Nga Albert Vataj
Edhe pse kjo pikturë daton në vitin 1592, tragjikisht ajo ka një reflektim koherence edhe në tashmen e këtyre dy grupshtresave sociale, pasanikëve dhe lajkatarëve. Ajo njëjtësisht fshikullonte flamantët e mesjetës sikurse përfituesit dhe vemjet e çdo ndërkohje. Në tempullin e poshtërimit hyhet këmbadoraz dhe duke u zvarritur.
“Pasaniku dhe lajkatarët” i Pieter Brueghel i Riu, kjo pikturë groteske, shprehëse dhe me mesazh trazimtar, për viktimat e pambarimta të servilve, lajkatarëve dhe të përulurve deri në pështirim ndaj autoritetit; pasuri, para, mundësi e pamerituar, përshkruan një proverb të vjetër Flamand, se pasanikët do të kenë gjithnjë rreth vetës lajkatarë, bythëlëpirës:
“Sepse aq shumë para rrokullisen dhe bien nga thesi im, sa e gjithë bota ngjitet të hyjë në vrimën time.” Kjo thënie kujton përshkrimet e ditëve dhe gjithëkohëve të lajkatarëve dhe krejt atyre që nxitojnë të përfitojnë, të marrin çfarë mund të merret, qoftë edhe duke cenuar integritetin moral, mjafton përfitimi monetar dhe gjithçka është e justifikuar.
Këtu, Pieter Brueghel i Riu përshkruan një njeri të madh, në përmasa të hiperbolizuara, duke mbajtur një thes monedhash, shpesh ato trajtohen si të florinjta, që derdhen nga poshtë krahut të tij. Ai është lakuriq nga beli e poshtë, duke u përpëlitur pranë një peme, metaforikisht sikur është duke kryer nevojat fiziologjike. Dhe është ky moment që mjeshtri përzgjedh, për ta bërë më të neveritshëm dhe më të pamërshirshëm ndëshkimin me poshtërim, për ta përçuar më drejtpërdrejtë mesazhin moralizues, i cili për fatin e keq ka qenë gjithnjë dhe është i shumëpranuar, pa dallim kohe dhe gjenerate. Sot aq më përmjerrëse është kjo përulje, aq më lënguese është kjo plagë morali dhe dinjiteti.
Në plan të parë, Brueghel shpërfaq një fytyrë e shpërfytyruar, tejet të tendosur dhe të përçudnuar, jo thjeshtë si shprehje e gjendjes së natyrshme të jashtëdaljes, por edhe e asaj shëmtie, me të cilën ai godet pasanikun. Gjithashtu, në një efekt dominues dhe një të pasme të përmasshme, një numër figurash njerëzore zvarriten pas tij dhe hyjnë në hapjen si një hyrje zgafelle të skajit të tij të pasëm. Me ironi dhe zgjuarsi, sarkazëm dhe neveri, me një qasje të shfaqshme dhe tejet domethënëse, Brueghel tregon, se si as përfaqësuesit e ngjitjes shpirtërore, askush që ka pretendime për të shfrytëzuar një mundësi nuk është i stepur por as edhe i imunizuar nga kjo tendencë universale për t’u “poshtëruar”, për arsye përfitimi. Vërejmë se i pari që piktori ka futur në këtë poshtërim është një klerik, një përfaqësues i një urdhëri fetar, ndoshta një françeskan, gjithmonë i referohemi veshjes së tij, mantelit dhe kapuçja e tij kafe. Pas tij kjo ky padurim zvarritje dhe poshtërimi për të hyrë në interesat e një njeriu të pasur, qoftë edhe nga të pasmet e tij, ironikisht nga aty ku ai nxjerr jashtëqitjen, atë që përjashton vetë organizmi i tij. Alegoria therëse është një fshikull që skuq edhe sot fytyrat e atyre që për arsye rrethanore janë të detyruar të zgjedhin një rol të tillë si mundësi sfidimi kushteve ku përpëlitet jeta e tyre.
Ashtu sikurse dhe babai, Pieter Brueghel i Riu ishte një vazhdues i shpirtit alegorik në pikturë dhe kjo tablo e titulluar “Pasaniku dhe lajkatarët” është një nga të shumtat që ai realizoi dhe pasuroi me botkuptim dhe shprehshmëri alegorike, filozofike, ironike, sarkastike. Mund të themi se kjo gjini e pikturës ishte pararendëse e karikaturës, por duke ruajtur të paprekur strukturën dhe kompozimin pikturik, duke shfaqur estetikisht dhe shprehshmërisht elementet artistik, ajo i lejoi vetes të ishte e ngarkura me vlera realizuese dhe mesazh përcjellës. Në kushtet kur shoqëria ishte pjesë e artit dhe anasjelltas, këto mjeshtra ndërtuan përmes artit të tyre institucionet e emancipimit dhe integritetit të njeriut. Përmes alegorisë që zëfillte nja një shprehje frazologjike, apo nga një citim, ata rrekeshin të ndërtonin një shoqëri më të shëndetshme, me personalitete dhe karaktere të dëlira nga vesi dhe përulësi e pështirosjet. Prodhimi i bollshëm i studios së tij, i cili përmbushi nevojat e tregut vendor, por edhe eksport, kontribuan njiherash në përhapjen ndërkombëtare të veprës së babait të tij.