Nga Albert Vataj
Kjo është një foto e koleksionit fotografik të italianit, Xhuzepe Masani. Ajo i përket vitit 1940, kohë kur Shqipëria ishte nën sundimin italian. Kjo foto është dëshmi e gjallë, jo vetëm e hireve të malësores nga Puka, por edhe veshja e saj tradicionale, dhe në veçanti e solemnitetit festiv, e cila, ndonëse në këtë foto portret nuk rreket të tregojë shumë detaje, ajo ka mjaftueshëm elementë që dëshmojnë një shprehi të tillë të komponentëve të asaj pasurie shpirtërore që trashëguan dhe pasuruan. Në serinë e fotove që ka nxjerrë nga botimet e Xhuzepe Masa, albanologu kanadezo-gjerman, Robert Elsie, ky imazh është pjesë e disa fotove të tjera, që janë bërë gamë e interesimit të tij, për të vënë në pah gjithë atë larmi ceremonialiteti të bukurisë fizike dhe veshjeve tradicionale, kryesisht veshjeve të nuseve. Fokusit të tij nuk do t’i shpëtonte kjo bukuri vendesh të ashpra por bujar, njerëzish zemërak por të drejtë. Ai rend në gjurmët e ardhësve të tjerë, që kanë eksploruar, janë mahnitur dhe i kanë promovuar këto bukuri, këto thesare, këto dëshmues të gjalla të asaj pasurie që gostiti ceremonitë festive dhe solemnitetet e shqiptarëve.
Xhuzepe Masani ishte fotograf italian. Megjithëse nuk ka të dhëna të sigurta për të, duket se ka lindur në Rimini në vitin 1901 dhe ka studiuar ne Universitetin e Bolonjës duke filluar në vitin 1920, shkruan Elsie. Masani u bë ithtar i flakët i lëvizjes fashiste dhe doli në pah me një album fotografik për Musolinin dhe fashizmin: La sua terra [Toka e tij], Bergamo 1936. Pas kësaj, botoi një sërë albumesh për rajonet e Italisë: Sicilia në vitin 1938 dhe Liguria në vitin 1939. Në prill 1939, Shqipëria u pushtua nga forcat italiane dhe pak kohë më pas iu aneksua perandorisë së re romake të Musolinit. Ishte momenti i duhur për fotografin që t’i prezantonte publikut italian trevat e reja të Italisë përtej Adriatikut. Sigurisht me mbështetjen zyrtare, Masani udhëtoi gjerësisht në Shqipërinë ‘italiane’ dhe bëri fotografi të mrekullueshme. Fotot u botuan në vëllimin Albania: testo e foto di Giuseppe Massani [Shqipëria: teksti dhe fotot nga Xhuzepe Masani], Romë 1940, me një kapitull të fundit të propagandës fashiste ‘Bashkimi Italoshqiptar.’ Në vitet 1960 dhe 1970 Masani botoi disa albume të tjera, shumica e të cilave tashmë janë lënë në harresë. Albumi i Shqipërisë i vitit 1940, i harruar edhe ai, mbetet i mahnitshëm si pasqyrë e Shqipërisë së vjetër para komunizmit.