gjumë. Ende pa e kuptuar se ku gjendesh nisa të ec. Shoh se isha i veshur me rrobet e gjumit. Era e rëndë e jashtëqitjes me të cilën isha përlyer kokë e këmbë, po ma neveriste. Nuk mu desh shumë të përcaktoja vendin ku ndodhesha dhe të nxitoja për nga shtëpia.
Pyetja – Se si kisha përfunduar aty? – më zinte në kokë, ndërsa fugoja të mbërrija një moment e më parë në shtëpi, duke i’u fshehur udhëtarëve të parë të ditës që i afrohej agut.
Me të mbërritur, bashkëshortja kishte dalë te hyrja e apartamentit dhe ulur në një shkallë qante.
Më pa ashtu të larë në jashtëqitje, sikur i shndritën sytë.
– Hë more karajfil, nuk të paskan pritur mirë me sa duket.
– Të paskan përcjellë siç i ka hije një rrufjani si ti.
-Ku bredh natën?!
– Ngrihet burri i botës nga krevati e zhduket.
– Ti të paktën të ishe veshur.
– Hyr, hyr, më tha. Në banjë, në hale, atje e kanë vendin të gjithë si ty.
Më kishte lidhur zoti gjuhën. Nuk fola, sepse nuk kisha se çfarë të them. Nuk e mora vesh atë ditë e sot se si kishte ndodhur. Por diçka sapo kishte ndryshuar në jetën time. Gruaja ishte e bindur tashmë se e kisha tradhtuar dhe çdo përpjekje ime për të kërkuar ndihmë asaj për të kuptuar se si kishte ndodhur e gjithë kjo, merrja veç shfrimin e saj cingëritës dhe breshërinë e fjalëve fyese dhe etiketimeve përçmuese.
Edhe nëse përpiqem që t’ia lë kohës shërimin dhe harresës çlirimin nga ky makth, ajo që më mbeti ishte era e keqe. Lahesha e lyhesha, por era jashtëqitje nuk më shqitej, një kudërbim që nisa ta ndjej edhe tek shumë të tjerë, me të cilët shkëmbehesha.
Ditët kalonin dhe harresa po përpiqej të fshinte që nga konturet panoramën e asaj përvoje, ndërsa era e rëndë më afronte me bashkëvuajtës duke mu bërë pjesë e vetes time. Por çuditërisht sërish pyes veten, pse kudërbojmë, një erë të miksuar; mes jashtëqitjes, aromës së luleve dhe mishit të kalbur?!