Nga Albert Vataj
Fotografim i qiellit në “shtëpitë” e Zotitit. Imazhe panoramike befasuese të kishave në të gjithë botën. Pamje të cilat të shtangin me madhështinë e tyre, me kumtin që përcjellin dhe krejçka kjo hapësirë, ky “qiell” në “shtëpinë” e Zotit shpërfaq. Arkitektë dhe projektues, punëtorë dhe zbatues, piktorë dhe zanatçinj, para dhe shije e hollë, kushtrim qiellor dhe thellësi eterne brenda një ndërtese, këto e të tjera derdhën në këto konstruksione befasuese sot.
Më shumë se të bukura ata të lënë gojëhapur për harmoninë dhe raportin perfekt të përmasave dhe shëmbëllimit. Loja e hapësirës dhe thellësia ku këto tavane qëndrojnë varur prej qindra vitesh i shtojnë kësaj pasurie të njerëzimit vlerat dhe kërshërinë, bukurinë dhe ëndjen, e hedhin në pafundësi të jetësimit këtë kurajo të fantasizë dhe mundësisë së njeriut,
Richard Silver nga Nju Jorku ka krijuar fotografi panoramike për të treguar arkitekturën e pasur fetare në të gjithë botën, këtë korpus madhështie dhe sharmi, guximi dhe mëtimi. Pavarësisht se ai ka kërkuar ndihmën e Photoshop për t’i kompaktësuar në pamje tavanet e kishave, gjithçka ka mbetur e paprekur e padeformuar, e papërlyer prej kësaj mrekullie të arkitekturës kishtare.
Richard Silver, nga Brooklyn , New York, udhëton nëpër botë duke marrë këto foto mahnitëse për të krujuar këtë galeri të jashtëzakonshme. Një ish agjent burse, duke ju dhënë pasionit të fotografit ka zbuluar jo vetëm forcën që gëlon në vetvete, por edhe këtë bukuri, të cilën kështu të koleksionuar mundet me shpërfaq qartë këtë bukuri.
Kjo pamje mund të ta ofrojë një zog, zemra e hapur e një besimtari të devotshëm, apo thjeshtë syri kureshtar i një fotografi dhe puna e tij vetëmohuese për ta përçar me gjithë peshën e vet goditëse këto pamje. Ky qiell besimtarësh njëherash shpalos bukuri dhe kureshti. Ndërsa dalldisemi nga ky pushtim qiellor kumti dhe ekuilibri etik dhe estetik nuk mund të mos ngërthehesh në një pyetësor, sakaq në një mori dilemash. Si kanë mundur të vijnë deri në ditët tona këto punë të papërsëritshme, këto përvoja ndërtimore të rralla dhe të pashoqe. Çfarë dilemash dhe përballë çfarë pikëpyetjesh duhet të jenë përballur arkitektët dhe inxhinierët, punëtorët dhe artistët, dhe si kanë mundur t’i zgjidhin ato në atëkohën e tyre, kur hamendim sot, dhe kjo duhet të jetë e vërtetë, se këto sfida nuk ishin si gjithë të tjerat, këto sipërmarrje ndërtimore nuk janë të lehta të përballohen edhe sot, me disafish më shumë të mundësive dhe teknologjisë.
Ky parakalim panoramik ndërshekullorë i fotografit amerikan nga Divina Providencia Mexico City, Shën Vincent De Paul California, Katedralja e Shenjtë- Mumbai Hallgrímskirkja-Islanda, St Catejan Goa –India tek Augustiner Kisha Vjenë ka patur padyshim një hartë shumë të larmishme dhe një ekspoze të veçantë në llojin e vet për të demonstruar në një kor dhe njëzëshëm një prej dëshmive më domethënëse të civilizimit dhe mishërimit përjetues dhe dominues të forcës së besimit, e cila duke u materializuar në kryevepra të tilla të arkitekturës dhe kurrajo të pazakonta të inxhinierisë së ndërtimit të asokohshme. Fotografi ka bërë një ekskursion duke ofruar nëpërmjet trajtimit panoramik një frymëzim sundues si në kumtin artistik ashtu edhe në atë të përmasave. Ai ka shfletuar “qiellin” religjioz në disa nga kreshtat e besimit dhe objekteve të kultit, si Nju Jork , Mexico City , Budapest, Krakov , Cape Town dhe Goa .
E gjithë kjo ngasje promovuese e gotikut dhe barokut, e forcës së besimit dhe guximit, e historisë dhe qytetërimit, nuk është gjë tjetër vetëm një përshkim pamor dhe një rijetim emocional i madhështisë dhe bukurisë që shëmbëllejnë në qenësinë e tyre kjo pasuri e njerëzimit.