Për shkak të natyrës së ndërlikuar dhe të vështirë për t’i interpretuar, përkufizimet për dashurinë janë shndërruar shpesh në klishe. Por, në shumë raste ato janë kthyer në përgjithësime universale, të cilat i gjejmë në thëniet që i kushtohen dashurisë, duke filluar ndër të tjera me frazën e Virgjilit “Omnia vincit amor” (Dashuria triumfon mbi gjithçka); apo me vargun e Dantes në mbyllje të poemës Komedia Hyjnore: “l’Amor che move il sole e l’altre stelle”. (Dashnija, që lëviz diell e yj të vezullueshëm, përkthyer nga Pashko Gjeci, Parajsa, f.188) ; thënia e Cervantes-it “Lufta dhe dashuria janë njëlloj”, apo e Tolstoit “Të gjitha dashuritë janë të lumtura”, deri te e famshmja: “Dashuria të bën të verbër” etj. Sipas studimeve, dashuria është një ndjenjë dhembshurie dhe besnikërie shpirtërore kundrejt një personi tjetër.
Gjithsesi, ky konceptim i specifikuar i dashurisë përbëhet nga një sferë e gjerë ndjesish që shkojnë nga dëshira e rrëmbyer dhe dashuria romantike, tek afërsia pa seksualitet ose dashuria platonike dhe gjer te përkushtimi shpirtëror fetar. Nën këto forma të ndryshme dashuria vepron si një faktor madhor në marrëdhëniet e shoqërisë dhe zë një vend qendror në psikologjinë njerëzore.
Kur dashuria përjetohet me fuqi të madhe, flitet për një pasion dashuror e që për të dhënë ndikimin që ajo ushtron në mendje dhe zemër, shpeshherë përdoret imazhi i flakës apo i djegies dhe sidomos i helmit (U bë verem nga dashuria.). Kur pasioni dashuror shkakton njëjtësim me personin tjetër, kur ajo i bashkon të dy të dashuruarit ngushtë, flitet për dashuri që i shkrin dy dashuritë në një të vetme. Shfaqja e dashurisë së pasionuar në mënyrë të shpejtë, në gjuhën e përditshme quhet dashuri e papritur, rrufe, tronditëse, në frëngjisht thuhet coup de foudre, që nxit sjellje të përcaktuara për të joshur qenien e dashur dhe që synon të fitojë dyanshmërinë e kësaj ndjenje. Ajo shprehet me veprime dhe gjeste dashurie, të cilat pjesërisht janë praktika dhe gjeste kulturore. Ato, veç kësaj studiohen nga antropologjia, sociologjia dhe filozofia, të cilat i shohin si konceptime të dallueshme dhe të dukshme për epoka të caktuara historike. Ka edhe një numër të madh çrregullimesh psikike që lidhen me dashurinë e me të cilat merret psikanaliza.
Historia, filozofia dhe besimi (po ashtu edhe teologjia e lidhur me të) kanë medituar shumë për fenomenin dashuror, burim i përhershëm frymëzimi për artet plastike, letrare dhe muzikore, duke përmirësuar kuptimësinë tonë për natyrën dhe funksionin e dashurisë. Termi dashuri është përdorur që në kohërat antike. Në mendimin platonician dashuria është parë si një pasion i kobshëm, por edhe një “marrëzi hyjnore” që është “shkaku i të mirave më të mëdha për njeriun”.
Në vitet ‘60, sipas një reviste amerikane lidhjet dashurore shpreheshin me tri fjalë: “love” (ndjenjë dashurie); “sex” (seks), marrëdhënie pa gjykuar paraprakisht ndjenjat, të pranishme ose jo dhe “fun”, shkëmbim marrëdhëniesh ndërseksuale që shkojnë nga flirti në lidhje më të thella, pa ndonjë zotim as nga njëri dhe as nga tjetri për martesë. “Peace and Love » (“Paqe dhe dashuri”). Kënaqësi që sjell mungesa e dhunës, joshje, erotizëm (zbavitje seksuale), këto numëroheshin si gjëra pozitive të kohës së re në atë revistë. A është njeriu burimi dashurisë që përjeton apo dashuria është një ndjenjë e natyrshme që i imponohet? Filozofi Baruch Spinoza që është marrë shumë me këtë çështje, veçanërisht te libri Etika, e përkufizon kështu: “Dashuria është gëzimi i shoqëruar me një shkak të jashtëm ; […] Ai që dashuron përpiqet domosdoshmërisht të jetë i pranishëm dhe ta ruajë për vete gjënë që do”. Filozofi Leibniz i jepte këtë përkufizim dashurisë: “Të dashurosh, do të thotë të ngazëllohesh për lumturinë e tjetrit”. Filozofi tjetër misozhin (misogine, që i përçmon gratë), Arthur Schopenhauer ka shkuar larg kur thotë se “dashuria është një iluzion i Vullnetit (thelbi i çdo gjëje sipas tij) që kërkon të përjetësohet nëpërmjet riprodhimit”. Në fakt, ligjërimi që përuron filozofinë e dashurisë është libri Banketi i Platonit. Ky dialog filozofik mbledh disa të rinj të shquar të kohës, disa prej të cilëve janë nxënës të zjarrtë të Sokratit, te shtëpia e një poeti tragjik që ka fituar një konkurs. Sipas një radhe të konceptuar mirë nga autori, ata i thurin lëvdata perëndisë së dashurisë dhe nëpërmjet tij dashurisë. Ligjërimi hapet dhe mbyllet me temën e dashurisë, por dashuria njerëzore në fund zëvendësohet nga dashuria hyjnore. Secili flet sipas radhës. Le të sjellim si shembull diskutimin e Aristofanit, komediograf i njohur, i cili ndryshe nga ata që kanë diskutuar para tij, flet për vuajtjet që sjell dashuria. (Në komedinë Zogjtë ai ka folur për mjerimet e dashurisë). Ai e nis ligjërimin me mitin sipas të cilit “në fillim ekzistonin burri i dyfishtë me origjinë diellore, gruaja e dyfishtë me origjinë tokësore dhe androzhini (njeriu i dygjinishëm), me origjinë hënore. Në këtë kozmos origjinal këto qenie primitive kishin një formë të përkryer, krijonin një objekt të rrumbullakët, domethënë një të tërë të qëndrueshme e të plotë. Ato zhvendoseshin në hapësirë duke u hedhur dhe një ditë deshën të sfidojnë edhe zotat në Olimp. Zeusi i shqetësuar, sepse nuk donte as t’i zhdukte këto qenie njerëzore dhe as t’i bënte lëshime gabimit të tyre, e gjeti zgjidhjen: i ndau më dysh dhe ngarkoi Apollonin të merrej me shërimin e plagëve. Kështu të përgjysmuara ato mbetën në kërkim të përhershëm të gjysmës tjetër. Prandaj në gjuhën e përditshme thuhet edhe “gjysma ime, kur njeriu ka gjetur vërtet harmoninë shpirtërore në dashuri”. Pra, sipas këtij miti, dashuria është kërkimi i përjetshëm i lidhur me një mungesë”. Sokrati, që është në qendër të thuajse gjithë dialogëve të Platonit, dëgjon në heshtje. Në fund atij i kërkojnë të marrë fjalën. Dhe ai me qetësinë që e karakterizon dhe me bukurinë e arsyetimit, tregon atë që i ka thënë në mirëbesim e urta Diotimë (Diotima e Mantinesë është një priftëreshë dhe profete që luan një rol të rëndësishëm në këtë dialog). Sipas saj “dashuria nuk është as delikate dhe as e bukur, as e ditur dhe as e paditur, as e vdekshme dhe as zot. Ajo është një qenie e ndërmjetme, një demon. Natyra demoniake e Erosit shpjegohet me mitin e lindjes së tij në ditën e martesës së perëndeshës Afërditë, si mishërim i dy të kundërtave: nëna e varfër, një shërbëtore dhe babai i pasur, një i ftuar. (Një mit që sakrifikom lindjen e Erosit). As i vdekshëm, as zot i pavdekshëm. demoni dashuri është i dhënë pas pavdekësisë; i vendosur midis urtisë dhe paditurisë, ai është i etur për dijen, ashtu si është i prirur ndaj bukurisë dhe pavdekësisë. Gjithë qëllimet e tij i përkasin një horizonti të vetëm ontologjik drejt të cilit shkon dashuria”. Pas ligjërimit të Sokratit, Alcibiadi me një kurorë vjollcash në kokë, në krye të festonjësve i bën lëvdata Sokratit për zgjuarsinë e tij, një nga më të mrekullueshmet që ka ekzistuar ndonjëherë. “Të zhbirosh misterin e dashurisë, do të thotë të qartësosh misterin e Sokratit, medium mes idealit transcendental të urtisë dhe realitetit njerëzor”, thotë ai. Atëherë Sokrati shton se kur sytë e humbin mprehtësinë, vizionet nisin dhe qartësohen.
Dashuria është magjepsja pas tjetrit. Ajo është njëherësh lumturi dhe vuajtje. Dashuria nuk është si qeniet që kur lindin janë të brishta. Ajo është që në zanafillë e fuqishme dhe çdo ekzistencë që preket nga dashuria shndërrohet në instrument të saj. Kur është fjala për dashurinë gjithnjë përmenden shkrimtarët, poetët dhe mendimtarët Ovid, Dante, Shakespeare, Rousseau, Diderot, Goethe, Voltaire, Stendhal, Romain Rolland, Neruda, Octavio Paz, Bataille, Pascal Quignard e të tjerë që e kanë trajtuar gjerësisht këtë temë në veprat e tyre. Ata kanë shkruar se te njeriu ndjenja e besnikërisë “romantike” vë në lëvizje disa struktura të menduari speciale. Gjendje psikike me përjetime të fuqishme, të shkaktuara nga pasionet dashurore janë në origjinë jo vetëm të krijimit në arte, në poezi dhe letërsi, por edhe të tronditjeve individuale (përpjekje vetëvrasjesh, vetëvrasje, krime të rrëmbyera), ose shoqërore (sipas legjendës, lufta e Trojës nisi për shkak të Helenës që e rrëmbeu princi Parid etj). Dashuria nuk ndryshon thelbësisht në kultura të ndryshme njerëzore. Parada e joshjeve mbetet e njëjtë në Afrikë, në Lindje, në Europë, në Amerikë apo në Australi. Është më tepër qëndrimi ndaj gruas, ndaj femrës në përgjithësi, shtypja e së cilës vazhdon ende sot e kësaj dite që shfaqet me mënyra të stërholluara në disa rajone të botës. Megjithatë, disa hollësi mund të vihen në dukje. Etnolinguistika dhe antropologjia linguistike e studiojnë shkencërisht raportin mes njeriut dhe dashurisë. Etnolinguistika tregon, për shembull, se në kultura dhe shoqëri të ndryshme dashuria shprehet edhe me terma dhe gjeste metaforike. Por nëse shkojmë përtej gjuhës dhe hyjmë në ligjërimin konkret të dashurisë, aty mund të jetë si model edhe një individ i vetëm, i cili mishëron gjuhën dhe kulturën e vendit të vet. Në mënyrë paradoksale, dashuria është shoqëruar edhe me ndalime të mëdha dhe akti më i natyrshëm në botë, riprodhimi që i përgjigjet dashurisë së zemrave, ashtu si edhe funksione të tjera trupore, janë shoqëruar nëpër shekuj me qëndrime të ashpra e fyese, si në nivel gjuhësor, ashtu edhe në atë të sjelljes. Në disa shoqëri ka ende tabu që lidhen me dashurinë. Shumica e besimeve fetare e kanë quajtur si të dëmshme për jetën e individit kënaqjen e dëshirave përmes dashurisë, madje disa besime fetare e quajnë atë mëkat. Jo rrallë është folur dhe flitet me përçmim për dashurinë, sidomos në shoqëritë e prapambetura. Kurse ligjërimi i përditshëm shpeshherë dashurinë grua-burrë e shndërron në një çështje të thjeshtë kënaqësie trupore. Psikologët kanë arritur në përfundimin se zgjedhja e partnerit vjen nga një baraspeshë e hollë mes tërheqjes së vetëdijshme dhe kulturore (shije apo pasione të përbashkëta, shkallë ligjërimore, pasuri, sjellje shoqërore etj.) dhe tërheqjes së pavetëdijshme (ose natyrore fizike) dhe kjo është ana më e bukur e lidhjes dashurore. Në çdo epokë, dashuria si dëshirë ka frymëzuar artistë të të gjitha fushave krijuese. Është një temë e madhe e kohëve që përsëritet e që ka të bëjë me çështje universale, me lindjen, jetën, vdekjen. Në pikturë dhe skulpturë janë paraqitur situata dashurore, nisur nga simbolika apo edhe nga alegoria që kanë bërë të ndërfutej personazhi mitologjik. Bie fjala Erosi (ose Kupidoni), zot i dashurive profane shpesh është paraqitur në skena si subjekt kryesor ose si personazh dytësor për të kujtuar praninë e simbolikës së dashurisë. Fëmijë apo i ri, i urtë apo tekanjoz, me flatra, ai mban një hark me të cilin nis shigjeta në zemrat njerëzore, dhe iu jep atyre dashuri apo u zgjon dëshirën për dashuri. Skenat më të përfaqësuese janë dashuria e Erosit për Psikenë, fitorja e dashurisë mbi veprat njerëzore (për shembull versioni i famshëm i Caravaggio-s për luftën midis dashurisë profane dhe dashurisë së shenjtë). Afërdita (ose Venusi), perëndesha e dashurisë, i ka frymëzuar shpesh piktorët, sidomos për episodin e lindjes së saj. Ajo shfaqet në botë, duke dalë nga shkuma e detit (për shembull versioni Botticelli-t Lindja e Venusit mund të numërohet mes më të shquarve). Jeta dashurore e stuhishme e Zeusit (ose Jupiterit) është bërë objekt i tablove të shumta si rrëmbimi i Ledës, i Europës apo i Ganimedit etj. Dashuria dhe jeta e një gruaje, titullohet një suitë me tetë melodi e Schumann, e kompozuar mbi poemat e Chamisso-së, Dashuritë e poetit, është një cikël muzikor me 16 melodi, kompozuar prapë nga Sschuman, Dashuria magjistare titullohet një kompozim muzikor për balet nga spanjolli Manuel de Falla, i cili thekson karakterin tekanjoz të dashurisë etj. Elegji, mungesa e dashurisë, William Bouguereau. Edhe letërsia ka pasqyruar përmes prirjeve të dashurisë epoka të ndryshme, duke filluar nga hyjnitë mitologjike deri te dashuria realiste. Dashuritë, titullohet një përmbledhje poetike e Pierre de Ronsard, botuar që më 1566 në Francë, Dashuritë e Tristanit, titullohet në përmbledhje e poetit Tristan l’Hermite, më 1638. Poema e gjatë Romani i Trojës (Roman de Troie) e tregon historinë legjendare të luftës së Trojës, jo sipas grekëve, në poemën Iliada, por sipas Trojanëve, dhe i jep rëndësi të madhe dashurisë së pasionuar të Akilit për motrën e Hektorit, armikut të tij. Meqë nuk arrin të fitojë dorën e saj, ai hidhet në një betejë të tmerrshme kundër trojanëve dhe vritet. Goethe-ja në Vuajtjet e Verterit të ri flet për dhimbjet që të shkakton një dashuri e pamundur. Historitë e mëdha të dashurisë në letërsi si Tristani dhe Izolta, Romeo dhe Zhuljeta, Ulisi dhe Penelopa (Odisea është quajtur romani blu i dashurisë) si dhe shumë vepra të tjera, të cilat janë krijuar gjerësisht sidomos në periudhën romantike. Veç kësaj, në letërsinë e sotme kanë zënë vend edhe skena të shumta nga jeta e përditshme deri te dramat e dashurisë. Arti poetik me sonetin dhe këngën kanë qenë dhe mbeten mjete të parapëlqyera të shprehjes me fjalë të dashurisë, përveç letërkëmbimit dashuror, që është trajtuar në vepra si: Julie apo Heloiza e re, roman epistolar i J.-J. Rousseau-it etj. Dashuria është një nga faktorët që mund ta shtyjnë një individ të bëhet besimtar. Aty rreth vitit 1602 Baglione realizoi tablonë Fitore e dashurisë së shenjtë mbi dashurinë profane. Parimi themelor i krishterimit, dhe i shoqërive judeo-kristiane mbetet nocioni fetar i dashurisë për Zotin. Në budizmin Mahayana et Vajrayana, dashuria është një nga katër cilësitë e qenies që zhvillohet e përsoset. Ajo është një nga “Katër të Pafundmet” ose “Katër të Pamatshmet”: dashuria, mëshira, gëzimi dhe barazia shpirtërore. Tibetianët e përkufizojnë dashurinë si një urim lumturie për tjetrin; urim për fundin e vuajtjes së tjetrit; si pjesëmarrje në lumturinë e tjetrit; një fakt për të qenë i vëmendshëm për tjetrin. Këto cilësi dashurie lidhen edhe me mençurinë, të kuptuarit e natyrës reale, objektive të fenomeneve. Për Islamin, dashuria konkretizohet së pari në kuadrin e martesës. Sot në shumë shoqëri të emancipuara vështrohet si një fenomen mes të tjerëve dhe dashuria homoseksuale, e cila është vërtetuar që në shoqëritë antike. Nga pikëpamja psikologjike, dashuria midis homoseksualëve nuk ndryshon shumë nga dashuria heteroseksuale. Érasti dhe Éromèni, detaj nga një vazo antike e shekullit V para erës sonë në muzeun e Luvrit. Edhe interneti i ka ndryshuar disi marrëdhëniet dashurore në botë. Ai i ka lehtësuar takimet në largësi dhe shumë çifte nga vende dhe kontinente të ndryshme janë krijuar si rezultat i kësaj mënyre të re komunikimi dashuror. Dashuria është pasioni më i fuqishëm dhe ndjenja më e vërtetë në jetë. Ajo është aventura më sublime dhe hapja më e madhe ndaj të ardhmes. “I dashuri im i bardhë e i kuq…Me kryet ar të pastër”, shkruan Kënga e Salomonit. Pasi ka njohur dashurinë njeriu ka një tjetër vizion për botën. Ai e rikrijon jetën sipas një ritmi të panjohur më parë dhe zbulon harmoninë e shpirtit dhe të trupit. Alegoria e dashurisë është zakonisht zemra. Zemër e shqyer mes përmes nga shigjetat e pamëshirshme. Dashuria nuk është si qeniet që kur lindin janë të brishta. Ajo është që në zanafillë e fuqishme dhe çdo ekzistencë që preket prej saj shndërrohet në instrument të saj. Dashuria e dhembshuria i japin njeriut një pamje romantike. Ndonjëherë ato e ngrenë në lartësi të paimagjinueshme dhe e shpien larg gjërave tokësore. Ato e bëjnë atë edhe poet. Petrarka u bë poet në sajë të dashurisë së jashtëzakonshme që ndjeu për Laurën. Dante e deshi Beatriçen deri në fund të jetës. Ajo qe një dashuri ideale, dashuri e mistershme që i dhuroi njerëzimit një poet të madh e një vepër poetike hyjnore. Fryma e dashurisë është oqeanike. “Dashuri që i rrëmben aq shpejt shpirtrat e brishtë/Dashuri që kërkon pareshtur dashurinë e atij që do … / Dashuri që na çon madje gjer në vdekje”; Dashuri me rrugë të vdekura; dashuri e paarsyeshme; dashuri për t’u ndalur në arrati; dashuri prej peme; dashuri e kaltër; dashuri, lindje e parafundit në rrugën e vdekjes… shkruajnë poetët. Dashuria është sekreti më i bukur njerëzor. Miti i Erosit, Zot i dashurisë, që godit zemrat me shigjetë dhe i Psikesë që bie në dashuri me të, ka udhëtuar në shekujt artistikë dhe do të mbetet në kujtesë si simbol i dashurisë së përjetshme…