Anxhela Valiasi, ti që ke pranu me i than PO një shpirti lutës, n’mrekullimin qi bjen me krahë flutrash, e ngre në qiell me za eteri dashnia, ban gojret e ndigjomi dy fjalë, si prej vëllai.
Un besoj te PO-ja jote, n’zemrën e ndezun e mylmyem me tan amëlcim. Po, du me besu, se ai, t’cillit i the po, e nesër ke me guxu me u betu me te, para nji autoriteti t’shenjt, asht bashkëudhtari n’rrugën tande drejt andrrës, por edhe miku jem i mirë, e bash fort i çmuar, Lidion Liridon Mulaj.
Na lidhi n’kthjellim mirësia dhe krijimi, e shtoi fisnikria dhe ajo që e bukuron dhe e mbron nji miqsi, sinqeriteti. Ndaj motër, lejom t’tham kështu, po t’baj me dit, që ke ken me fat, qi jeta t’shpërbleu kësisoj, me këtë mundësi, t’cillën duhet ta pranosh, ta mëkosh dhe ta mbrosh, si të shtrenjtë, ngase e till asht, sot, e ka me ken gjithmon.
Banju krah n’fluturimin e tij, e n’se s’mundesh, mos ju ban pend i shkulun, qi ka me i ken barr andrrave dhe ngulmeve t’shpirtit krijues. Njatij ngulmi ogurmir’, qi skaj më skaj ka me me e përshku horizontin, me njat hov lirie, qi edhe ty ka me t’ba me u ndi si tue jetu andrrën.
Ndoshta ai s’ka me ken tanaheret i mir’, siç kurrkush s’asht, edhe pse t’tan e pohojnë zashëm dhe e pranojnë pendushëm, por thellë ai mbrun atë mirësi, atë dritë, qi shndrin në çdo çast, e ka me ju ba udhërrëfyes ditëve tuja t’mira e t’vështira.
Besoje si veten tande edhe atë, atë që të ka thirr në kyt solemnitet, pranoje si n’gabim njashtu edhe n’faje, se pahiri ka me u rrëzu, i penduem dhe i përulun, e me u çu fal faljes tande dhe shpagimit t’shpirtit tand, ma detyrues n’besim e n’mrekullin, me t’cillin jeta na vë në provë dhe na ban m’fort.
Mos prit se jeta me nji krijues, ka me ken si t’ecësh në një kopësht me lule, tue ndigju cicërima zogjsh, apo tue lyp krahë flutrash me i ra pash më pash harbimit të pranverës.
Ka me ken disi ma ndryshe, tjetërçka ngase mund ta kesh thur n’andrrat tuja. Mundem me than, se ka me ken, shumë ma ndryshe ngase e mendon, por e paimagjinueshme ngase mund ta perceptopsh, ka me ken diçka e ngjashme me atë mbramje magjike kur ti the PO nji lutje dashnie për dëshirim jete bashkëshortore. Ka me ken si vetë jeta, por ma e dukshme, ma e ngjyrshme, e sheshtë dhe e mraztë, sfiduese dhe shpërblyese.
Përpiqu me ken ç’ka dashnia jote din dhe mundet, dhe… askush, sikurse ai ti, nuk ka me besu se si asht t’jetosh me një poet, me nji krijues, me një shpirt t’pasun, me nji zemër t’ndishme, me nji mendje t’dritshme.
Ti që i the PO ftesës për bashkëudhëtar në jetë, Liridon Mulaj, mikut tem të çmuem, beso në njat pohim dhe përpiqu çdo ditë me e ushqy atë altar me përulësi dhe përkushtim, me devotshmëri dhe sakrifikim, dhe… ke me ken e mbushun plot mirësi.
Sepse gjithçka e bukur n’jetën tonë vjen nga dashnia, vjen nga ajo që ne mëkojmë me tan shpirt, nga ajo që besojmë me gjithë zemër, dhe… jena gati me ba gjithçka, qi kjo mundsi të jetë një realitet i çdoditshëm.
Nesër ke me ken bashkëshorte, me bekim të t’madhit Zot, Nan, vështirësitë kan me ken gjithnji e ma t’forta dhe fitoret përher edhe ma gazmuese.
Jeta ka me rend nëpër nji zgjatim qi sa i ma larg t’shkoni aq ma e vështirë bahet, ngushtohet shtegu, vështirësohet ecja, randohet barra. Ka me pas pengime e ndalime, idhnime e hatërmbetje, dakordësi dhe kumbime t’njizashme. Keni me pas sprova, qi ma shumë si sfida të jetës, kan me ken prova të besimit, se sa e meritoni njani-tjetrin, se sa keni nevoj për njani-tjetrin, edhe atëherë kur nuk keni me ken ma t’ri, kur nuk keni me ken ma t’hareshëm, kur nuk keni me pas rreth e rrotull kësi atmosferash llamburitëse e solemnitetesh dehëse. Keni me dit me qëndru në kamb e me u ndesh me jetën.
N’se s’ke me mujt me ken gjither e rrethueme nga mrekullitë e dëshirimeve, me izëm t’Zotit, brenda jush ka me drit gjithher; ai yll qi ju shndrin n’sy, ai vezullim qi ju shpërthen n’buzëqeshje, ajo dashni që ju vlon në gjak.
Bane t’lumtun njat shpirt, dhe… ke me pa me syt e tu, me përjetu me shpirtin tand e me ndi me njat zemër, se ç’ka asht n’gjendje me ba dashnia.
Zoti i past beku zemrat tuaja që lidhen n’kyt vullnet t’epërm dashtunie!
Miqësisht, Albert Vataj