” Armiqësia nuk merr fund me armiqësi, armiqësia merr fund me miqësi”- kjo qëndron në themel të mësimeve të Budës. Kështu nuk flet morali por fiziologjia. Mëria e lindur nga dobësia, për asnjë nuk është më shumë e dëmshme sesa për vetë të dobëtin. Nga ana tjetër, për atë që supozojmë se ka një natyrë të pasur, ajo është një ndjenjë e tepërt, dominimi ndaj së cilës është po thuaj prova e pasurisë. Kush e njeh seriozitetin me të cilin filozofia ime ka luftuar kundër ndjenjave të hakmarrjes dhe mërisë, duke i ndjekur deri në sulmin ndaj doktrinës së ” gjykatësit të lirë”, do ta kuptojë përse unë këtu nxjerr në dritë pikërisht qëndrimin tim personal, sigurinë timie instiktive në praktikë. Në kohët e dekadencës sime unë ia ndalova vetes si të dëmshme këto ndjenja; sapo jeta u bë përsëri mjaft e pasu e krenare, unë ia ndalova ato përsëri vetes sikur t’i kisha gjetur brenda meje. Ky “fatalizëm” rus për të cilin fola u manifestua te mua nëpërmjet faktit se unë për vite me radhë iu përmbajta me ngulm situatave pothuajse të padurueshme, vendeve qëndrimeve, shoqërive që më ofronte rastësia. Ishte më mirë t’u përshtateshe sesa t’i ndryshoje, të ndieje se duhet t’i ndryshoje, të rebeloheshe ndaj tyre… E merrja atëhere mjaft për keq të shqetësohesha në këtë fatalizëm, të zgjohesha me forcë: në të vërtetë kjo ishte për mua çdo herë e rrezikshme për vdekje. Ta konsiderosh veten si një të paracaktuar, të mos e dëshirosh atë “ndryshe”:- për raste të tilla kjo është një urtësi e madhe.