Nga Albert Vataj
“Hopa” është kënga më e re e Mateus Frroku që është lançuar për admiruesit e shumtë të muzikës dhe në veçantë për fansat e këngëtarit. Pas bashkëpunimit të suksesshëm me Anxhela Peristeri, Mateus Frroku vjen në fillimin e kësaj stine pushimesh me një këngë, e cila synon të jetë ritmi dhe pulsi i haresë së pushimeve. Mbrëmjet muzikore të bregdetit do të jenë më të larmishme dhe më të hareshme me poezinë, ritmin dhe grishjen gjallëruese të këngës “Hopa”. Në këtë bashkëpunim me Ad Sybardhi, tekst të FIFI dhe muzikë të Kledi Bahiti, Mateus Frroku sjell një dimension të ri vokal dhe një qasje pasuruese të repertorit të tij.
Kjo stinë temperaturash të larta, stinë pushimesh, është njëherash dhe një ballafaqim paraqitjesh artistike të këngëtarëve, të cilët tashmë duke vijuar një traditë, vijnë para fansave të tyre dhe admiruesve të muzikës me këngë, të cila synojnë interesim dhe përfshirje. Edhe kënga “Hopa” e Mateus Frroku garon në këtë pistë ku dhjetëra zëra dhe kapacitete krijuese, dhjetëra risi dhe befasi artistike, matin forcat dhe “kacafytin” pritshmërinë. Tregu muzikor, pasuria e repertorit krijues sa vjen dhe pasurohet me elementë artistik dhe estetik, me përformime dhe manifestime shprehëse, për tu kthyer në një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë jetësore të njerëzve. Kudo njerëzit dëgjojnë muzikë, kërcejnë, këndojnë, përfshihen në magjinë e këtij arti si në një vlerë që begaton të përditshme e tyre me këtë prekje dehëse. Edhe kënga “Hopa” e Mateus Frroku synon as më shumë e as më pak se gjithë ajo armatë këngëtarësh dhe krijuesish që vijnë me produktet e tyre muzikore si në një gosti të përbashkët ku të gjithë sjellin më të mirën e tyre në këtë ceremonial festiv veror. Suksese “Hopa” dhe Mateus Frroku.
Albert Vataj