Nga Albert Vataj
Nuk ka dritë që rrezellin njashtu si drita e syve të një fëmijë. Nuk ka zgjim më të hyjshëm që pahet më agun e një dite se sa sytë e nji fëmije.
Nuk ka stinë qi harbohet ngjyrash dhe kundërmimesh, se kumti që qeshja e një fëmije mëkon.
Kurrnji yjësi se llamburit ma kumbueshëm universit, sesa njajo e hyjshme qeshje që bulon prej qehres së një fëmije, si ma i mrekullueshmi shembëllim, që ndrin në kokrrizën e një vese, në nji nadje qi na përqafon me dashnin për jetën.
E pamunduna lshohet dorzan nji prekje t’hyjshme mrekullimi, këtë çast qi gufon me thërmija e dritës, së një aurore. Epen e çlirohesh prej krejtçka të trazon shpirtin e drobitun të nji të sotme, ngëthye përmes fijesh t’padukshme pengimesh dhe trazimi.
Shikojnë njato sy, e pahesh me këtë bekim, në pragun e çdo ngulmi, turresh përlot me energjinë e këtij dielli, e drita ta kallzon rrugën, motivimi t’i çel tana mundësitë, e sfida t’bahet trofe.
Hovesh e hidhesh përnga gjithçka qi andrra e ka mëku me ma t’andshmin kungim , si dëshirimet e pasioneve qi në zjarr e derdhin shkulmimin e gjakut, pa u ndal prej asgjaje.
Shikohesh me njato sy t’kthjellët e gjithçka në ty t’përpush me fluturu e qiellin me e mat me krahët e njati gazmimi qi çdo çast t’bahet se asht një yll qi ta shkruen më shkëndija udhën e fatit.
Lundro në detin e këtij kthjellimi dhe bota krejkah ti afron brigjet e Zotat kundrojnë gjithë ngazëllim se si përtrihet jeta në sytë e nji fëmije.