Nga Albert Vataj
Diogjeni ishte një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të të ashtuquajturës shkollës kinike. Kërkoi kthimin në gjendjen natyrore dhe hodhi poshtë çdo kulturë dhe mohoi çfarëdo nevoje. Jetoi si endacak, fjeti në vozgë dhe refuzoi të gjitha normat kulturore dhe shoqërore si savurrë, që na pengojnë të bëhemi indiferentë ndaj pasurisë, famës, nderit, familjes, politikës, religjionit dhe çdo gjëje tjetër të panatyrshme. Mësimin kinik mbi reduktimin e nevojave në minimum e zbatoi në jetë në mënyrë konsekuente për çka flasin mbi të edhe shumë anekdota, shpesh edhe të pavërtetuara. (Kur Aleksandri i Madh i premtoi se do t’ia plotësojë çdo dëshirë dhe e pyeti ç’dëshironte, ai iu përgjigj që t’i largohet se po i zinte diellin).
Fragmentet e veprave të tij janë burime të rëndësishme për studimin e filozofisë kinike. Përveç me filozofi dhe retorikë u mor edhe me politikë si dhe me çështje estetike. Sipas Diogjenit skulptori dhe piktori për nga koha mund të paraqesin vetëm një moment të sendit dhe në këtë çast të vetmin mund të sintetizojnë dhe të shprehin tërë esencën e tij. Përkundra kësaj, poeti mund të paraqesë tërë zhvillimin, të ndodhurit, lëvizjen, ndryshimin edhe të ndijimit edhe të aktit natyror. Mbi këtë ndryshim më vonë diskutuan shumë Du Bos, Shaftsbëri dhe sidomos Lesingu.
Ndër më i themelti i mendimit filozofik, përkorjes dhe dlirësisë. Kambana më e rëndë e shkundullimës që ka tronditur nga themelet individin, njeriun. Simbolika më emblematike që ka ardhur si një dëshmim i kohëve antike, por që troket në një domosdo alarmante sot në të gjithë tabanet e kapërcyellit të kohërave.
Është pesha e tundimit që duhet të mundim, është barra e rëndë e sakrificës. Njeriu i përgjegjshëm për misionin e tij në jetë, sheh tek vetëmohimi jo vetëm lartësimin e tij të virtytshëm por edhe qasjen për nga amshimi të veprës së tij. Ka shumë njerëz që as nuk e kanë gjetur njeriun dhe as nuk e kërkojnë atë. Këto krijesa mjerane do të jenë vegime të së tashmes dhe asgjëja e gjithëkohjes.
Filozofi i madh grek Diogjeni, kurdoherë kur e lexojmë pjesë- pjesë, apo shfletojmë fletët e librit të tij me ngadalë, vërejmë se filozofia e tij është ndër më aktualet, ndër më të bukurat, ndër më njerëzoret, ndër më të diskutuarat, ndër më madhështoret, një ndër filozofitë me mesazh kaq të paqtë, sikur ky njeri gjeni të jetonte sot në kohët moderne, dhe jo disa mijëravjeçarë më parë, kur bota nuk e njihte kompjuterin, televizorin, internetin. Si e kanë përcjellë Diogjenin dhe filozofinë e tij në kohët moderne, historianët, studiuesit, kritikët, akademikët e filozofisë?! Me shprehjen kaq njerëzore dhe mbi njerëzore, kaq të thjeshtë, por po kaq të ndërlikuar, kaq të shkurtër, por me mendim të pakonceptueshëm, dy fjalë, baraz me vepra të tëra, me dy fjalë të urta por shumë poetike, që kanë brenda gjithçka që na duhet. Pra shprehja e tij brilante është dhe sot magjia njerëzore e fjalës; Kërkoj NJERIUN!
Me mjekrën e bardhë si dëbora, me veshjen e thjeshtë, me gjuhën e bukur të popullit, me zërin e ëmbël si këngëtarë, me kokën lartë dhe gjithmonë qëmtues Diogjeni në mes të ditës me diell, plot dritë, ku gjithçka duket qartë, me një fener në dorë shëtit nëpër rrugët e Greqisë të kërkonte NJERIUN. Lind pyetja, kë njeri? E pra, atë, NJERIUN e urtë dhe punëtor, atë që punon shumë dhe flet pak (vepra flet më shumë se fjala), atë që bën veprën dhe rri në fund të turmës, atë që nuk rreh gjoksin edhe kur ka bërë shumë, atë që nuk dinë të ofendojë dhe vrasë, atë që kërkon të vërtetën në botën e trazuar nga luftërat dhe etja për para… Diogjeni me fenerin e tij kërkonte njeriun e ndershëm. Mos vallë feneri i tij kishte më shumë ndriçim se vetë ndriçimi diellor në mesin e ditës të Greqisë plot dritë?! A e gjeti Diogjeni “KËRKOJ NJERIUN”, njeriun e ndershëm…?!