“Zoti ekziston, por nganjëherë flen, makthet e tij janë ekzistenca jonë. Është e çuditshme, por të jetosh do të thotë të krijosh kujtime të së ardhmes; pikërisht tani , këtu përballë detit, di që jam duke përgatitur kujtime të vogla, që ndonjëherë do më sjellin melankolinë dhe zhgënjimin.Jeta është kaq e shkurtë dhe zanati i të jetuarit kaq i vështirë saqë sapo njeriu fillon ta mësojë, i duhet të vdesë. Mendoj se e vërteta është mirë në matematikë, në kimi , në filozofi. Jo në jetë. Në jetë janë më të rëndësishme iluzioni, imagjinata, dëshira dhe shpresa. Tek mirësia fshihen të gjitha llojet dijes. Me masën që i afrohemi vdekjes, njëkohësisht i afrohemi tokës…copëzës së tokës në të cilën rrodhi fëmijëria jonë, në të cilën kemi luajtur…magjia e parikuperueshme e të parikuperueshmes fëmijëri. E admirueshme është që njeriu vazhdon të luftojë dhe të krijojë të bukurën në mes të një bote barbare dhe të egër. Çfarë maske vendosim apo çfarë maske ka me na mbetë kur të jemi vetëm, kur të besojmë që askush, askush nuk na sheh, nuk na kontrollon, nuk na dëgjon, nuk na kërkon, nuk na lutet, nuk na detyron, nuk na sulmon? Zoti im, Zoti im. Vdekja as nuk është tipi im, megjithëse shpesh herë më tërheq. Bota s’mund të bëjë asgjë kundër një njeriu që këndon në mjerim. Unë shkruaj se përndryshe do kisha vdekur, për të gjetur ndjesinë e ekzistencës. E kam thënë edhe më parë dhe e rikonfirmoj: kërkimi i një jete humane duhet të fillojë nga edukimi. Atëherë, të privuar nga afërsia e një përqafimi apo e një tavoline të përbashkët, do na mbeten “mjetet e komunikimit”.