Nga Albert Vataj
Këto janë foto… pikturuar në imagjinatën tonë, apo ajo që ne shohim është kujtesa jonë që rreket të shohë përmes këtyre fotografive atë që kanë përjetësuar në tablo gjenitë e pikturës? Gjithnjë ne kemi qenë dyshues, nëse piktura domosdoshmërish parapriu fotografisë, apo kjo e fundit ishte shumë reale për të qenë një vepër arti dhe si e tillë asnjëherë nuk guxoi të shpallte hapur sfidën e saj ndaj eterit të ngjyrave dhe përfytyrimit, pamatësisë së forcave përjetuese dhe shenjtërimit të çastit të shndërruar në akt sublim krijimi.
Ajo çfarë është mes një pikture dhe një fotoje është ajo që ndjejmë dhe jo ajo që shohim, është ajo që na përshkon dhe ajo që na shfaqet. Gjithnjë ne jemi të shtangur para një pamësie, bukuria e së cilës nuk gjendet në atë që kemi para syve, por në atë që kemi brenda nesh. Kjo na bën që ne shpesh të biem pre e një adhurimi, sepse ne kemi nevojë të ndihemi fluturues në një hapësirë të pacak lirie dhe të ndihemi gjithçka çfarë vepron në kiminë tonë, në shndërrimin e gjërave dhe gjendjeve, në kaplimin e rrokshëm të pamatësisë në një ngrohtësi a prekje, në një hutim a puthje, në një avullim apo murosje.
Keto janë fotografi të realizuara nga fotografit profesionist, australianit, Bill Gekas, fitues i disa çmimeve dhe mjaft i kërkuar për fotopikturat e tij. Në fotografitë e tij modelet pozojnë, ashtu si 200-300 vite të shkuara në studiot e mjeshtrave. Ata janë të gjalla, por jo të përjetshme ngase piktura u ka mëkuar karmën e saj, zemrën e të gjithë shpërthimeve njiheresh që prej zëfilljes deri në penelat.
Këto fotografi janë inspiruese nga pikturat e mjeshtrave të penelit dhe kavaletit, syepjeve mahnitëse të përfytyrimit dhe përjetimit të kohërave dhe shpirtjeve, të jetësuara në trajta koloristike dhe pulsime shpërthyese ndjenjash dhe çastesh të përjetësuara në tablo dhe shumëfishuara në pamatësinë e atij realiteti që ka gjurmuar gjithnjë të bukurën dhe është shpërblyer bujarisht prej saj.