Nobelisti Pablo Neruda, ky oaz i thellësive të deteve dhe i tingëllimave të kambanave, ka mbetur përjetësisht korife i këngës dhe i vjershërimit për dashurinë dhe dëshpërimin, për shpresën dhe trishtimin dhe për ëndrrën e flijimin. Emri i tij i vërtetë është Neftali Rejes Basulato. Për herë të parë emiri i tij i ri, që do ta shoqëronte tërë jetën , u shfaq në vitin 1920, i shkruar në ballinën e poemës së tij me titull “Hombre” (Burrë). Neruda u lind më 12 korrik të vitit 1904, në Parrol, qytezë në Kilin e Jugut. Studimet e larta i mbaroi në Santiago për frëngjisht. Me librin “20 poezi dashurie dhe një këngë dëshpërimi”, pa mbushur mirë moshën 20-vjeçare, ai nga qarqet letrare, filloi të konsiderohej si një nga poetët e rinj më premtues të kohës. Vrulli që kishte marrë, bëri që në vitin 1921, me poemën “Kënga e festës”, të nderohet me Çmimin e Parë. Gjatë udhëtimit mespërmes vendeve të Orientit, ai njihet dhe merr përgëzimin e njerëzve të mëdhenj të artit e letërsisë së kohës si: Garsia Lorka, Gerard Defo etj. Ne vitin 1934 Neruda emërohet konsull në Madrid. Kur ai jeton në kryeqytetin spanjoll, Madridi bombardohet nga trupat e Frankos. Refleksion i përjetimit të dhimbjeve të tmerrshme , që shkaktuan këto bombardime çnjerëzore , është dhe brendia e librit të tij “Spanja në zemër”. Me krijime të tilla disa vite më vonë, P. Neruda do të marrë Çmimin e Lartë Kombëtar për Letërsinë. Në vitin 1948 ai bëhet anëtar i Partisë Komuniste. Prandaj persekutohet e përndiqet, derisa e detyrojnë të largohet nga Kili, për të marrë rrugën drejt Francës, Meksikës… Në vitin 1954 rikthehet përsëri në Kili. Në moshën 60-vjeçare, ai boton 5 vëllimet e librit “Memorial i Ishullit të zi”. Ndërsa në dhjetor të vitit 1969 Pablo Neruda merr në Stokholm , nga dora e vetë mbretit Gustav Adolf VI çmimin “Nobel” për letërsinë. Ndërroi jetë, më 23 shtator të vitit 1973 në Santiago. Vdekja e tij kaloi në heshtje, aq sa shumë njerëz u ndaluan të bënin homazhe para trupit të tij. Autobiografia e tij u botua vetëm pas vdekjes. Kur Neruda nis startin e krijimtarisë së tij poetike, në mjediset krijuese letrare të Kilit, vazhdonte të përziheshin elementet e rrymave romantike tradicionale me ato moderniste e surealiste. Në fillimet e tij, si poet që vinte nga provinca, ai nuk mund t’i shmangej përshkrimit të mjedisit të natyrës. Mësuesit e tij të parë do të bëhen poetët e mëdhenj Dario dhe Tagara. Por shpejt Neruda do të shfaqte individualitetin e tij të papërsëritshëm, gjë që do të duket qartë në poezinë me titull“Kënga e festës”, me të cilin fitoi Çmimin e Parë në konkursin poetik të Santiagos (1921), sapo kishte mbushur 17 vjeç. Në poezitë e para të Nerudës shkrihen njeriu me natyrën dhe pasioni me trillin e ngjarjeve. Gruaja, bukuria dhe shpirti i saj i pastër, identifikohen me tokën dhe dimensionet e natyrës. Një nga kryeveprat e Nerudës është vëllimi poetik “Deti dhe kambana”, i cili është një gërshetim motivesh mes elementeve autobiografikë dhe fantazisë krijuese të autorit, të vendosura në kohë dhe mjedise të ndryshme, në çastet e fundit të jetës së tij. Brendia e këtyre poezive është një ndjesi e çuditshme, që lidh ngushtë e metaforikisht detin me kambanat. Në brendësi të detit dhe kambanave ai gjen sinoniminë e tyre të plotë poetike. Brenda tyre ai zbulon jetën dhe dashurinë, ëndrrat dhe lirinë, butësinë dhe egërsinë, bukurinë dhe shëmtinë, vdekjen dhe pathyeshmërinë. Në poezinë “Fund”, me të cilën e mbyll këtë vëllim, Neruda përshkruan motivin për të cilin luftoi, këndoi dhe sakrifikoi tërë jetën. Ai gjithë jetën kërkoi të ishte zëri i ndërgjegjes së popullit të tij, shpirti i atyre që u harruan në varfëri , i atyre që, siç shkruan dhe vetë , nuk mundën të kishin zë. Prandaj Neruda, për ta thuri mijëra këngë e vargje , me shpresën se jehona e kambanës, do të shkrihej me dallgët e detit, për ta bërë më të fuqishëm zërin e tyre. Ai që lidh më ngushtë poetikisht detin me kambanat është gjëmimi. Edhe pse gjëmimi i këtyre dy dukurive vjen nga drejtime të ndryshme natyrore dhe njerëzore, ato përçojnë herë gëzim e herë trishtim, herë shpresë e herë thirrje për flijim. Lidhjen mes kambanave dhe detit poeti e sheh si lidhje mes tokës dhe yjeve. Neruda veten e vendos në mes të tyre , gjë që e shpreh në vargje të tillë sa të thjeshtë, aq edhe të bukur:”Aty ku janë deti dhe këmbanat jam unë”. Deti dhe kambanat në poezitë e tij janë kthyer në simbol i pavdekësisë dhe pafundësisë. Për Nerudën këto dukuri nuk janë thjesht dy sinonime metaforike, por dhe vetë jeta. Lindja dhe vdekja, këto dukuri antonimike që riciklojnë jetën, janë të shkrira jo vetëm në shkumën e dallgëve kaltëroshe të detit, por dhe në tingëllimat, herë të ashpra e herë të ëmbla të kambanave. Në vargjet e Nerudës për kambanat ndien edhe dhimbjen edhe trishtimin që e kanë mbërthyer poetin në vitet e fundit të jetës. Prandaj, i mbetur në vetminë e tij të thellë shkruan: “S’më ka mbetur gjë tjetër veç detit”. Në oshtimën e detit dhe tingëllimat e kambanave ai gjen të djeshmen, të sotshmen dhe të ardhshmen. Në poezitë e tij , deti dhe kambanat flasin. Çdo kambanë dhe dallgë deti ka gjuhën e vetë të papërsëritshme. Përzierja e tingujve të tyre krijojnë simfoninë më të bukur të poezisë së jetës. Vitet e fundit ai, edhe pse ndjen vetminë e një “kambane të thyer “kurrë nuk gjunjëzohet, gjë që e shpreh metaforikisht në vargjet: “Kjo kambanë e thyer/do të këndojë pa pushim “. Për Nerudën, ata që kambanës së thyer i dhanë “gjelbërimin dhe lumturinë “, ishin “duart e ujit”. Në autobiografinë e tij imagjinare Neruda shkruan: “Jeta ime është jeta e poetit”. Shiu, deti, kambanat dhe dashuria janë kuarteti i simfonisë së tij poetike. Pikat e shiut, për t ë ishin si gishtërinjtë e duarve që prodhojnë tingujt e ëmbël të simfonisë poetike. Ishte deti që e bënte Nerudën të ndjeshëm ndaj dhimbjeve, ishte dashuria dhe lidhja me natyrën që zbutnin edhe kambanat, të cilat i bëjnë ato të këndojnë këngët më të bukura mbi dhe. Në poezitë e Nerudës gjallërojnë e rriten edhe deti edhe pishat, edhe errësira edhe drita, edhe urrejtja edhe dashuria, edhe vdekja edhe liria. Në shpirtin poetik të Nerudës ka hedhur rrënjë dashuria për natyrën dhe gjithë njerëzit , por veçanërisht për gruan , simbolin e bukurisë dhe brishtësisë. Binomi i tij i përjetshëm ishte dashuria dhe gruaja , të cilat e kishin emrin Matildë Urrutia. Dashurisë për gruan dhe bukuritë e saj të rralla Neruda i kushton librin e tij më të bukur poetik me titull “100 sonete dashurie”. E dashuria e tij e zemrës, ruan në gjirin e saj edhe diellin edhe hënën, edhe tokën edhe zemrën. Matilda për të ishte: “Det, ritëm e buçimë ndjenjash njerëzore”. Dashurinë e tij të përjetshme për gruan Neruda e shpreh nëpërmjet vargjeve: “Nëse do të rilindja përsëri do të doja të bija përsëri në dashuri me ty/sepse me ty fillon dhe mbaron e vërteta e jetës sime”, të cilët tingëllojnë si sentenca të bukura për besnikërinë. Për Nerudën dashuria është këngë e pëllumbeshë, është kuje e rrëke. Për zemrën e poetit mjafton gjoksi i saj, ndërsa për lirinë e të dashurës së tij mjaftojnë guximi dhe flatrat e saj. Prandaj i lutet të dashurës së tij: “puthmë, kafshomë , ndizmë…”. Për Nerudën dashuria nuk ka as lindje , as vdekje të përjetshme. Brenda dashurisë së Nerudës ka gurë dhe erë, gjethe dhe diell, oqean dhe kripë, koracë dhe kratere. Në poezinë “Nëse unë vdes” Neruda shkruan: “Nëse unë vdes dhe ti je gjallë/ kjo dashuri s’ka marrë fund/ ashtu si nuk pati lindje/as vdekje nuk ka/ajo është një lumë i gjallë/që ndërron vetëm shtratin e brigjet”. Neruda , nga kritika botërore është quajtur Homeri i shekullit të XX. Në poezitë e tij, shkruan Fatos Arapi , heroikja shkrihet me liriken, ndërsa simbolika me jetën. Me poezitë e tij, ai i thur ditirambet më të bukura për jetën, Atdheun dhe dashurinë. Burim frymëzimi për të janë bërë bukuritë e rralla të Kilit, vendlindjes së tij. Neruda ngazëllehet nga drithërimat e erës dhe blerimi i barit, nga shushurima e lumenjve dhe dallgët e detit dhe oqeaneve. Dashuria për natyrën është dashuria për Kilin. Poezia e tij është sa përshkruese aq dhe histori e gjallë e fatit të njerëzve të thjeshtë të Kilit dhe të gjithë Amerikës Latine. Për Nerudën “Atje ku liria u bie kambanave të kushtrimit, vjen dhe agimi i skuqur me gjakun e njerëzimit”. Në krijimtarinë e larmishme të Nerudës zënë vend të rëndësishëm edhe“Odat”, këngët heroike për personalitete të tilla të shquara si Lorka , Bolivari etj. Në krijimtarinë e Lorkës, Neruda sheh njerëz të veshur me “rrobat e agonisë”, “plugjet e vdekur dhe lulëkuqet e vyshkura”, nga“planete e harta të gjakosura”, nga vajza “të sakatuara me thika të helmuara”dhe nga “trëndafilat e urrejtjes”, që në vend të gonxheve aromatike , të dhurojnë hidhërimin e gjembave shpues.
Një nga krijimet më të bukura të Nerudës është poema “Një këngë për Bolivarin”, e cila i kushtohet Simon Bolivarit , Heroit e luftëtarit të shquar për liri e pavarësi, i cili jetoi, punoi dhe luftoi në kolonitë spanjolle të Amerikës Latine, në vitet 1783-1930. Është kjo arsyeja që Nobelisti Neruda i drejtohet atij me vargjet më të bukura. “Ati ynë, që je në dhe, në ujë, në ajër/ka emrin tënd çdo gjë që ne kemi/ prej teje lulëzon ëmbëlsia e kallamit të sheqerit/ dhe kallaji Bolivar , ka shndritjen Bolivar… /Ti o At na ke lënë trashëgim lumenj, fusha, kambanare, bukën tonë të përditshme”. Nga brendia e pyetjeve retorike metaforike : “Ç’ngjyrë do të marrë trëndafili që rritëm pranë / Si do të jenë duart që hirin tënd prekin?”, buron mesazhi filozofik poetik. . ”I kuq bëhet trëndafili, kur dëgjon hapin e Bolivarit. Hija e tij i prin popujt e shtypur të botës drejtë shpresës. Bota e lirë lindi nga vështrimi i tij i kthjellët i Bolivarit. Është kjo arsyeja që zëri i tij ringrihet nga thellësitë e tokës duke thirrur. . ”Unë zgjohem një herë në njëqind vjet , kur populli im zgjohet.
Të shkruash për krijimtarinë poetike të Nerudës, është sa e lehtë, aq dhe e vështirë. Dimensionet e personalitetit të tij krijues dhe njerëzor , janë aq të mëdha, sa do duheshin faqe të tëra për ta trajtuar të plotë krijimtarinë, problematiken dhe stilin e papërsëritshëm të vjershërimit modern të tij. Ai ishte dhe mbeti artist i madh, gjeni i vjershërimit dhe i përdorimit të gjuhës së gjallë poetike. Neruda e pasuroi më tej semantikën dhe polivalencën e saj, duke e shtyrë natyrshëm drejt magjisë së metaforës dhe simbolikës shumëkuptimëshe. Poezia e tij kalon natyrshëm nga Surealizmi i errët, drejt realizmit të gjallë, me ngjyrime të thella popullore tepër të besueshme e të perceptueshme. Neruda, jo vetëm dje, por edhe sot e në të ardhshmen do të mbetet një nga poetët më universal të letërsisë moderne botërore.
Sejdo Harka