Ti njeri i tokës, punës dhe sfilitjes. Edhe pse ke harruar të shihesh në pasqyrën e gjërave, me të cilat t’i takohesh, me reflektimin e gjendjeve, që rreken të të kujtojnë se çfarë je, një sy qëmtues e fokuson shndërrimin tënd në pemë, ashtu siç bën syri kureshtar i zogjve me degën ku do të ndërtojë një fole dhe qiellin që mat me fluturim, ashtu siç bënvërshimi i natyrës kur kërkon të plekset pas heshtjes si gjunjëzimit të një pranimi.
Ti njeri i tokës, punën dhe djersës, pasi ke mbjell dhe korrur gjithë jetën, tani… është jeta, ajo që e kthen portretin tënd në arë të lëruar dhe plakjen në një farë pamundësie për të mbirë në këtë tokë rreshpe; aty ku djersa, gjaku, mundi dhe sakrificat kanë qenë fara dhe bima, rrënja dhe fryti, e sotmja dhe e çdoditshmja e shenjtërisë tënde.
Brazda të thella, shikim që përhumben në ujësin e pamjes dhe përjetimi që rreshket në zbrazësinë e trajtave që merr shkasi. Tashmë ti, njeri i tokës, numëron vitet në këtë lojë trishtuese relievesh që mosha dhe mundimet kanë vizatuar portretin tënd, në këtë trung peme ku era dhe ikja, ftohti dhe makthi, ngrica dhe sëpata, derdhën mjeshtërinë e metamorfozës.
Shihesh më ndryshimin dhe përfytyrimi i rinisë është tretur diku tej, në humbëtirat e harrimit, atje ku asnjë kujtim s’mund të të kthejë asgjë. Puthjet dhe dashuritë janë lot, që i kapërdin përposht ky vështrim i tretun në muzgun që të kaplon. Kujtimet, ato që dhëmbin si kafshimet e rrufeve, janë plagë, dhe dhimbjet gufojnë në trajtat e ndryshimit që ke veshur. Ti nuk ndjen më si një trup, si një strukturë anatomike, si një gjenealogji e origjinës së species. Ti je çfarë zgjodhi fati të jesh dhe çfarë sakrifica të shpërbleu, je një fragment i natyrës, je një copëz e shkyer e realitetit, je një artefakt që dheu nxjerr jashtë si dëshmi e lashtësisë, je zëri i rrjedhës së kohërave që toka përpiu, je një shkëmb, një trill, një vetëdije e metafizikës së gjallimit.
E pranon këtë vërtetësi, pa nevojën për një maskë, sepse ti tashmë je një e tillë, të cilën vitet ta kanë gdhendur me durim e pasion, koha e pranon me përulësi dhe falënderim.
Shihesh ti me veten dhe vetes ti besosh… se ke jetuar, se çdo brazdë që lëron portretin tënd është një hendek i thellë që ka vënë në sprovë mundësinë. Çdo kreshtë e hon, çdo rrudhë e nerv që tëndosur rri, është gjithëçkarë ti ishe, gjithçmos ti bërë, është ai konstelacion i asaj yjësie që universi e përpin për ta hedhur tej, duku në harrim.
Ja çfarë je!
Albert Vataj