Nga Albert Vataj
Ngjitesh në majë të gishtërinjve, ngjitesh ashtu hutueshëm e shkujdesur, epur e epshëm, për të mbërritur tek një prehje, tek ajo pulitje e prushtë buzësh, tek ai vibrim fijezash drite, ku ëndja e ëndrra, për të parë e ndjerë eterin e këtij çasti, të marrin hopa duke të të hedhur aq lart, aq sa mund të mbërrish te puthjet.
E prek epshëm dhe drojshëm atë prag, pengohesh e bie në fluturimin e kësaj petaleje që era merr, e palohesh në rrjedhën e vërshimit të llavave ku gjaku i tokës e dalldisja e ndjenjave lëshohen si prekje atje ku ka etje për zjarr e epje për shndërrim. Ngjitesh në majë gishtërinjve, etur e dalldisshëm ngre atë gllënkë, e ndërsa hurb qiell, gjithë nektarët e luleve që u dehën harbimit të pranverave, nisin të vërshojnë brenda teje. Një qiell i zhuritur yjesh noton në lumenjtë e hazdisur të limfës, që ndez zjarri i natave idilike, ku hënat kllapiten e ëndrrat përkundin në lavjerrësin e ninullave të zogjve.
Ngjitesh në majë të gishtërinjve, e krah ajri i vë dëshirimit, e vrunduj ere shkundin në ëndjen e këtij çasti, polenin e gjithë zjarreve të dashurisë, prushin e gjithë përpushjeve të dëshirimit. Ngjitesh në majë të gishtërinjve, i vë buzën buzës dhe provon se sa lehtë mund të ngjitesh në qiell, dhe sa bukur të zbresësh në prehjen e këtij caku, aty ku të presin mijëra vezullime që marrin zjarr përtej syve që mbyllen e zemrave që nxitojnë të matin kohën e trokut të një hazdisjeje.
Ngjitesh në majë të gishtërinjve, e ashtu mbetesh në përjetësinë e këtij shkasi ngasjeje. I prek buzët që derdhen mbi ty një pafundësi puthjesh që kurrë nuk i numëruam, ashtu si yjet që kredhin në ne dritëza përshkuese prekjesh e drithërim, që mbesin bulëza vese që përkundin agimet e bardha të dritës.
Ngjitu në gishtërinj e ndjej se sa nxehtë është në diell, se sa etje ka puthja për buzën, se sa epje ndez kjo pulitje që na bën me krahë e na shndërron në frymë.
Ngjitu atje ku nuk mund të zbresësh!