Çdo brez, padyshim, mendon se i takon ta ribëjë botën. Mirëpo brezi im e di se nuk do ta ribëjë dot. Sidoqoftë, detyra e tij është ndoshta më e madhe. Kjo detyrë kërkon që ky brez të shmangë që bota të ç’bëhet.
Këtij brezi, i cili trashëgoi historinë e korruptuar ku ngatërrohen revolucionet e dështuara, teknikat e çuara deri në çmenduri, zotat e vdekur dhe ideologjitë e rraskapitura, ku pushtete të dobëta kanë sot mundësi të shkatërrojnë gjithçka por që nuk dinë më të bindin, ku inteligjenca u përul deri ku u bë shërbëtore e urrejtjes dhe e shtypjes – iu desh që, si brenda ashtu edhe përreth vetes, e duke filluar vetëm me mohimet e tij, të vinte në vend sadopak nga ajo që përbën dinjitetin e jetës dhe vdekjes.
Përballë një bote të kërcënuar nga shpërbërja, ku hetuesit rrezikojnë të vendosin përgjithmonë mbretëritë e vdekjes, ky brez e di që, në një farë gare të marrë kundër kohës, duhet të vendosë në vend një paqe mes kombesh që të mos jetë ajo e nënshtrimit, të pajtojë përsëri punën dhe kulturën, dhe të bëjë me gjithë njerëzimin një arkë të re besëlidhjeje.
Nuk dihet në së ky brez do të mundë ta përmbushë këtë detyrë të pamasë, por dihet se kudo në botë ai vë tashmë bastin e tij të dyfishtë për të vërtetën dhe për lirinë, dhe se, kur ia kërkon rasti, di të vdesë pa urrejtje për të. Pikërisht ky brez meriton të përshëndetet dhe t’i jepet zemër kudo që ndodhet, dhe sidomos aty ku ai flijohet. I bindur se kam pëlqimin tuaj të thellë, dëshiroj t’ia përcjell pikërisht këtij brezi nderin që më keni bërë.
Pjesë nga fjalimi i mbajtur nga Alber Kamy (Albert Camus) në ceremoninë e dhënies së Çmimit Nobel për Letërsi në dhjetor 1957.