Nga Albert Vataj
“O vite të lumtura, kush nuk do edhe një herë të bëhet fëmijë”, thoshte Lord Byron i madh, rijetim të atyre çasteve të bukura të pafajësisë së gabimeve tona dhe harlisjes së shkujdesjes.
Vitet e ikura, thinjat që na lulëzojnë në tëmtha, pesha e rëndë e mendimeve, maturia dhe ngurrimi, kujdesi dhe drejtpeshimi, angazhimet dhe vetëmohimi… të gjitha këto vijnë një ditë që të zënë përfundi si një gurë i stërmadh, të cilin megjithëse nuk e ke pjesë tënden si zhguall, atë nuk e harron ta marrësh me vete gjithkund shkon, ta ndjesh mbi vete kur gjithçka bën.
… e një çast ta ndjesh, teksa i gjithë ky makth që të trazon netët e gjata pa gjumë, e ditët e rënduara nga detyresa dhe preokupimi, gjithë kjo barrë hekash dhe mundimi, gjithëkjo për një çast nuk është më përsipër teje, rrëth teje, brenda teje.
Gjtihçka të duket se ka ndryshuar si me magji.
Nuk ka ndodhur asnjë mrekulli, gjithçka është si më parë, por diçka fare e rastësishme, një ndjesi shkujdesje që të josh dhe ti ndihesh i bindur si dikur, të kthen në vitet e fëmijërisë, në ato momente, të cilat kanë skalitur brenda teje yllin e mahnitshëm të lumturisë me shkëndija më të shndritshmet ditë dhe xixëllonjash.
Ndihesh i lirë.
Qielli ka sërish atë blunë e thellë.
Ngjyrat gjallërojnë në lajkat e spektrit.
Milingonat vijojnë atë manifestimit epik të solidaritetit në sigurimin e ushqimit.
Fluturat shëtisin nëpër lulet dhe lëndinën që gufon aromën e tokës.
E kush nga ne i ka shpëtuar grackës së një dëshirimi të parezistueshëm të të ndjerit dhe të vepruarit si fëmijë, edhe atëherë kur mbi vete ai mban trastën e rëndë të detyrimeve prindërore.
Një tundimi për ta lëshuar veten në krahët e një shkujdesje që vetëm fëmija në ne ka arritur ta bëjë atë, nuk mund t’i shpëtojë askush.
Sa herë na ka ndodhur të gjendemi të rrethuar nga lodrat e fëmijëve dhe ne ta shohim veten teksa harrohemi duke i soditur dhe jo vetëm kaq, të përfshihemi prej një “paturpësie” për të luajtur, për tu argëtuar me to.
Sa e sa herë jemi gjendur të magjepsur nga filmat vizatimor, të lumturuar nga magjia e fantazisë dhe shpengimit të fëminores në to.
Një nevojë e jona për ta ç’burgosur veten nga të qenit të rritur, është një urdhëresë e pavullnetshme për ta pranuar fëmijën teksa ende lëvrin brenda nesh. Kemi kaq shumë nevojë dhe mund ta arrijmë të kapim majën shndritëse të kësaj kreshte, jo vetëm kur lozim por edhe kur kujtojmë lodrat që kemi bërë, prapësitë që edhe pse nuk na bënë dot me turp, nuk na shpëtuan nga qortimet ose ndonjë fiskël në prapanice.
Kush nuk i ndjen në meditimet e tij të thella harenë e zërave që vitet i kanë strukur thellë në kujtimet tona, por pa mundur ti ndëshkojnë me harrim.
A ka turp më të bukur se të shohësh veten të rritur teksa lëshohet harrueshëm në cytjen e një tundimi për të lozur në baltë, për të llokoçitur në pellgjet me ujë, për të numëruar gjurmët në pluhurin e butë, për tu rrokullisur në barë e njomë, për tu lagur nën shi, për të numëruar yjet.
Janë këto shkujdesje, hutime e shpengime që na bëjmë të nxjerrim jashtë nesh fëmijën dhe ta nënshtrojmë të rriturin, t’i kujtojmë këtij të fundit, se sa pak duhet ta bëjë atë të lumtur, dhe ti kujtojë se jo gjithçka që vjen nga egoja, ambicie, babëzia mundet që ta zëvendësojë një çast të vetëm lumturimi, atë çast që ta dhuron fëmijëria, atë çast që nuk e blen dot me gjithë thesaret e botës.
Fëmijëria jeton ende me ne për sa kohë që ne kemi nevojë të ëndërrojmë dhe të dëshirojmë në të përditshmen tonë duke ëndërruar.