Mukades Çanga, “Mjeshtër i Madh” është një zë i rëndësishëm i traditës së pasur të këngës qytetare shkodrane. Vokali dhe forca interpretuese e saj kanë kaluar publikun shkodranë për të rrëmbyer interesim dhe ovacione, duartrokitje dhe vlerësime përtej.
Rrugëtimi saj, i “një vajzë e vogël çapkëne, shpalosi talentin e saj në moshën 9 vjeçare në aktivitetet që organizonte shtëpia e pionierit në atë kohë. Ky zë i bukur fëminor premtonte për një këngëtare të ardhshme, e cila jo shumë vonë hodhi dhe hapat e parë në skenat rinore të qytetit. Interpretimi i këngës së parë “Mori drandofilja e vogël”, nën drejtimin e violinistit, mjeshtrit Mark Kaftalli, befasoi specialistët dhe muzikantët e asaj kohe.” Ramazan Çeka.
Emri dhe kontributi që ajo dha me virtuozitetin interpretues, vokalin e fuqishëm dhe ngrohtësinë shpirtërore ku ajo përkundi një prej traditave më të pasura të këngës qytetar, bënë që ajo të renditet në kolanën e gjatë të atyre vlerave që e përfaqësuan dhe e ngriten në një nivel sfidues këngën dhe muzikën shkodrane, duke e çuar atë në kryeradhën e admirimit dhe vlerësimit nga ai publik që ka ditur që t’i presë me duartrokitje dhe ovacione dhe t’i përcjellë me vlerësime dhe mirënjohje.
Mukades Çanga, është gjithnjë në skenën e këngës, si në një arsye për të sfiduar vitet dhe për të frymëzuar brezat, ata që po e përfaqësojnë dhe denjësisht po e shpien në një gjeneratë të re traditën e muzikës qytetare shkodrane dhe këngën e bukur të këtij qyteti, krijuesve të pavdekshëm të këtyre brilanteve të skenës së këngës.
“Mjeshtër i Madh”, “Mirënjohje e Qytetit”, “Zonja e këngës popullore qytetare shkodrane”, janë jo vetëm trofetë që ajo fitoi në sfidat e konkurrimit dhe prezantimit por edhe në jetëgjatësinë që ajo ju dedikua këngës shkodrane dhe jo vetëm, duke e prezantuar denjësisht.