Mid’hat Frashëri
Dua më parë të uronj mësuesit e prefekturës së Durrësit dhe veçan ata të Tiranës për krijimin e lidhjes së tyne. Lidhje që do t’u premtojë të mbushin më mirë dhe me efekt më të math detyrën. Pritmi jonë varet nga puna e mësuesve, varet nga arsimi dhe edukata e djelmënisë. Në këtë edukatë të shpirtit, të mendjes dhe të zemrës dua që një pikë të inspirohetë mirë në frymë të nxanësvet. Dua të them: ndjenja e përgjegjësisë. Çdo njeri duhet të jetë i përgjegjshëm për punët dhe sjelljet e tij, të ngrerë gjithë barën e aktevet, pa vënë re ç’bën fqinji dhe shoku i tij, pa humbur kohën të shikonjë dhe të kritikonjë të afërmin. Le të kuptojmë secili prej nesh dhe të kemi si themel të edukatës përgjegjësinë personale. Është i vetmi mjet që të arrijmë ne vetë në përmirsim dhe përparim moral, e vetmja fushë që të bëjmë të rinjtë e Shqipëris’ sonë të bëhen të dobishmë e të vlefshmë.
Tetë vjet më parë, kur fati i zi më shtrëngoi të largohem nga ky dhe i dashur, Shqipërinë e lashë jo vetëm të shkelur prej fuqivet të huaja, po edhe të shikuar prej shqiptarëvet vetë si një krijesë e të huajvet, si një foshnjë, për të cilën s’kishte zemrë nëne që të qajë dhe të mëshironjë. Përpara një ideje të tillë, sa herë përndërtohesh ndërgjegjja patriotike! Vdekja, pa dyshim, do të dukeshë më e mirë se sa një vetëvrasje e gadalshme.
Sot, Shqipërinë e kemi tonën, të krijuar me përpjekjen tonë, të bërë me thonj e me dhëmbët tonë, dhe më tepër akoma me dëshirën dhe vullnetin tonë. E kemi sot vëndin tonë të dashur, jo si një dhuratë të pamëshirshme të Evropës, po të bërë dhe të krijuar prej nesh, kundër dashjes dhe dëshirës s’Evropës. Lirinë dhe vetqeverimin tonë e kemi marrë me pahir, rrëmbyerë me fuqi. Ajo Evropë që pretendonte se po lëftonte për të drejtat e popujvet dhe për të mprojtur drejtësinë, dhe qytetërimin, ajo Evropë, gjer më dy vjet më parë na shikonte si të dënuar me vdekje, si të gatuarë për të qenë gjahu dhe plaçka e të tjerëvet. Zuri të na respektojë dhe të na dojë, vetëm kur pa se jemi të zotët të mprojmë ne vetë jetën tonë. I dhamë këto prova, kur kupëtuamë se Shqipërinë jemi zotër ta bëjmë vetë.
Tani mund të jemi sigur se kemi një simpathi të madhe në botë të qytetëruar, një simpathi të vërtetë. Mbi këtë, një barrë e rëndë na bije mbi ndërgjegje: këtë truall që e krijuamë, duhetë që ta ruajmë, ta zbukurojmë. Eshtë një detyrë ati dhe mëme kundrejt birit të tij. Është dhe një detyrë biri drejt mëmës së tij.
Kemi detyrë jo vetëm të matim dhe të vëzhgojmë Shqipërinë tonë, po dhe ta mprojmë prej rrezikëvet që e rrethojnë, ta bëjmë të përparuar e të ndriçuar. Dhe nuk munt të punojmë për kombin dhe vendin tonë, po që nuk patmë një dashuri për çdo cep të Shqipërisë, një dhembshuri për çdo njeri të kombit tonë. Duhet të zgjuajmë kultin e patriotizmës, adhurimin e Shqipërisë. Bota e sotme s’na jep ndonjë shëmbëll të kulti dhe adhurimi për truallin e gjyshërvet. Po, në këqyrshim historinë e afërme të Rilindjes së tyre, do të shohim se kjo rilindje është bërë vetëm pasi ka zënë populli që të ndjejë në zemër të tij një dashuri të sosur për çdo send që i përket atdheut dhe kombit.
Patriotizma është mbase një egoismë. Ajo ndjenjë na shtyn të kërkojmë madhërinë dhe nderin e kombit, se te kjo madhëri dhe te ay nder do të gjejmë ne vetë madhërinë, lumturinë dhe nderin tonë. Jemi patriotë se e dimë që pa një truall dhe pa një shtet të fortë, pa një komb të përparuarë, bije në rrezik rojtja dhe jeta jonë. Ky gjykim na shtyn dhe duhet të na shtyjë që të bëjmë disa therori për të mirën e përgjithshme, që të mos mejtojmë vetëm interesin tonë të tanishmë, por interesin e përbashkët të nesërmë, se ay interes do të na ruanjë dhe interesin tonë të veçantë. Kështu, pra, egoizma e patriotizmës ndryshohetë dhe këmbehetë në një altruismë të vërtetë, dhe na shtyu në therori.
Nderi dhe madhëria e çdo shqiptari varetë nga nderi dhe madhërija e Shqipërisë. Është një llogari e lajthitshme ajo që të përbuzësh shokun me shpresë që të lartësosh vetëhenë tënde. Statujën e një njeriu të math nuk e shtien brenda në një gropë, pa e ngrenë në një piedestal të lartë, mbi një themel të shëndoshë. Në doni, pra, jini të nderuar dhe të mëdhenj, bëni më parë Shqipërinë dhe kombin shqiptar të jenë të veneruar e të naltësuar.
Miq dhe shokët e mij, mësoni të kurseni kohën, mësoni mirëpërdorimin e kësaj gjëje të vlefshme që i thonë kohë. Na vjen keq për plaçkat materiale dhe i dimë vlerën e një vilari pëlhure. Harrojmë se ditët tona janë të matura dhe se gërshëra e shtrigës kohë, është gjithënjë gati të presë fillin e gjëllimit. Vendi dhe kombi ynë duanë punë të gjatë, me durim të pa lodhurë. Kemi mijë e një punë për të bërë. Puna lyp kohë. Kupëtoni mirë vleftën e këti faktori dhe mos e vdisni kot.
*Fjala e M. Frashërit në një tubim për krijimin e Lidhjes së Mësuesve të Prefekturës së Durrësit, botuar në revistën “Arsimtari”, viti 1922.