Nga Albert Vataj
Kjo hap i ndrojtur në një botë të panjohur, në një planet trillesh, imagjinatash, legjendash dhe përfytyrimesh, është çapi i parë i një “fëmije” të frikësuar nga e panjohura. Hutimi dhe pasiguria, frika nga e papritura dhe makthi i humbjes rëndojnë mbi sipërfaqen e Hënës, si në ankthin e miliona syve që vështrojnë nga mijëra kilometra larg, atje ku nën një trysni mbytëse e një entuziazëm të ngrirë në frymëmarrjet e shtuara dhe pulsin e gjëmueshëm, po skaliteshin të artat shkronjat e historisë së hapit të parë të njeriut në Hënë.
Kjo gjurmë që ka mbetur e fiksuar në pluhur, e plazmuar në këtë imazh dhe e skalitur në një prej sfidave më të ethshme të astronomëve amerikanë dhe misionit të “Apollo 11”, është hapi i parë i njeriut në sipërfaqen e Hënës.
“Ky është një hap i vogël për njeriun, por një hap gjigant për njerëzimin” tha Neil Armstrong, amerikani që la këtë gjurmë në sipërfaqen e hënës, këtë gjurmë që do të mbetet jo vetëm arritja më e madhe e njerëzimit, por dhe ngulmi më i pamatë i shkencës për të eksploruar universin.
Ishte 20 korrik 1969, afro 400.000 kilometra larg tokës, Neil Armstrong dhe kolegu i tij astronaut, Buzz Aldrin, u ndoqën përmes televizionit nga mbi 500 milionë njerëz nga gjithë bota, kur ata u ulën në sipërfaqën Hënës. Me zemër të ngrirë u ndoq ky moment, me ovacione shpërthyese u përcoll kjo arritje.
Që nga ajo ditë, njeriu nuk do të ishte më një soditës i yjeve, një krijesë inferiore, por një sfidant me sytë nga qielli dhe me ëndrrat për të eksploruar këtë pafundësi.