Nga Albert Vataj
*** Ne do të kishim qenë më të fituar sikur gjithë atë sipërmarrje cfilitëse për performancë sa më të mirë dhe dukje sa më sfiduese, ta kishim kanalizuar përnga rregullimi i ekulibrave emocionalë, atyre shpirtëror dhe iluminues. Në përpjekjen e mundshme për të arritur ato mundësi që gjithnjë janë të pamjaftueshme, e vetmja gjë e arritshme është të prishim çdo ekuilibër, çdo maturi dhe aftësi për të përmbushur shpirtërisht veten tonë. Dhe… na mbetet të jemi veçse aktorë të dështuar në skenën groteske të tragjizmit të jetës.
*** Sado që të përpiqemi, sërish ajo që do të arrijmë të bëjmë do të jetë e pamjaftueshme të rroki pritshmëritë, sepse në këtë ngulm të themeltë të qëllimeve tona, për linja perfektë e dukje shkëlqyese, gara është kaq e ashpër dhe konkurrenca kaq e pamëshirshme, sa fituesit asnjëherë nuk do të jenë ata që e meritojnë, por ata që e zotërojnë më mirë poshtërsinë dhe egoizmin, mungesën e sensit të masës dhe justifikimin e çdo teprimi.
*** Zotërimi i zejes së jetës është rebusi, shumë herë më i rëndësishëm që duhet zgjidhur, se sa akuacionet e të gjithë llangosjeve dhe trukeve, makeup dhe stilimeve, risive dhe modës, të cilat në tentativë për të përmbushur zbrazëtinë që ju gërryen, e shndërron këtë sipërmarrje në një torturë para së cilës, çdo ves dhe amoralitet, çdo dhunë dhe diskriminim, çdo abuzim dhe shkelje e të drejtave… janë të përligjura.
*** Nuk duhet të na shqetësojmë kilogramët e tepërt dhe celuliti, se do të ndihemi të përjashtuar nga standardi, të mënjanuar nga rregulli, të papajtueshëm me normën, që nuk e dimë se kush e ka vënë dhe pse. Ajo që duhet të jetë shqetësuese për ne, në një rast abuzimi me trajtimin ushqimor dhe mospërfshirjen e gjallw në veprimtarinë e përditshme, e reflektuar në klilogramë të tepër, është shëndeti.
*** Pamundësia për të bërë secili jetën e tij, pa qenë i ndikuar nga mënyra e jetesës dhe sjelljes së të tjerëve, pa u ndjerë i robëruar nga ajo, se çfarë thonë dhe mendojnë të tjerët për ju, apo pa qenë i peshkuar nga ajo makineri e përbindshme e propagandës së shtirjes dhe manipulimit me interesa qartësisht përfitimi, është një pamjaftueshmëri e asaj që ne kërkojmë dhe marrim nga vetja, asaj vetvete, e cila është edhe e viktimizuar, edhe i duhet të paguaj faturën.