A. Den Doolaard nuk ishte i pari por mbeti një kontributor shumë i vlertë i trajtimit të gjakmarrjes në Shqipërinë veriore. Ai la edhe një koleksion shumë të pasur fotografishë, në të cilat gjejmë një shprehi të vlerës shpirtërore që ai fotografoi. Edhe vendet, panorama e natyrës shqiptare, episode nga jeta e zakonshme e shqiptarëve kanë ardhur nëpërmjet tij.
Albanologu kanadezo-gjerman, Robert Elsie na ka pasururuar njohjen me kontriburin e tij nëpërmjet një pasqyre të asaj që ai bëri dhe asaj që ai la. Elsie shkruan: Shkrimtari dhe gazetari holandez, A. Den Doolaard (1901-1994), pseudonim i Cornelis Johannes George Spoelstra, ka lindur në Zwolle në Holandë si djalë i një predikuesi protestant. Pasi kaloi disa vjet në Afrikën e Jugut, mbaroi shkollën në Hagë. Aty gjeti një punë si llogaritar për një firmë nafte (1920-1928), por prirja e tij ishte për të shkruar dhe për të shëtitur botën. Në vitin 1928, dha dorëheqjen nga puna dhe u nis për në Francë, dhe më vonë për në Ballkan. Financoi udhëtimet e tij me punë të ndryshme dhe me udhëpërshkrimet për gazeta holandeze, shpesh me fotografi. A. Den Doolaard ishte autor i më shumë se 50 librave, botuar mes viteve 1926 dhe 1982. Në Ballkan ai udhëtoi kryesisht në Jugosllavi dhe në Greqi. Në fillim të vitit 1932 u nis nga Selaniku për në Sarajevë duke kaluar kësaj radhe Shqipërinë. Nga Struga shkoi në Shkodër, kryesisht duke ecur në këmbë për dy javë. Prej andej vazhdoi për në Theth në malet e Dukagjinit. Den Doolaard ishte shume i interesuar për fenomenin e gjakmarrjes, për të cilin kishte mësuar nga një udhëtar gjerman. Rezultati i udhëtimit në Shqipëri ishte romani i tij De herberg met het hoefijzer, Amsterdam 1933 (shqip Bujtina me patkua, Tiranë 2005), i cili merret me vrasje dhe gjakmarrje në veri të Shqipërisë. Librin e shkroi në fillim të vitit 1933, kryesisht në Shkup dhe në Hanet e Mavrovës (Mavrovi Hanovi) në Maqedoninë Perëndimore ku jetonte me gruan e tij franceze Daisy Roulôt. Një biografi në holandisht (Dronken van het leven) botuar kohët e fundit nga Hans Olink ka zbuluar se më 1 mars 1933, gjatë kohës së hartimit të romanit shqiptar, Den Doolaard vrau dashnorin e gruas, një oficer serb të këmbësorisë. Vrasja rrëfehet haptas në romanin e mëvonshëm, Samen is twee keer alleen, Amsterdam 1976 (Bashkë është dy here vetëm), por askush nuk kuptoi se baza e romanit ishte e vërtetë. Ndër vepra të tjera të Den Doolaard-it me frymëzim ballkanik janë: Quatre mois chez les comitadjis, Paris 1932 (Katër muaj me komitët); Oriënt Express, Amsterdam 1934 (Orient Ekspres), Van vrijheid en dood. Amsterdam 1935 (Mbi lirinë dhe vdekjen); De bruiloft der zeven zigeuners, Amsterdam 1939 (Dasma e shtatë ciganëve); Het land achter Gods rug, Amsterdam 1956 (Vendi prapa kurrizit të Zotit), dhe Joegoslavië: kaleidoscopisch reisland, Amsterdam 1956 (Jugosllavi vend udhëtimi kaleidoskop). Den Doolaard paralajmëroi herët për rrezikun e fashizmit në Evropë dhe u arratis në Angli gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më vonë, u kthye në Jugosllavi, veçanërisht Maqedoni, e cila iu bë si vendlindja e dytë. Në maj të vitit 2006 në qytetin e Ohrit u ngrit një përmendore kushtuar atij. Vdiq në Hunderlo (Hoenderloo) pranë Arnhemit. Vetëm tetë fotografi kanë mbetur nga udhëtimi i Den Doolaard-it në Shqipëri. Jemi mirënjohës Zonjës Gerda Mulder e Muzeut holandez të Fotografisë (Nederlands Fotomuseum) në Roterdam, dhe Zonjës Branda Hedel-Spoelstra, të cilat mundësuan prezantimin e këtij koleksion.
http://www.albanianphotography.net/doolaard/#xl_shqip