Nga Kristaq BALLI
Kanë kaluar 150 vjet nga lindja dhe 65 vjet nga shuarja së piktorit të famshëm modernist francez Henri Matisse. I njohur për përdorimin e ngjyrave së bashku me grafikat e tij origjinale fluide, ai konsidohet së pari si piktor, grafist, piktor printues dhe skulptor. Matisse vlerësohet (së bashku me Pablo Pikason) si një prej artistëve i cili ndihmoi fort në përcaktimin e zhvillimeve revolucionare në artet vizuale në dekadat e para të shek. XX, atribuese e referuese në pikturë dhe skulpturë. (“Trachtman, Paul, Matisse & Picasso, Smithsonian, February 2003″. Smithsonianmag.com. Retrieved 13 February 2010). Mjeshtëria e gjuhës ekspresive të ngjyrave dhe pikturimit, të shprehura në pikturat mbi gjysëm shekullore i atribuan atij rolin e liderit në artin modern.(Magdalena Dabrowski: Henri Matisse (1869–1954) | Thematic Essay | Heilbrunn Timeline of Art History | The Metropolitan Museum of Art)
Ka studiuar drejtësi dhe filloi të merret me pikturë më 1899; studioi art në Paris në Akademinë Julian si student i disa piktorëve më të vjetër avanguardistë, ku u njoh me veprat e rrymave të ndryshme artistike, sidomos me impresionizmin. Ka studiuar edhe në Angli me piktorë të njohur ishullorë të asaj kohe.
Drejtimi i parë artistik që përqafoi dhe aplikoi Matisse ishte “Fauvizmi”, një rrymë artistike që zgjati pak (1900-1910); përfaqësuesit e saj, të quajtur “fauvistë” (Matisse, Andre Derain) (John Elderfield, The “Wild Beasts” Fauvism and Its Affinities, 1976, Museum of Modern Art, p.13, ISBN 0-87070-638-1) ekspozuan së bashku më 1905, ndërkohë që Matisse kishte çelur një ekspozitë vetiake favoiste më 1904, pa shumë sukses. Favoizmi (ndonjëherë identifikohet edhe si neo-impresionizëm) dhe përkrahësit e tij i shprehnin emocionet me ngjyra të ndezura, ekspresive, madje të vrazhda,ekstravagante, ekstremiste e shpesh të egra e këlthitëse. Ai vlerësohet si piktor fauvist, modernist dhe post-impresionist.
Më 1906 ai takoi Pablo Pikasso-n, 11 vjet më i vogël se Matisse. Ata u bënë miq për gjithë jetën, si dhe rivalë dhe shpesh të krahasueshëm. Veç të tjerash, të dy sollën në Paris sallonin e Gertrude Stein, e cila bashkë me vëllezërit e saj, Leo e Michael ishin koleksionistët kryesorë, inkurajues të pikturave të tyre, dhe u quajtën metaforikisht “Amerikanë në Paris” dhe bashkë me Motrat Cone nga Baltimore, ShBA, u bënë u bënë mecenatët kryesorë të Matisse dhe Picasso. Miqtë e Mattisse organizuan dhe financuan, gjithashtu në Paris, “Akademinë Matisse”, një shkollë private jokomerciale ku Matisse instruktonte artiste të rinj. Kjo akademi qëndroi e hapur prej 1907 deri 1911. Koleksioni i motrave Cone me pikturat e këtyre piktorëve dhe të piktorëve modernë kontemporanë europianë të asaj kohe ndodhet sot në Muzeun e Artit në Baltimore, ShBA.
Më tej, 1917, ai vendoset në Cimiez (Riviera franceze) pranë Nice. Krijimtaria pas Luftës I Botërore u quajt shpesh sinjë relaks dhe “kthim në rregull” që krahasohej shpesh me neoklasicizmin e Pikasos dhe Stravinskit dhe tradicionalizmin e Derain, krijimtari që dallohej për…cektësi dhe dekoracion. (Jack Cowart and Dominique Fourcade. Henri Matisse: The Early Years in Nice 1916–1930. Henry N. Abrams, Inc., 1986. p. 47.) Pas vitit 1930 ai punoi disa piktura murale me porosi për fondacionin “Barnes Foundation”, i cili zotëronte edhe disa dhjetra piktura të tjera të Matisse.
Gjatë viteve të Luftës II Botërore, Matisse nuk u larguanga Franca, pasi ai dhe veprimtaria e tij artistike e sociale nuk u konsideruan të rrezikshme nga regjimi nazist. Në këtë kohë ai iu përkushtua grafikës artistike dhe realizimit të ilustrimit bardh’e zi të disa librave dhe mbi 100 litografi origjinale në Studiot Mourlot në Paris. Fëmijët e tij, në të kundërt, u aktivizuan në anën kundër pushtimit nazist të Francës me të gjitha mundësitë e tyre, aktivitet të cilin Matisse e mori vesh vetëm pas mbarimit të luftës.
Për shkak të një sëmundjeje të rëndë dhe operacioni kirurgjkal, ai e ndjeu veten jo të gatshëm për t’u riintegruar sërish me të gjitha mundësitë e tij fizike për të punuar gjatë në këmbalec, apo në pikturat murale, kështu gjeti një mundësi të re angazhimi artistik në karrocë invalidi duke pikturuar murale me një shkop të gjatë lidhur me penelin, ose mbështur në krevat për vite të tëra, duke u marrë me një zhanër të ri, atë të letrave të prera me ngjyra dhe kompozimit të tyre tapicerik apo instalacionist me ndihmën e asistentëve të tij. Në fakt, këtë teknikë e kishte aplikuar edhe më herët, që më 1919 për dekorin e një prej operave të Igor Stravinskit. Veprat kryesore të periudhës përmbyllëse, sidoqoftë, janë në fakt disa kryevepra të vlerësuara artistikisht. “Oqeania-Qielli” dhe “Oqeania-Deti”, të vitit 1946, dekorimi i kishës “Chapelle du Rosaire de Venice” me teknikën e letrave të prera, si dhe vepra e tij e fundit, një dritare e dekoruar me xhama vitrazhi e montuar në Union Church of Pocantico Hills, pranë pronës veriore të Rockefeller në Nju Jork e cila “ishte krijimii tij i fundit; maketi ishte në murin e dhomës së tij të gjumit kur ai vdiq në Nëntor 1954”, shkruan Rockefeller. Instalimi përfundoi më 1956.(David Rockefeller: Është kënaqësi t’ju ftoj në kishën e bashkuar Pocantico Hills, 30 Korrik 2010)
Matisse çeli një museum në vitin 1952 dedikuar punës së vet – “Muzeu Matisse” në Le Cateau, i cili sot përbën koleksionin e tretë më të madh të Matisse në Francë.
Disa prej veprave më të të suksesshmee e autentike të tij vlerësohen “Woman with a hat” (Gruaja me kapele), 1905, “The Joy of Life”” (Gëzimi i Jetës), 1906, “Nu bleu” (Nudo blu), “La Dance” (Vallzimi),1909, “L’Atelier Rouge” (Punishja e kuqe),1911, etj.
Për nder të tij janë krijuar filma, janë botuar libra, janë çelur muzeume, ekspozita, fondacione dhe ai konsiderohet si një nga piktorët kontemporanë modernë të gjysmës së shek. XX që do të mbetet si pikë referimi e artit pamor në të gjitha kohrat që do të vijnë.
Momentet që Gjon Mili i kushtoi piktorit Matisse janë ato të vitit ‘49, pra kur ai ishte rreth 80 vjeç dhe që koincidojnë me takimin e fotografit Mili me Pikasson dhe sepse, ashtu si edhe disa piktorë të tjerë modernistë, edhe Matisse jetonte në Rivierën jugore të Francës. Në një esse të revistës “LIFE” botuar më 1949, në qendër të së cilës vendoset portreti me ngjyra i Matisse nga Gjon Mili, përmendet fakti se tamam në këtë zonë të Francës jetonin e punonin shumë nga piktorët avangardistë, stili i veprave të të cilëve do të zhdukej me vdekjen e tyre, por vetë veprat e tyre do t’u mbijetonin brezave të ardhshëm të artistëve, të cilët edhe pse do të praktikonin eksperienca të tjera, pikturat e pararendësve do të mbeteshin për ata por edhe për opinionin artdashës dëshmi autentike të një arti eksperientues, vital e të pashlyeshëm në të gjitha kohrat. Fotot që Gjon Mili ka realizuar për Matisse janë mjaft interesante, shfaqin origjinalitetin e fizionomisë së tij fizike e shpirtërore prej xhentëlmeni, komunikativ, një rondokop babaxhan, i qeshur e optimist (edhe pse tepër i sëmurë), dhe janë të kombinuara në sfond me disa nga punimet e tij, kryesisht në teknikën e letrave të prera dhe në pikturën e vitrazhit. Gjithashtu Mili ka eksperimentuar edhe teknikën stroboskopike duke i dhënë mundësi piktorit të vizatojë në ajër i ngujuar në shtrat me një dritëz inkandeshente, ashtu siç bëri edhe me setin e famshëm fotografik të Pikassos. Edhe fotot e Henri Matisse të Gjon Milit, mbeten kujtime të vyera në fototekën e tij, të një figure madhore botërore të artit piktural modern në shek. XX, siç ishte edhe vetë fotografi ynë.