Nga Albert Vataj
Gratë, përveç veshjes për të cilën kanë vendosur, pas shumë hezitimesh, të prezantohen në ambientet e tyre shoqërore, ato i kushtohen po ashtu trukut të fytyrës, krehjes, por, shpesh, neglizhojnë thonjtë. Estetistja jep këshilla shumë të rëndësishme për mirëmbajtjen dhe trajtimin e thonjve. Ajo ju fton të njihni më shumë atë detaj të dorës suaj që është i nevojshëm jo vetëm nga ana estetike, por edhe ju mbron duart nga aksidente të ndryshme. Duke pasur thonj të trajtuar, do të jesh instiktivisht më e kujdesshme e delikate me dorën tënde. Si ndryshojnë thonjtë në varësi të kohës dhe faktorëve të jashtëm? Cilat janë lidhjet e thonjve me metabolizmin dhe mënyrat e përkujdesjes që duhet të ketë parasysh çdo femër?
Thonjtë janë pjesë e rëndësishme e dukjes
Një femër për t’u quajtur e tillë në të gjitha kuptimet, ka nevojë për trajtime të llojeve të ndryshme. Thonjtë janë njëri prej tyre. Ata janë një pjesë e rëndësishme e aparencës, prandaj kanë nevojë për vëmendje e përkujdesje. Thonjtë, gjithashtu, ruajnë gishtat e duarve dhe të këmbëve nga aksidentet, përveç kësaj, bukuria e tyre paraqet një femër të shëndetshme, gjë që meshkujve nuk u shpëton pa e vënë re. Gjithashtu, thonjtë e këmbëve të rregulluar bukur dhe me gjatësinë e duhur e bëjnë më të lehtë dhe më të rehatshme ecjen. “Thonjtë te femrat kanë një funksion më tepër se thjesht për t’u ‘kruajtur’, thonë psikologët. Ato janë dritarja e mendjes drejt konfidencës dhe bukurisë femërore. Një femër me thonj të bukur dhe të lyer sipas veshjes apo stinës tregon bukuri më tepër se një femër që i neglizhon ata…. Nga sondazhet në Kaliforni meshkujt gjithmonë e më tepër e vlerësojnë sensualitetin e femrës nga mënyra se si kujdeset për gishtrinjtë e duarve dhe të këmbëve, pa harruar flokët dhe një make-up të lehtë e natyral…”
E natyrshmja
Që një femër të ketë thonj të shëndetshëm duhet të dijë disa fakte të rëndësishme për ta. Kështu, lëkura në majën e gishtërinjve është e mbrojtur nga thonjtë, që janë qeliza të vdekura dhe përbëhen nga proteina e quajtur keratin (njësoj si tek flokët). Ata ushqehen nga poshtë sipërfaqes, që quhet baza e thoit. Kjutikëll është lëkura që rritet bashkë me thoin në bazën e tij (rrënja e thoit). Hëna e thonjve ndodhet gjithashtu në bazën e thoit dhe njihet me emrin lunal. Mosekzistenca apo të qenit të vegjël të lunaleve është indikator i një metabolizmi të ulët trupor, ndërsa e kundërta tregon një metabolizëm aktiv. Lunalet zhduken me kalimin e viteve. E dihet që thonjtë zgjaten mesatarisht me 0,1 mm në ditë. Thonjtë rriten më shpejt në duart aktive, pra te femrat që kanë më shumë punë me duart, gjatë periudhave të nxehta, si dhe gjatë shtatzanisë. Te të rinjtë thonjtë zgjaten më shpejt se te të moshuarit. Thonjtë e duarve zgjaten 2 herë më shpejt se thonjtë e këmbëve. Është vërtetuar se koha, aktiviteti, ndryshimet hormonale dhe mosha ndikojnë më tepër në rritjen e thonjve, që me kalimin e viteve fillojnë të trashen, forcohen, kanë një rritje më të ngadaltë dhe brazdat fillojnë të duken. Kur thoi është shkulur nga lëkura, mund të marrë deri në 6 muaj për thonjtë e duarve dhe pothuajse 18 muaj për thonjtë e këmbëve që të rritet përsëri.
Disa këshilla
Përveçse për të ditur disa fakte ju duhet të dini të mirëmbani thonjtë. Këto janë disa këshilla të gatshme për të ditur se si duhen trajtuar ata. Nuk duhet të harroni të vishni doreza kur lani pjatat, sepse mbajtja e duarve për shumë kohë në ujë në kontakt me kimikatet e pastruesve, mund t’i bëjë thonjtë të thahen. Po ashtu, aplikoni edhe kremrat për të ruajtur lëkurën e thonjtë duke i zbutur ata. Thonjtë e tharë krisen dhe thyhen më shpejt. Mos i prisni thonjtë por vetëm limojini ata gjithmonë në një kënd prej 45 gradësh. Në qoftë se duhet të shkurtoni një pjesë të gjatë, lipset t’i mbani për 5 minuta në ujë të ngrohtë me sapun dhe pastaj t’i prisni. Nuk duhet të përdorni asnjëherë lima metali. Limojini thonjtë nga cepat për në qendër. Mos i limoni kurrë thellë nëpër cepa, sepse mundësia për të shkaktuar deformimin e thoit vjen gjithmonë nga limimet e shumta dhe të thella në cepa. Mos i “torturoni” thonjtë për të kruajtur, fërkuar apo për të hapur gjëra të forta. Përdorni diçka tjetër për këto punë. Për çdo problem që mund të keni me thonjtë drejtohuni te specialistja e thonjve apo te dermatologu.
Mirëmbajtja e thonjve artificialë
Në mënyrë që të keni thonj të bukur gjatë gjithë kohës, ju duhet të shkoni te specialistja e thonjve rregullisht dhe duhet të tregoni kujdes për thonjtë artificialë njësoj si me thonjtë natyralë. Këtë gjë mund ta bëni çdo dy javë, por është specialistja ajo që do të përcaktojë takimet tuaja.
Mos u mundoni të bëni punën e specialistes vetë
Në qoftë se thoi të thyhet apo ka filluar të ngrihet, kërko takim për ta riparuar; mos u përpiq ta rregullosh vetë. Ngjitja e thoit të ngritur mund të izolojë lagështirë ndërmjet thoit artificial dhe atij natyral dhe kjo mund të shkaktojë myk. Mos i fashoni thonjtë e thyer. Fashot gjithashtu krijojnë myk.
Trajtojini thonjtë si bizhuteri, jo si vegla pune
Vishni doreza kur bëni punët e shtëpise. Në qoftë se keni aplikuar manikyr francez, aplikoni shkëlqyes çdo dy ditë që të parandaloni thyerjet apo verdhëzimin e thoit. Në qoftë se jeni në diell për një kohë të gjatë, duhet ta aplikoni shkëlqyesin çdo ditë. Specialistja e thonjve mund të të rekomandojë shkëlqyes me përmbajtje ultraviolet, i prodhuar posaçërisht për të vepruar kundër verdhëzimit. Specialistja mund të të rekomandojë një aplikim (akrelik apo xhel) dhe një gjatësi thoi që i përshtatet më tepër dorës dhe mënyrës së jetesës tënde. Për shembull, në qoftë se punoni me kompjuter gjithë ditën dhe duhet të shtypni tastierën, thonjtë e shkurtër janë zgjidhja më e mirë për ju. Mbajini kjutikullat të buta duke përdorur për to krem, vaj apo krem duarsh çdo ditë apo dhe dy herë në ditë.
Provoni
Vini krem të mjaftueshëm në duart tuaja përpara se të vini doreza. Ngrohtësia e ujit e bën kremin të depërtojë më thellë në lëkurë, kështu që pasi të keni mbaruar punë lëkura e duarve tuaja do të jetë e butë. Në qoftë se keni probleme me thonjtë apo me lëkurën, prisni deri sa thoi të pastrohet apo lëkura të jetë qetësuar, para se të shkoni në sallon. Konsultohuni me mjekun dermatolog nëse këto probleme zgjasin. Është vënë re se shumë pak kliente janë alergjike nga disa përbërës që ndodhen brenda në produktet e thonjve. Një reaksion alergjik shoqërohet me skuqje, kruajtje, fryrje, irritim rreth thonjve ose rreth syve dhe gojës. Në qoftë se ju paraqitet një nga këto simptoma, telefononi specialisten e thonjve. Ajo do t’ju ndihmojë të përcaktoni se cili produkt ju ka shkaktuar reaksion, dhe të marrë masa që kjo gjë mos të përsëritet. Në qoftë se është e nevojshme, ajo mund t’ju sugjerojë një vizitë te mjeku dermatolog. Mos i neglizhoni këto simptoma.
Heqja e thonjve artificialë
Në qoftë se për ndonjë arsye ju vendosni të mos mbani thonj artificialë, mos i shkulni ata vetë! Edhe pse mund t’ju duket diçka e lehtë, shkulja e pakujdesshme e thonjve artificialë dëmton thoin natyral duke bërë rritjen e thoit një proces të gjatë dhe të dhimbshëm. Thonjtë artificialë mund të hiqen pa shkaktuar probleme, në qoftë se hiqen nga një teknike thonjsh.
Kujdes, sigurohuni para çdo shërbimi që ju ofron një specialiste thonjsh që mjetet dhe veglat e punës të jenë të dezinfektuara. Gjithashtu këshillohet përdorimi i veglave personale.
Albert Vataj