Nga Albert Vataj
Fati i një shërbyeseje, ishte dhe mbeti fati i saj, pavarësisht rrjedhojave që e sollën dhe përzgjedhja që kishte gjetur atë si misionare. Agara ishte shërbyesja egjiptiane e Sarës. Më vonë, konkubina e Abrahamit dhe nëna e Ismaelit. Kur ishte në Egjipt për shkak të zisë së bukës që kishte rënë në Kanaan, Abrahami (Abrami) u bë me shërbyes e shërbyese. Ka të ngjarë që pikërisht në këtë kohë Agara të jetë bërë shërbyesja e Sarës. Meqenëse nuk lindte fëmijë, Sara (Saraja) i dha Abrahamit për grua Agarën, dhe i kërkoi të kryente marrëdhënie me të. Mirëpo, pasi mbeti shtatzënë, Agara nisi ta shihte me përbuzje të zonjën, saqë Sara u ankua tek i shoqi. “Kështu, Abrami i tha Sarajës: “Ja, shërbyesja jote është në dorën tënde. Bëj ç’të duash me të.” Kaq i mjaftoi. Atëherë Saraja nisi ta poshtëronte, kështu që Agara iku prej saj.” Engjëlli i Zotit e gjeti Agarën te burimi në udhën për në Shur. Ai i tha të kthehej tek e zonja dhe të përulej nën dorën e saj. Gjithashtu i tha se Jehovai do ta shumonte së tepërmi farën e saj dhe se djalit që do të lindte duhej t’i vinte emrin Ismael. Abrahami ishte 86 vjeç kur lindi Ismaeli.
Vite më vonë, Abrahami përgatiti “një gosti të madhe ditën kur iu hoq gjiri Isakut”, që ishte rreth 5 vjeç. Sara vërejti se i biri i Agarës, Ismaeli, që ishte rreth 19 vjeç, “po tallej me Isakun”. Nuk ishte thjesht një lojë e padjallëzuar fëmijësh. Siç mund të nënkuptohet nga vargu tjetër i tregimit, ndoshta Ismaeli e ngacmonte Isakun ngaqë ishte trashëgimtari. Në këtë rast, Ismaeli shfaqi tepër shpejt shenjat e para të armiqësisë që do të ishte karakteristikë e tij, siç kishte parathënë engjëlli i Jehovait. (Zn 16:12) Me sa duket, e frikësuar për të ardhmen e të birit, Isakut, Sara i kërkoi Abrahamit ta dëbonte Agarën dhe djalin e saj. Kjo nuk i pëlqeu Abrahamit, megjithatë duke iu bindur urdhërit të shnjtë, plotësoi kërkesën e së shoqes. Të nesërmen, herët në mëngjes, Abrahami i dha Agarës bukë e një kacek me ujë, dhe e përzuri bashkë me të birin.
Agara u end nëpër shkretëtirën e Beer-Shebës. “Më në fund, uji… mbaroi dhe ajo e hodhi fëmijën nën një kaçubë.” Quajtja e Ismaelit ‘fëmijë’ nuk është anakronizëm, pasi fjala hebraike jéledh që këtu përkthehet ‘fëmijë’ do të thotë edhe ‘djalë i ri’, dhe është përkthyer kështu te Zanafilla 4:23. Fakti që Agara e hodhi nën një kaçubë tregon se, megjithëse ishte parathënë që Ismaeli do të ishte “si një zebër”, ai mund të mos ketë qenë mjaft i fortë gjatë adoleshencës. Ndoshta atij mund t’i kenë shterur fuqitë të parit dhe së ëmës i duhej ta mbante. Kjo nuk është një gjë e pakonceptueshme, pasi gratë e asaj kohe, sidomos skllavet, ishin mësuar të mbanin pesha të rënda përditë. Me sa duket s’kaloi shumë dhe fuqitë iu shterën edhe Agarës, aq sa s’mund ta mbante më Ismaelin. Kështu e lëshoi, ndoshta disi me vrazhdësi, në vendin e parë me hije që i doli përpara, në një kaçubë. Ajo vetë u ul larg të birit “pak a shumë sa larg mund të qëllohet një shigjetë me hark”, një shprehje e zakonshme në hebraisht që tregonte distancën në të cilën harkëtarët vinin zakonisht shënjestrën.
Atëherë engjëlli i Perëndisë e thirri Agarën e i tha të mos kishte frikë dhe se Ismaeli do të bëhej një komb i madh. Gjithashtu, Perëndia i hapi sytë që të shihte një pus. Ajo mbushi kacekun me ujë e i dha edhe të birit. “Perëndia vazhdoi të ishte me djalin”, i cili me kalimin e kohës u bë harkëtar dhe “u vendos në shkretëtirën e Paranit”. Agara i gjeti atij një grua nga Egjipti.
Sipas apostullit Pavël, Agara kishte një rol në një dramë simbolike, ku ajo përfaqësonte kombin e Izraelit që ishte lidhur me Zotin nëpërmjet besëlidhjes së Ligjit që hyri në fuqi në malin e Sinait. Kjo besëlidhje solli në jetë “fëmijë për skllavëri”. Për shkak të gjendjes mëkatare të Izraelit, ai si komb nuk ishte në gjendje të plotësonte kushtet e besëlidhjes. Si pasojë, izraelitët nuk u bënë një popull i lirë, por u dënuan si mëkatarë që meritonin vdekjen, pra, ishin skllevër.
Jerusalemi i kohës së Pavlit përkonte me Agarën, sepse ky kryeqytet që përfaqësonte organizatën e atëhershme, kombin e Izraelit, ishte në skllavëri bashkë me fëmijët e tij. Kurse të krishterët e lindur nga fryma janë fëmijë të ‘Jerusalemit lart’, gruas simbolike të Perëndisë. Njësoj si Sara, gruaja e lirë, ky Jerusalem nuk ka qenë kurrë në skllavëri. Megjithatë, ashtu si Isaku u përndoq nga Ismaeli, edhe fëmijët e ‘Jerusalemit lart’, që u liruan nga Biri, janë përndjekur nga fëmijët e Jerusalemit të skllavëruar. Megjithatë, Agara dhe djali i saj u dëbuan, e kjo përfaqëson hedhjen poshtë të kombit të Izraelit nga Zoti.
Dokumentimi i frymëzuar i ngjarjeve të shekullit të parë tregon se kombi i Izraelit të mirëfilltë, që përfaqësohet nga Agara, nuk mund të lindte në vetvete bij që do të ishin bashkëtrashëgimtarë me Jezuin. Judenjtë që pretendonin me krenari se u takonte me të drejtë një trashëgimi e tillë për shkak të prejardhjes, u përjashtuan nga kjo trashëgimi, u hodhën poshtë nga perëndia. Sigurisht, disa individë me prejardhje izraelite u bënë vërtet bashkëtrashëgimtarë me Jezusin. Por këtë privilegj e morën në sajë të besimit të tyre te Jezusi, dhe jo në sajë të prejardhjes së tyre.