Nga Albert Vataj
Romakët ishin të apasionuar për shfaqjet me gladiatorë. Ndoshta do të habiteni po të mësoni se fillimisht këto dyluftime bëheshin në funeralet e personaliteteve të rëndësishme. Besohet se ndeshjet e kishin origjinën te flijimet në njerëz ndër popullsitë oskane ose samnite, që sot përkon me Italinë Qendrore. Flijimet bëheshin për të qetësuar frymërat e të vdekurve. Ky luftim quhej munus ose «dhuratë». Ndeshjet e para të dokumentuara në Romë u mbajtën në vitin 264 p.e.s., kur tre çifte gladiatorësh u ndeshën në tregun e gjedhëve. Në funeralin e Mark Emil Lepidit, u bënë 22 dyluftime. Në funeralin e Publi Licinit, u bënë 60 dyluftime. Në vitin 65 p.e.s., Jul Cezari nxori në arenë 320 çifte.
“Funeralet e aristokratëve ishin shfaqje politike, thotë historiani Keit Hopkins, dhe garat në këto funerale kishin ngjyrime politike . . . sepse pëlqeheshin nga shtetasit që ishin zgjedhës. Në të vërtetë, madhështia e shfaqjeve me gladiatorë u bë gjithnjë e më e madhe kryesisht si pasojë e konkurrencës politike ndërmjet aristokratëve ambiciozë.” Në kohën e mbretërimit të Augustit (27 p.e.s deri në 14 të e.s.) këto munera ishin shndërruar në dhurata luksoze për zbavitjen e masave, që zyrtarët e pasur shtetërorë bënin për të përkrahur karrierën e tyre politike.
Lidhur me origjinën e ndeshjeve të gladiatorëve, Tertuliani, shkrimtar i shekullit të tretë, thotë: “Pasi i kishin zbutur këto shfaqje me një formë më të kulturuar mizorie, njerëzit në lashtësi mendonin se ato u bënin një shërbim të vdekurve. Kjo sepse, në lashtësi, të bindur se shpirtrat e të vdekurve qetësohen me anë të gjakut njerëzor, në funerale ata e kishin zakon të flijonin robër ose skllevër që s’vlenin shumë, të cilët i blinin. Më pas, iu duk mirë ta maskonin mizorinë e tyre duke e kthyer këtë rit në një kënaqësi. Kështu, pasi njerëzit e zgjedhur stërviteshin me armët që ishin në atë kohë dhe sa më mirë që mundeshin imagjinoni që stërviteshin të mësonin se si të vdisnin! vriteshin në ditën e caktuar të funeralit, nëpër varre. Pra, ngushëllimin për vdekjen që u kishte ndodhur e gjenin duke parë vrasje. Kjo është origjina e munusit. Por dalëngadalë këto u bënë edhe më të rafinuara, edhe më mizore; kënaqësia e ditëve të pushimit nuk ishte e plotë në qoftë se bishat e egra nuk bënin edhe ato pjesën e tyre për të shqyer trupat e njerëzve. Ajo që ofrohej për të qetësuar të vdekurit llogaritej si një rit funerali.”