Nga Albert Vataj
Secili e fillon ditën me një falënderim.
Zoti është Ai që meriton mirënjohjen tuaj, dhe vetë madhështia e kësaj përuljeje lëvduese e shndërron veprën tuaj në një qëllim dhe përkorjen në një akt fisnikërimi.
Ndoshta ne shpesh nxitojmë, dhe ndërsa rrekemi të kapemi pas fijeve të padukshme të ritmit të jetës kemi harruar të thërrasim prej vetes sonë vullnetin e mirë të mirënjohjes. Por shumë shpejt hapat na shpien gjithnjë te një cak shkundullitës, përnjëherësh zë e përmendesh, sheh nga dritarja e makinës, e autobusit, vendit ku ndodheni, apo zyrës së punës… dhe një dritë e bardhë që vështron plot ndriçim dhe kureshti gjithçka prej mendimin tënd falënderues, i bëhet prehër kësaj përzemërsie e këtij blatimi të themeltë të falënderimit.
“Shumë njerëz që e organizojnë jetën në mënyrë korrekte në të gjitha fushat e tjera, mbetën të varfër ngaqë u mungon mirënjohja. Praktikimi i përditshëm i mirënjohjes është një prej rrugëve nëpërmjet së cilës do të arrijë pasuria jote”, thotë pozitivisti, Wallace Wattles.
“Ji mirënjohës për atë që ke tani. Kur fillon të reflektosh për gjërat e jetës tënde për të cilat je mirënjohës, do të mbetesh i habitur kur të zbulosh se sa shumë janë ato. Vetëm duhet të fillosh, pastaj ligji i tërheqjes do t`i marrë mendimet mirënjohëse dhe do të të sjellë shumë të tilla. Atëherë do të jesh në frekuencën e mirënjohjes dhe të gjitha gjërat e mira do të jenë të tuat” nënvizon, Rhonda Byrne
Mirënjohja, pse ajo është kaq shprehëse dhe forcë shtytëse e nevojës sonë për të besuar në një pushtet sovran të atyre energjive, që i bëhen krah qëllimeve tona dhe altar asaj që na grish në besim. Keni provuar se si ajo buron nga një thellësi e shpirtit dhe mendjes, nga aq thellë sa asnjë ndjenjë e jona nuk merr shkas formalizimi. E shprehim mirënjohjen me zë e me zemër, me sy e me përjetim si një shkëmbim që na rikthen besimin, atje ku ka nisur të lëkundet gjithçka nga themeltë. Davarit mjegullat e dendura të vetmisë dhe mëdyshjeve të dëshirimit, si me dorë. Ti e shpreh dhe e ndjen si një lehtësim i gjendjes së rëndesës, i gravitetit. Të duket se je gati të fluturosh, të meritosh gjithçka si ajo që mendoje se nuk ishte jotja, apo se dikush ishte aq zemërgurë e i lig, sa gatitej të ta merrte. Ijë mirënjohës dhe do të marrësh prej atij bekimi që ka larë në brerore shenjtërimi atë që fati e ka shpërblyer të jetë bërës i së mirës, dhënës i të mundshmes, blatues i së lartësuarës në flijim.
Ne e shprehim këtë përulësi që na lartëson në besim dhe na mbush me dritë qoftë edhe duke shkëmbyer një etiket mirësjellje, bashkëngjitur me një buzëqeshje të ngrohtë dhe një hir që rrezaton. Si pa kuptuar prej jush ka shpërthyer vezullimi i një dielli, që ka mbushur me jetë dhe motivim lëvizjet e penduara dhe zhvendosjet zvarritëse të atyre, me të cilët këmbyet fjalë dhe energji. Ata nuk ndihen më vetëm. Ata kuptojnë se ka ende mirësi e rezervuar për ta. Shqetësimet e tyre kanë tashmë një zgjidhje. Barra që u rëndon në kurriz dhe në shpirt ka një pikëmbështetje. Ju nuk mund t’ia hiqni atë që ai mban, por ama nuk i’a rëndon edhe më shumë atë; me mospërfillje dhe vështrim të vëngër, përbuzje dhe indiferentizëm, me cinizëm dhe sarkazëm.
Ata nuk janë të vetmuar në një realitet përjashtues. Ata i sheh gjërat më qartë, hedh hapin më të vendosur, shpejton ritmin dhe ndjejnë teksa një puls tjetër i është bashkuar gjallimit të tyre. Ju njiheni fare pak. Normalisht asgjë nuk është mes jush, por ajo shprehi ka bërë ndryshimin, edhe pse ju do të vazhdoni të mbeteni si më parë, të huaj për njëri-tjetrin, por me energji të komunikuar dhe dritë të shkëmbyer.
Ne e meritojmë njëri-tjetrin dhe gjithçka rreth nesh, brenda nesh, vepron në këtë marrëdhënie, i detyrohet kësaj pritshmërie, i jepet këtij obligimi, që i shndërron vete tona në gjenerues potencial të komunikimit dhe reciprocitetit. Gjithçka në gjithësi është gjegjësisht e dhënë këtij akti sublim, mirënjohjes, ne jemi më të privilegjuar sepse e kthejmë këtë shkëmbim në një stoli të çmuar të jetës sonë.
Ji mirënjohës dhe do të jesh përgjithmonë i shpërblyer nga shpirti bujar i universit, zemra e bardh e dritëdhënësit, ëndja dehëse e dëlirësisë, dëshirimi dashurues i çdo shkulmi frymë që shndërrohet brenda nesh në ngjarje galaktike, në yjësi.
Ji mirënjohës dhe do të ndihesh zot i zotërimeve të Zotit tënd, atij që të ka mësuar të jesh i përulur ngase të ka mbushur me vullnesën e lartë të besimit.
Faleminderit Zot!