Ndërsa kundroj këtë foto sot, 51 vite më pas, ndjej se ende tek unë ka mbet diçka prej atij fëmije, diçka prej këtij 2-vjeçari që hutueshëm arrin të pozojë, për të lënë në këtë fokus të stampuar kaq shumë mall, kaq shumë kujtime. Kaq, sa harresa i flaku tej, dhe ndërmendja u rrek mundueshëm që t’i ruante, si këtë foto. Ikja ka marrë pothuajse gjithçka, por pa mundur të zbrazë nga kjo çiltërsi dhe vështrim i ngulmët, qenien time, pa mundur ta zhvesh atë nga ajo dëlirësi e dritëpamësi prej fëmije; që mosha, vitet, ngulmueshëm, kërkojnë që ta tjetërsojnë.
Ndërsa përpiqem të ribëj të shkuarën, aq sa ka mbetur strukur diku në ndonjë skutë të kujtimeve, ndër gjëra që më rivijnë është ai ceremonialitet i të diela, veshja me rrobat më të bukura, shumë prej të cilave sajuar ashtu ngadhënjyeshëm nga nëna. Ishte ditë kremte. Duhet të kishim kujdes ku shkelnim e ku uleshim, çfarë bënim dhe me se merreshim, derikur fotografi të parkonte biçikletën e tij buzë trotuarit dhe të vazhdonte me teatralitetin e tij.
– Shih këndej!
– Shiko këtu! ndërsa tregonte me gisht aparatin.
– Qesh!
… dhe fap… shkrepte. Me shëndet!
Vinte e shkonte të dielave fotografi. Dhe ato që vetëm shkonin ishin vitet, duke lënë pas fotografi si shkas malli dhe kujtimesh, cytje nostalgjie, yshtje për ato shkrepëtima gazmendi, që stamponin bashkë me imazhin tonë në ato copëza drejtkëndore letre bardhe zi, edhe memuarin.
Iku kaq shumë kohë dhe ende mbeti plot tek unë ky fëmijë, ajo dashuri dhe përkujdesje që u blatua për të, mbeti obligim i themeltë i një fëmije mirënjohës, i një prindi sakrifikues, i një ëndërrtari qiejsh dhe fluturimesh.
Albert Vataj