“MOTRA TONE” DHE “MONA LISA”,
DY KRYEVEPRA PERBALLE NJERA-TJETRES
Çfarë të përbashktash kanë, pikturat, ose autorët e tyre?
Ndjesitë që përcjellin këto emblema të mjeshtrave të penelit, këto dedikime që sa herë i përcjellim na shtangin. Enigmat gojëkyçin këto mjeshtri të kumtimit, pas këtyre tablove?
Spariherë këto kryevepra kanë të përbashkët trandjen e moshës së saktë. Ngërthyer janë atëditë e tash në pikëpyetje, se kur erdhi në jetë sejcila prej tyre.
Nëse për “Motra Tone” ka një datë të shënuar në të dhe është 2 fruer (shkurt) 1883, e dyshuar si e pasaktë,
orvatet mes viteve 1503- 1504-1516.
Hulumtues të shumtë në të dy rastet nuk kanë reshtur të grumbullojnë dëshmime dhe të dhëna, por pa mundur të përcaktojnë përfundimisht datëlindjen e saktë të këtyre punëve emblematike të korifejve të penelit, dhe jo vetëm, Kol Idromeno dhe Leonardo da Vinçi.
Të pakundërshtueshme si pika referimi të pranuara nga të gjithë dëshmitarët, janë edhe viti i lindjes së Tones (1859), dhe i vdekjes së saj (1890). Këto të dhëna përforcohen edhe nga fakti tjetër i njohur se ajo ndërroi jetë në moshën 31-vjeçare. Po ashtu, një pikë tjetër referimi e besueshme është akti i martesës së Antonieta Idromenos (Tones) me Andrea Skanjetin (Scagnetti) që gjendet në Regjistrin e Martesave të qytetit të Shkodrës në gjuhën italiane të viteve 1848-1884, ku rezulton se Andrea Skanjeti (Scagnetti) është martuar me Antonieta Arsen Idromeno në datën 20 maj 1877. Dëshmitarë martese kanë qenë Pietro Tonietti dhe Sciani Catrina.
Parë në rrafshin estetik, ngulmit të trajtimit të gjestikulacionit, plastikës dhe trajtës komunikuese që duart, orvaten të kumtojnë, si te “Mona Lisa” ashtu edhe te “Motra Tone”, ky detaj është i një rëndësie primare në harmonizimin e të gjithë ansamblit të elementeve përbërës të pikturës.
Afria jonë e këtyre veprave, jo domosdoshmërisht e pranuar nga qarqe akademike dhe ato kritike, përnga trajtimi i këtyre, qaset përnga e vetvetishmja, vullnesë që personalizon kuptimsinë që kanë detajet, pozicioni i duarve, në të dy këto kryevepra.
Pozimi dhe pozicioni i duarve janë shumë domethënëse si te “Mona Lisa” ashtu edhe tek “Motra Tone”. Vepra e Da Vinçit është trajtuar dhe debatuar, shtjelluar dhe aluduar në këtë prizëm dhe gjithnjë ka ende për të parë, ende për të thënë.
Pozicioni i duarve është një prej treguesve dhe dëshmive më të patjetërsueshme se “Motra Tone” në momentin e pozimit ishtë në një gjendje tepër të vështirë, kapluar prej një përjetimi që kërkon të derdhet prej vetes vrerin nëpërmjet qëndrimit, nëpërmjet shikimit. Buzët e tkurrura, portreti i tendosur, janë një peshë të cilën ajo e mban, ndoshta për të fundit herë në një kumtim, pasi sipas dëshmitarëve ajo asokohe ka qenë e sëmurë, e “dënuar me vdekje”.
Ruba e bardhë që derdhej përposhtë duke lënë zbuluar një fragment nga ballina e flokëve të thinjur, “kafshohej” prej dy gishtave të saj, si në rastin e motrës Tone. Mbamendem se kjo prehje nëne, që do ta quaja emblematike, ngucej prej hidhërimeve, barrëse së rëndë të jetës, ballafaqimit me të trishtën, më zemërthyerjen, e cila shprehej edhe nëpërmjet vështrimit, syve që notojnë në lot që nuk bien.
Kol Idromeno duke e pasuruar galerinë e tij me pikturën “Motra Tone” gjeti mundësinë që krijimet e tij të fitojnë pasuri koloristike, dritë kontrast, sugjestion dhe emocion të veçantë, elemente këto që u bënë gama përcaktuese e vlerave të këtij peneli. Tiparet shprehëse të Motrës Tone, karakteristika dalluese e thellësisë shpirtërore që mëkon ky moment i jetësuar në këtë punë, parakalojnë gjeneratave me të njëjtën aftësi depërtuese, me të njëjtën qasje komunikimi brendandjesor, me të njëjtën ëndje leximi dhe zbërthimi botëkuptimor.
Veshja te “Motra Tone” është një nga vlerat e padiskutueshme, duke i dhënë një prezencë dhe sugjestion këtij portreti. Kjo padyshim është vepra më e rëndësishme, e cila ka fituar një status të veçantë në sistemin e vlerave te artit tonë. Sepse është vepra më e njohur, më e ekspozuar,më e riprodhuar dhe më popullore. Është “Motra Tone” ajo që identifikon Kol Idromenon, siç është “Mona Lisa” ajo që na lidh pazgjidhshmërisht me mjeshtrin e Rilindjes së Artë, Leonardo da Vinçi.
Mona Lisa është ndër pikturat më të famshme të kryzotit të mendimit, sprovës dhe penelit, Leonardo da Vinçit. Leonardo një nga piktorët më të mëdhenj të Rilindjes italiane, e kishte realizuar pikturën në vitin 1504. Mona Lisa është portret i gruas së fiorentinasit të pasur Francesco del Gioconda. E njohur edhe si La Gioconda, piktura tregon një grua, portret, me një shprehje enigmatike të fytyrës që është njëherash edhe e ftohtë edhe tërheqëse.
Kjo afri është thjeshtë një dëshirim për ti parë këto dy vepra përballë njëra-tjetrës. Ata mund të mos kenë fare ngjashmëri dhe nuk ka asnjë qasje që të kenë, por trajtimi i pranëepranshëm i tyre, na përafron nga dëshirimi për të gjetur një Mona Lisë edhe në pikturën shqiptare. Dhe Motra Tone e Idromenos është një rast me të cilin dakordësohemi se vlen për ballafaqim. Parë në rrafshin kritik ata kanë jo vetëm vite në mes, kanë jo vetëm mjeshtra dhe teknika të realizimit, por edhe mëtimësi shprehëse. Ata janë të ndara dhe ashtu do të mbeten. Janë kryevepra dhe të tillë e kanë edhe statusin e tyre. Neve, ashtu siç na lind e drejta për t’i parë pranë e pranë njëra-tjetrës, kemi legjitimitetin për të hequr edhe paralelet e krahasimit. Secila më vete dhe të dyja së bashku, gjithsesi, ata janë shumë, shumë të bukura, shumë shprehëse dhe fshehin nën nënlëkurën e tyre botë të ndara dhe përjetime që i bashkojnë, mjeshtra të mëdhenj në magjinë e artit.