Sa herë na duhet të lyejmë shtëpinë, ose ambinte të veçanta të saj, përzgjedhja e ngjyrës së duhur është një problem i shtuar. Ujdisjet për zgjedhjen e ngjyrës janë po kaq të vështira sa dhe për gjetjen e një ustai që ta ekzekutojë më profesionalizëm këtë sipërmarrje. Gjithsesi preferencat pas parashtrimeve dhe debateve puçen në një pikë duke ofruar një pajtueshmëri, e cila nuk mund të jetë e duhura. Ekspertët, ata që njohim efektin që ngjyrat, ata që kanë përvetësuar njohje mbi psikologjinë e tyre, mund të jenë një referencë që i jep zgjidhje të urtë e të matur dilemës. Sipas tyre, zgjedhja e kombinimit të ngjyrave është çështje parësore. Ngjyra ka fuqi për të ndryshuar pamjen, madhësinë dhe formën e mobilieve, orendive e posaçërisht të dhomës. Kur zgjedhim ngjyrat, është mirë të mendohet se secila ngjyrë ka vlerë psikologjike. Mendoni se si ato ngjyra ju bëjnë të ndiheni. Por, duhet patur kujdes se disa ngjyra në hapësira të mëdha mund të kenë efekt të kundërt.
Çfarë atmosfere dëshironi të krijoni? Cila ngjyrë ju ndihmon ta arrini këtë atmosferë?
Duhet konstatuar se nëse përdorim 3, 4 ose më shumë ngjyra, atëherë ambienti ngarkohet dhe krijohet atmosferë kaotike, paralajmërojnë ata. Jo më shumë se 3 ose 4 ngjyra. Shumë ngjyra krijojnë ambient të ngarkuar dhe lëmsh.
Ngjyrat e hapura japin ndjenjën e pastërtisë dhe hapësirës më të madhe, ndërkaq ngjyrat më të errëta janë më të sofistikuara dhe më të ngrohta, e ato u japin dhomave të mëdha më shumë intimitet.
E KUQJA ngre nivelin e energjisë në dhomë. Është zgjedhje e mirë për të nxitur eksitim, veçanërisht natën. Në dhomën e ditës ose të ngrënies, e kuqja i afron njerëzit dhe stimulon biseda, i bën njerëzit të ndjejnë dhe reflektojnë ngrohtësi ndaj njëri-tjetrit.
Preferohet për dhomë të fjetjes, si stimulues, por vetëm atëherë nëse në dhomë jeni pasi të errësohet, kur ju e shihni ngjyrën nën dritën e llambës, kur ngjyra shfaqet memece, e pasur dhe elegante. E kuqja nxit adrenalinën si asnjë nuancë tjetër.
Aziatikët e vjetër e përdornin ngjyrën e kuqe për të stimuluar trupin dhe mendjen.
Mirëpo, e kuqja në sasi të tepruar mund të nxis zemërim dhe armiqësi, duhet t’i shmangemi si ngjyrë kryesore e dhomës.
Në dhomë të ditës dhe paradhomë, përveç toneve të ngrohta si nuancat e ngjyrës së kuqe, të verdhë, të preferuara janë edhe tonet e tokës, si, ngjyra kafe dhe bezha (okra).
Kuzhina. Po qe se keni kujtime të mira nga fëmijëria juaj e bisedave ne kuzhinë, nuk është ide e keqe t’i përdorni po këto ngjyra në kuzhinën tuaj të tanishme, mund të jetë kombinim perfekt – e kaltra me të bardhën.
Por, edhe ngjyrat e ngrohta janë mjaft të mira. Ato japin përshtypjen e kuzhinieres së mirë.
Kujdes: ngjyrat e ngrohta në dhomën e ngrënies stimulojne oreksin. Por, nëse është dhomë e ngrënies formale, inkurajon biseda si dhe shton oreksin e të ftuarve.
E VERDHA reflekton harenë e rrezeve të diellit dhe transmeton lumturi. Është e preferuar në kuzhinë, dhomën e ngrënies dhe banjë. Në hapësirat e vogla, në hyrje, paradhomë dhe korridor jep ndjenjën e mikpritjes. Por, nuk është e preferuar si ngjyrë kryesore e dhomës, sepse njerzit me lehtë humbin durimin në një dhomë ku dominon e verdha, gjithashtu foshnjat qajnë më tepër në dhoma të verdha (i prin frustrimit dhe nervozës). Ngjyra e verdhë shkakton lodhje më të shpejt të syve.
E KALTRA zbret tensionin e gjakut, ul rrahjet e zemrës si dhe ngadalëson frymëmarrjen, prandaj edhe konsiderohet si qetësuese dhe relaksuese. Rekomandohet në dhomë të fjetjes edhe banjë. Kujdes të shtuar duhet patur me nuancat e të kaltrës intensive, e cila duket e bukur në enë, mirëpo mund të jetë tejet e pakëndshme në mure, mobilie apo orendi. Qëndroni më afër të kaltrës së çelët, ndërkaq e kaltra e errët evokon trishtim.
Dhoma e fjetjes është vendi ku ju shkoni të relaksoheni dhe të rilidheni me partnerin tuaj. Ngjyrat e ftohta mund të jenë zgjedhje e mirë, si e kaltra apo e gjelbra .
Banja. E bardha dhe ngjyrat e ngrohta janë më të popullarizuarat në banjë, sepse ato reflektojnë pastërti dhe ambient të këndshëm. Sot, banja nuk është një vend vetëm për t’u larë, por edhe ku njeriu gjen relaks dhe reflekton për ndodhitë e ditës. Në të shumtën e rasteve edhe e kaltra dhe tirkuazi janë ngjyra mjaft të rehatshme dhe të këndshme, kanë efekte qetësuese si dhe i japin sens pastërtisë dhe freskisë.
Kur shikoheni në pasqyrë, në banjë, ju gjithmonë dëshironi të dukeni për mrekulli. Andaj, asnjëherë mos e ngjyrosni banjën me një ngjyrë që nuk ju shkon, ose që kurrë nuk do ta përdornit për veshmbathje.
Gjithashtu, ngjyra e kaltër nxit imagjinatën dhe mendimet pozitive.
Dhoma e adoleshentëve. Për shkak të harmonisë familjare, më së miri është t’i lejomë që ata vetë të zgjedhin ngjyrën për dhomën e tyre, qofshin ato shumë të egra për guston tuaj; lejoni që ata të jenë të lirë në zgjedhje dhe shprehje.
E GJELBRA konsiderohet si ngjyra më pushuese për syrin. Në dhomën e ditës ofron mjaft komoditet dhe harmoni, ndërkaq në dhomën e gjumit relaksim; në dhomën e punës, bibliotekë ose zyrë është më se e përshtatshme. Gjithashtu besohet se kjo ngjyrë ndikon edhe në fertilitet me çka konsiderohet si zgjedhje e mirë edhe për dhomën e fjetjes.
Dhoma e punës ose biblioteka. Sa më shpejt t’i kryeni punët, aq më shumë kohë do të keni për të kaluar me familjen, prandaj është e rëndësishme që ngjyra që do të përdorni në këtë hapësirë të jetë relaksuese dhe që ju ndihmon në relaksim. E gjelbra është perfekte, sidomos në hapësirat që kaloni shumë kohë. Është konstatuar që e gjelbra ndihmon shumë në koncentrim.
Ngjyrat e ngrohta nuk preferohen në bibliotekë ngaqë ato kanë edhe efekte eksituese.
NGJYRA VJOLLCË në nuancat e errëta, është e pasur, dramatike dhe e sofistikuar. Asocion në luks, kreativitet, si dhe si ngjyrë e përfituar ose sekondare, dhe ajo i jep hapësirës thellësi. Ndërkaq, tonet e lehta të vjollcës, sikurse jargovani, sjellin atmosferë pushuese në dhomat e gjumit, ashtu sikur ngjyra e kaltër, pa rrezikuar të jetë pikante.
NGJYRA PORTOKALLI evokon eksitim, entuziazëm, si dhe është ngjyrë energjike. Nuk preferohet për dhomat e ditës ose të fjetjes, mirëpo është perfekte për dhomat e ushtrimeve. Kjo ngjyrë do t’ju ndihmon të lironi ngarkesat emocionale gjatë ushtrimeve.
NGJYRAT NEUTRALE: e zeza, e bardha edhe ngjyrë hiri janë ngjyra të paqëndrueshme në trend. Mirëpo, shquhen për virtytin e tyre, i cili shtrihet në fleksibilitet. Shtohen për të gjallëruar ose qetësuar atmosferën. E zeza, më së miri qëndron në detaje të vogla, mendohet që në secilën dhomë është e nevojshme një sasi e vogël e ngjyrës së zezë për të dhënë thellësi.
Rregull i pa shkruar: zgjedhja më e mirë për tavan është e bardha. Tavanet e lyera me të bardhë ose me ngjyrë më të hapur sesa muret, asociojnë më të lartë, ndërkaq ato me ngjyra të errëta asociojnë më të ulët.
Vizualisht tavanet më të ulta krijojnë intimitet të rehatshëm pozitiv.
Zgjedhja e ngjyrave është diçka shumë personale. Ngjyrat kanë edhe ndikime të ndryshme tek personat me karakter të ndryshëm, si dhe në varësi nga kultura, prejardhja, stili i jetës ose nga vendi ku jeton. Jeni ju ata që do të jetoni me këto ngjyra, zgjidhni ato që ju bëjnë të ndiheni mirë. Mbi të gjitha, zgjidhni ngjyra të kualitetit të lartë, në mënyrë që të keni nuanca të bukura dhe afatgjata.