Nga Albert Vataj
Nuk është thjeshtë vullneti për të kapur lapsin dhe për të derdhur një talent rutinor vizatimi, megjithëse ky kurajoz novator kumton modestish se “E gjithë çfarë ju duhet është një laps dhe diçka për të nxjerrë në pah, dhe ju mund të krijojë me të vërtetë prekjen magjike”. Kësisoj s’mund të jetë kryekëput kështu, jo vetëm një laps e trandja e një fillese. Sikurse as përshkimi prej një dakordësie që zgjon brenda vetes për një rrekje talenti në zgjim. Është shumë më shumë, është ngasje për tu qasur teknikave të reja, siç është vizatimi 3D, ngulmi për të manipuluar momente dhe detaje të ndryshme të zakonshme në një projektim vizatimor mbresëlënës. Është thirrja kushtruese për ta ndërkallur brendinë tënde në një mënyrë komunikimi estetik të allasojtë, tjetërqysh ngase armata e artistëve komunikon me artdashësin.
Kur artisti, Alessandro Diddi, vë laps në letër, trillet e tij vijnë në jetë, impresionet shumëzojnë pjesëmarrjen në këtë joshje komunikimi. Ngërthehen realitetet dhe “trukohet” perceptimi ynë. Ai guxon dhe provon të rroket prej një sprove të tjetërllojtë të artit mëtues. E bën këtë pa shumë pretendime, dhe pa ngulmin për t’i ngarkuar rëndë punët, me nëntekst dhe pështjellim ndjenjash dhe përjetimesh.
E veçanta dhe ajo që e bën këtë akt artdëshmues një joshje dhe afrimitet, është finesa dhe delikatesa e manipulimit të imazheve reale me vizatimet. Vizatimet 3D janë arritur nga një mashtrim i mendjes, duke përdorur hije dhe kënde për t’i dhënë atyre një jetë të vetiake dhe të bëjë ‘kërcimin brofës në faqen e vijuese.
Duke u qasur në dakordësinë e asaj që arti i tij mëton, Alessandro Diddi shton: “Unë dua që vizatimet e mia të vënë në dijeni të gjithë, se mesazhi që kumton është se syri mund të gënjejë mendjen dhe të bëjë që ju të besoni se ka dimensione që nuk janë me të vërtetë aty”.
Duke përdorur duart e veta dhe objekte për të bërë vizatimet të paraqiten edhe më shumë jetësore, ai pjesëmerr në këtë lojë manipulimi viziv në trajtesa të ndryshme, si për të na bindur se shumëçka në mendjen tonë është qëllesë përceptimi, përjetimi dhe përfshirje, nën urdhëresën e shikimit. Në një farë mënyre ne vazhdojmë të jemi të manipuluar nga ajo që syri na e servir, shpesh duke ndikuar dhe sendërtuar trubullt pikëpamjet, reagimet dhe përfshirjen në kontakt fizik me realitetin. Ndërsa shfleton këtë parakalim objektesh dhe lojërash vizive, të bie në sy se si ai fut vetveten gjithsekund në rol. Dhe është pikërisht kjo që e bën më të besueshëm aktin dhe më kërcënues rënin pre e manipulimit.
Këtë e përcjellim në rastin konkret kur lapsin dhe dorën e tij e tërheqin dy burra, me gjithë forcë. Për të vazhduar këtë lojë marroke arti viziv dhe loje me dimensionet dhe kontaktin fizik, me gjarprin, i cili zgjaton në përpjekjet për të dalë nga kuadrati i bardhë i fletës së vizatimit, pëllumtit për të fluturuar, etj, etj.
Një tjetër tregon gishtat e artistit të cilat zgjatojnë jashtë kuadrit fizik duke mbetur brenda fletës së vizatimit, e transformuar, e kapur në metamorfozë, pikërisht prej kthetrave të tendosura dhe kërcënuese.
Duke shtuar në lidhje me marrëdhëniet dhe shikuesit, me atë masë që konsumon këtë lloj arti Alessandro Diddi, është i mendimit dhe tejçon rrëfenjën në një kuadër vërtetësie dhe transparence, duke shtuar se kur njerëzit të shohin vizatimet e tij, ata mbesin të shtangur. Një moment befasie e ngrin këtë mundësi komunikimi, anipse si në të gjithë marrëdhëniet me artin, edhe kësaj here, kundruesi kërkon me ngulm shtegun për të depërtuar në tërësinë e përjetimit, për të jetuar çastin. Kjo qasje është përpjekje e tyre për të kapur fillin e së vërtetës, për të përjashtuar vetveten nga kjo lojë manipuluese vizuale, dhe për tu bërë njësh me kumtin, duke e pranuar ta përshkojë atë.
Ata e pranojnë vullnetarisht rënien në këtë grackë. Pjesmerren kryekëput në këtë lojë dimensionesh, shkujdesje e lapsit në përcaktimin korrekt të objekteve, dhe ashtu të pafat në këtë ngulm për të zbuluar trukun, u mbetet vetë të argëtohen, të shijonë këtë mashtrim të mendjes nga syri.
Kur ju e kuptoni mekanizmin e projektimit “anamorphic”, ti e kupton se nuk ka diçka jashtë normales, përkundrazi. Gjithçka të duket e vërtetë dhe përjetuese, reale dhe dinamike, vepruese dhe e gjallë. Fundja vendos të bësh një marrëveshje me veten në këtë lojë trajtesash të këtij zhanri, të kësaj mënyre komunikimi estetik.
Qëllimi im, thotë piktori, është gjithmonë për të krijuar diçka të re dhe origjinale, të cilat njerëzit do të duan të shikojnë dhe të ndjehen të intriguar nga kjo lojë, nga kjo përfshirje. Thjesht duke u përpjekur që të kombinohen dy pasionet e mia, skicat dhe figurat, vazhdon Alessandro Diddi, unë kam qenë në gjendje dhe besoj, se ja kam dal të vij ndryshe në këtë ballafaqim, në këtë kontakt me admiruesit e këtij lloj arti.
Edhe pse nuk ka asnjë mesazh, përpjekjet për të lexuar punët e mia, shton artisti, unë nuk mendoj se është e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë, se ajo nuk është e nevojshme për të konsumuar në sasi të madhe të burimeve për të arritur diçka interesante. Ata argëtohen, përfshihen, shtangen, debatojnë dhe ikin me një ngarkesë përjetimi dhe trullosje. Me modesti ai përfund se: “E gjithë çfarë ju duhet është një laps dhe diçka për të nxjerrë në pah, dhe ju mund të krijojë me të vërtetë prekjen magjike”.