Nga Albert Vataj
“Romania mëshiruese” është historia e një gruaje të quajtur Pero, e cila fshehurazi e ushqeu me gji babait të saj, Kimon, i dënuar me vdekje nga mosushqyerja. Pas autoritetet u vunë në dijeni nga rojet që e kishin përgjuar bijën Pero, fitoi bujaria dhe sakrifica vajzës dhe i ati i saj Kimon u fal.
Historia përshkruhet në veprën e një shkrimtari romak në shekulli 1 pas Krishtit, saktësisht nga Valerius Maximus , në “Factorum dictorumque memorabilum”, Libri IX . Legjenda vjen nga burime më të hershme helene dhe u portretizua shpesh në afresket dhe vepra arti.
Në historinë e artit një galerinë e pamatë punësh, të cilat gjenden në çdo muze të botës, ndodhet një punë që ka jetësuar këtë ndodhi, këtë mit. “Romania e mëshirshme” ose “Mirëbërësja romane” është një shembull vetëmohimi dhe sakrifice, që ka udhëtuar nëpër kohë, duke ngacmuar papushim imagjinatën e artistëve dhe doke shokuar kundruesit e këtij akti sublimimi.
Mes të vërtetës dhe legjendës, mes mitit dhe trillit, Pero dhe ati i saj Kimon, qëndron stoik në përfytyrimin e shumë ëndjeve ngjethëse dhe përjetimeve gjalluese, në një vendosmëri të pamëdysht, sfidues dhe dëftues, rrëfyes dhe jetësues, përfshirëse dhe kumtuese. Ajo ishte e denjë për përjetësi dhe kush më dinjitetshëm se sa gjenitë e tablosë, mjeshtrat e penelit do ta bënin atë të përgjithmonshme. Gjiri i asaj bije, vetëmohimi i asaj vajze, vijon të mëkojë ndjesitë tona delikate dhe të nxit forcat tona të përgjumura, për t’iu dhënë sakrificës si të vetmit dimension prej të cilit ne rrokim përjetësinë.
Të shumtë janë ata që e përfshinë mirëbërësen e mëshirshme Pero dhe babain e saj Kimon në galerinë e tyre krijuese, por ata që janë emblematik në këtë ngulm shprehish estetike janë; Rubens , Caravaggio, Dirck van Baburen, Charles Mellin, Bernardino Luini, Giovanni Antonio Pellegrini, Jan Janssens, Jean-Baptiste Greuze, Matthias Meyvogel, Giovanni Antonio Galli , Carlo Francesco Nuvolone , Johann Zoffany.
Ata dhe të tjerë, njëjtë e lexuan këtë mit, njëjtë e shprehen këtë sakrificë, njëjtë i dhanë botës përmes penelit, përfytyrimin e një realeje që ende përpëlitet mes të vërtetës dhe trillimit, mes mitit dhe legjendës, për të mbetur monument në kujtesën e gjeneratave dhe shembull simbolik i asaj që një bij mund të sakrifikojë për atin e saj, sepse ajo nuk është vetëm nënë, është po kaq e shenjtë edhe si bij.