Nga Albert Vataj
Sot kur flitet gjithnjë e më pak për dijen, mendimin, historinë e iluminizmit shqiptar, atë çfarë ishte dhe mbeti rrugëtimi i vetëdijes sonë ndër shekuj, sot kur libri më shumë se si një urëbashkim ndërkohësh e breznish, është katandisur në një mekanizmën vetkënaqësie dhe narcizmi, është dikush që ende beson tek përpjekjet dhe puna titanike e ngadhënjyesit të vlerave. Ai është Ndriçim Kulla, një prej atyre kapaciteteve krijuese dhe promovuese, me të cilat përfaqësohemi denjësisht ne si kulturë dhe mëndimi shqiptar si nëdrmendje. Puna e tij e derisotme është një prej atyre kontributeve të vlerta, që janë dhe do të mbeten thesare të kulturës dhe traditës sonë. E tillë, monumentale është edhe vepra e tij e fundit, “Histori e mendimit shqiptar”.
Atë që nuk ka mundur ta bëjnë institucione të shtetit, akademi e grupe interesi, unione e solidaritete nacionale, e ka bërë një njeri i vetëm. Në një sfidë 30-vjeçare, studiuesi Ndriçim Kulla ka arritur të sjellë në jetë jo vetëm një libër, por ndërmendjen dymijëvjeçare të dijes dhe dritës së mendimit që shkrepëtiu ndër breza.
Fruti i një punë të gjatë dhe cfilitëse kërkimore, seleksionuese dhe kadaloguese është sendërtuar në librin studimor, “Histori e mendimit shqiptar”, botime “Plejad”. Në këtë sfidë me kohën dhe mundësitë, ai ka bërë të mundur të përmbush një amanet, një detyrim moral dhe profesional, atdhetar njiherash, të sjellë në 500 faqe libër përmbledhtas dijet mendimit shqiptar, që shtyhet në një kreacion intensiv përtej 2000 viteve histori kumtesh dhe kushtrimesh, mëtimesh e manifestimesh.
Kulla në faqet e këtij libri zbulon se historia e mendimit të traditës së largët ilire, e cila zë fill me themelet e krishtërimit dhe traditës pararendëse të humanizmit iliro-arbëror, transmentuar deri në ‘900-n, e cila me kohën do të brymoste gjeneologjinë e vetëdijes sonë.
“Edhe historia e mendimit shqiptar, duhet konsideruar si pjesë themelore e kësaj kulture, që duhet detyrimisht të shtrihet përtej historisë së letërsisë dhe gjuhës shqipe, pasi gjuha vërtetë ndikon mendimin, por ky i fundit mund të jetojë edhe të zhvillohet edhe pa të. ‘Nëse doni të zbuloni historinë para Krishtit dhe shkencat e asaj kohe,duhet të studioni gjuhën shqipe’, pat shkruar filozofi i madh Gotfrid Lajbnic. Ky pohim projekton, jo vetëm një lidhje të brendshme të mendimit me gjuhën, por edhe një zhvillim të mendimit dhe të shpalosjes së psikikës dhe shpirtit shqiptar, edhe përtej historisë së letërsisë së saj”, shkruan Ndriçim Kulla në librin studimor “Histori e mendimit shqiptar”. Kulla thekson më tej se “Edhe në thellësi të shekujve, studiues të tjerë autoritarë vlerësojnë se “në parahistori ilirët, tashmë të gjithëpranuar si të parët e shqiptarëve, ishin kulmi i kulturës europiane.” Kulla ka përshkruar sesi ilirët kanë krijuar sistemin edukativ e arsimor, e më gjerë.
Kulla vendos në librin e tij një histori mendimi që vjen nga kontributi i njerëzve të letrave që arrinin të shkëputeshin nga të ndjerit folklorik të historisë. Por ekzistencën e mendimit shqiptar Ndriçim Kulla e sheh të pashkëputur edhe mes shekujve të errësirës osmane. Ai shkruan: “P.sh. auditori që gjeti Noli, një nga ligjëruesit më të mëdhenj të atij fillimshekulli, ishte po ai që Beçikemi pat parë në kuvendet e luftëtarëve, të odave të burrave, të rasteve solemne e të ngjarjeve të shënuara. Sipas tij, e gjitha kjo, ka ndodhur për shkak të ndërprerjes së Mesjetës. Një oratori për të cilën ai mendon se vetëm mund “të merret me mend si një oratori popullore, me karakter improvizues, e diktuar nga nevojat e jetës” dhe si e tillë ka qenë “larg çdo kanunizmi të rrjedhave evropiane”. Qëllimi për të qenë i konsideruar nga vendim-marrësit në kushtet e një propagande të gjithanshme, i ka dhënë publicistikës së asaj periudhe tiparet e një promovimi të madh dhe të vështirë, sa kulturor aq dhe kombëtar përkundrejt “axhendës” politike shqiptare.”, shkruan Kulla, ndërsa me një mori argumentesh për nevojat e studimit të mendimit shqiptar, ai përfshin si domosdoshmëri në rrafshin enciklopedik.
Krijimi i një vepre të vëllimshme siç është “Histori e mendimit shqiptar”, ku është selektuar i gjithë ekstrakti i mendimit gjithëshqiptarë, është një punë që meriton vlerësim dhe konsideratë, sepse është filluesja e këtij hovi të skajshëm në kohë dhe dimension, është e epërmja gostitje e ëndjes historike të mendimit. Ajo në një farë mënyre arrin të verë caqet e atyre vlerave, të cilat mohi dhe koha po i varrosnin mizorisht në harresë. Me këtë libër ne njihemi s’pariherë dhe në mënyrë shterruese mbi visarin e mendimit shqiptar, përfaqësuesit e saj, si ato të shumënjohur, edhe ata, për të cilët s’është kujtuar askush se ekzistonin. Ajo vlerë që ka sjellë, Ndriçim Kulla me këtë libër është ajo që çdonjërin nga ne na thërret në një mirënjohje, në atë përulësi që meriton një punë e tillë, një ngulmim ngadhënjyes. Ne gjithnjë do të kemi nevojë për njohje, dritë dhe dije, për gjenezën tonë të këtij kumti, për atë çfarë më shumë se sa ndjenjë krenarie nacionale është vlerë përfaqësimi dhe pasuri e shpirtit tonë dëshmues. Pa një libër të tillë, kultura jonë, historia e mendimit shqiptar do të ballafaqoheshin me një hendek kërcënues, me një pamundësi për të përcaktuar qartazi caqet dhe ambiciet që na përfaqësojnë denjësisht dhe në mënyrë konkurruese me simotrat tjera.
Kulla jo vetëm sjell mendimin shqiptar në kontekstin historik, por ai vë kufijtë që i përkasin kësaj kulture, përcakton me rreptësinë e kohës, meritat, dhe me integritetet e shumta intelektuale dhe krijuese, veçantitë. Janë këto shkëndija mendimi që llamburitin në galaksi, duke përcaktuar qartazi kontelacionin shqiptar të mendimit. Ne kemi privilegjin të njihemi dhe të krenohemi me këtë shenjtëri, të besojmë.
Biblioteka ime e ka tashmë këtë libër, ëndja ime ka nxituar ta rrokë të këtë perceptim njohës drite të mendimit shqiptar, edhe ju e meritoni një mundësi të tillë.