Nëna është e shenjtë, e shtrenjtë, për shumëkënd personi më i dashur në jetë, por jo të gjitha rastet janë kështu. Ka shumë nëna që janë të komplikuara, të paqeta dhe kësisoj dëmtojnë edhe marrëdhëniet e jetët e ardhshme të fëmijëve të tyre.
Kush ka një nënë të vështirë?
Ka vajza dhe gra që kur i pyesin se si është nëna e tyre përgjigjen: “Shpresoj që të mos bëhem si ajo”. Sigurisht që meshkujt e kanë shumë të vështirë që të imagjinojnë të jenë ndryshe nga nëna e tyre për shkak të gjinisë. Megjithatë, ata e ndiejnë se falë marrëdhënies që kanë pasur, apo vazhdojnë të kenë me nënën e tyre e kanë të vështirë që të rregullojnë të gjitha marrëdhëniet me njerëzit përreth, veçanërisht me seksin femër. Për një fëmijë nevoja për vlerësimin, vëmendjen dhe dashurinë e nënës është e madhe. Ajo çka ne presim prej saj ndoshta është shumë më tepër nga sa shpesh arrijmë që të marrim. Gabimet e nënave, këmbënguljet e tyre për gjëra që na duken të kota, kontrollet, frikërat e shprehura e të pashprehura jo rrallë na kanë irrituar, apo vënë në pozitë të vështirë edhe para të tjerëve. Por nga pikëpamja psikologjike, një nënë e vështirë është shumë më tepër se një person me të cilin kemi një marrëdhënie konfliktuale, herë pas here. Një nënë me të vërtetë e vështirë është ajo që e vë fëmijën e saj përballë një dileme shumë të madhe: Ose të zhvillojë brenda vetes një kompleks, ose të arrijë të gjejë dhe vërë në punë mekanizma për të vazhduar lidhjen, por kjo në kurriz të vlerave personale, imagjinatës, vuajtjeve, mosaprovimeve e refuzimeve. Një nënë e vështirë të vë përballë një sfide para së cilës nuk të vë dot kurrë një baba i vështirë, apo qoftë edhe një mik a njeri i dashur problematik. Kjo sepse marrëdhënia me nënën, ndryshe nga ajo që kemi me persona të tjerë, është një marrëdhënie që nis që në ditën e parë të jetës sonë dhe marrëdhënia e një fëmije me nënën është themeli i ndjesisë së vetvetes. Përmes lidhjes mëmësore, ne mësojmë që të kuptojmë dhe zbulojmë se cilët jemi, çfarë ndiejmë dhe fitojmë edhe aftësinë për t’u sjellë dhe bashkëvepruar me të tjerët. Procesi vazhdon me aftësinë e nënës për të njohur zhvillimet e reja te fëmija i saj dhe te të kuptuarit se ai është një person tjetër me një botë personale dhe ndjesore krejtësisht të vetën. Një nënë e vështirë, megjithatë, e përdor vajzën, apo djalin e saj për të kënaqur apo përmbushur nevojën që mund të ketë për të poseduar, apo manipuluar njerëzit. Fëmijët me nëna të vështira, si edhe ata që përjetojnë fëmijëri të vështirë për arsye të ndryshme janë shumë elastikë, por fëmijë të tillë ndërkohë do ta kenë të vështirë që të vendosin një marrëdhënie të shëndetshme vetëvlerësimi dhe besimi te të tjerët. Nënat e vështira duhet që të dallohen nga nënat abuzive, fëmijët e të cilëve demonstrojnë anormalitete të theksuara në tru, paaftësi për të administruar emocionet e tyre, apo për t’u përfshirë në ndërveprime shoqërore. Nënat e vështira janë të afta që të vendosin marrëdhënie me fëmijën e tyre, por në bazë të disa kushteve të caktuara. Në fakt, sipas studimeve të fundit shumë fëmijë të nënave të vështira shndërrohen në të rritur që të zonë. Një nënë e vështirë mund të jetë në fakt një nënë shumë e mirë, e aftë për të mbështetur një rritje e zhvillim normal të fëmijës, e megjithatë, në disa faza të caktuara të jetës, fëmijët e këtyre nënave kanë probleme e dyshime të mëdha me veten, nga njëra anë dhe nuk arrijnë që të menaxhojnë mirë marrëdhëniet e afërta njerëzore, duke projektuar dyshime dhe pakënaqësi te njerëzit që i duan ata.
Një nënë e vështirë e shfaq dilemën e saj në mënyrë të ashpër, shpesh përmes shpërthimit të një inati dhe zemërate të pakontrolluar. Në fakt, sjellje të tilla mund të bëhen nga çdo nënë, por intervali i përsëritjeve të tyre përbën edhe diferencën mes një nëne normale dhe një tjetre të vështirë. Një fëmijë nuk mundet kurrë që në moshë të njomë të reagojë ndaj një sjelljeje të tillë me indiferencë, ndaj ai do të provojë fillimisht një panik shumë të madh dhe do të ndihet i vetmuar dhe i zhgënjyer nga vetja. Gjëja që më shumë i druhet një fëmijë është refuzimi i nënës. Atëherë ai do të nisë që të krijojë strategji që do ta mbrojnë nga refuzimi i mamasë, por strategji të tilla ngrihen nga frika, ankthi dhe konfuzioni.
Inati i paparashikuar dhe i ashpër
“Të gjithë bërtasin kush më shumë e kush më pak”, i thotë një nënë vajzës së saj 17-vjeçare kur e bija i tregon se bërtitjet e së ëmës i krijojnë ankth të madh dhe marrje fryme. Në fakt, nënat e vështira nuk është se nuk i duan fëmijët e tyre, por nuk arrijnë që të menaxhojnë vështirësitë dhe frustracionin personal dhe u përplasin gjithçka fëmijëve të tyre shpesh në mënyrë shumë të rëndë. Një sjellje e tillë mund të shkaktojë një ankth të tillë te fëmijët, sa ata të arrijnë që të bllokohen edhe në mësime dhe të mos kenë interes për shkollën dhe jetën në përgjithësi. Madje edhe kur rriten dhe kapin të 40-at, ata ende kanë drithërima nga kujtimet e sjelljeve të egra të nënave të tyre në fëmijëri, prej të cilave mund të mos jenë shkëputur ende.
Mungesa e elasticitetit dhe pritshmëritë e ekzagjeruara
“Ime më ka pasur gjithmonë objektiva shumë të mëdhenj dhe të lartë për vete dhe për ata me të cilët jetonte. Kjo ishte edhe arsyeja që im at e la për një grua tjetër”, rrëfen një 25-vjeçar. “Unë e kam ditur gjithmonë se këta objektiva të lartë e kanë një anë të errët. Kjo anë e errët ka qenë një nga problemet më të mëdha të fëmijërisë sime. Unë e dija që nuk mund të isha kurrë si djali që ajo kujtonte se isha dhe përpjekjet e mia, thuajse të gjitha kanë shkuar kot”, thotë 25-vjeçari. Për një fëmijë, mungesa e elasticitetit të nënës është shkatërrimtare veçanërisht kur i bashkëngjitet edhe fakti që nëna qëllon të jetë autoriteti i vetëm dhe prindi i vetëm për një fëmijë. Në fakt, në këtë rast kemi të bëjmë me nëna që atë që nuk e kanë arritur vetë kërkojnë që ta shohin të realizuar te fëmijët e tyre dhe kësisoj kërkojnë fëmijë që të kenë arritje të mëdha dhe të jenë shumë më të veçantë se të tjerët, nëse fëmija ka interesa jashtë sferës së interesave të së ëmës, atëherë kjo do të ishte shumë e gabuar. Për t’u marrë vesh me një nënë të tillë, një fëmije i duhet që t’i shtypë ndjenjat dhe dëshirat e tij dhe në vend të tyre të kultivojë me dhunë pasionet që i jep me dhunë e ëma. Zgjedhjet janë të parëndësishme, sepse nëse fëmija do t’u jepej atyre atëherë do të rrezikonte shumë marrëdhënien me nënën. Atëherë më mirë të heqësh dorë nga çdo gjë që ka të bëjë me identitetin tënd. Në raste të tilla hyn gënjeshtra që fillon në fakt me nënën dhe vazhdon ndoshta me të gjithë njerëzit që takohen në jetë. Ata brumosen me idenë që gënjeshtra është e nevojshme për të mbajtur dhe ruajtur një marrëdhënie. Ndërsa disa tërhiqen plotësisht në botën e tyre, ka të tjerë që ndjenjat dhe dëshirat i shtypin para nënave, por jo para të tjerëve, për shembull pjesëtarëve të tjerë të familjes si babait apo të afërmve të tjerë.
Nevojë, seduksion dhe fyerje
Njësoj shkatërruese dhe negative si edhe mungesa e fleksibilitetit është edhe paaftësia e të konsideruarit të fëmijës si një qenie me nevoja të vetat me shumë gjasa të ndryshme nga tonat. Shpesh një nënë e vështirë mund t’i vërë fëmijët e saj para një dileme të tillë: “Ose gjej mënyrën që të plotësosh nevojat e mia, ose ndryshe unë do të jem shumë e zhgënjyer prej teje”. Ndaj rasteve të tilla fëmijët zakonisht reagojnë duke marrë kompetenca që nuk janë të moshës së tyre për të kompensuar kërkesat e mëdha dhe të rënda të nënës. Fëmijët që marrin role të rriturish për shkak të paaftësisë së mamasë për të menaxhuar situata të ndryshme familjare, mund të duken natyra më të kontrolluara dhe të matura, por brenda vetes ata ndiejnë shumë frikë dhe kanë nevojë për ndihmë, edhe pse nuk e shprehin këtë kurrë. Ata e kanë arritur pjekurinë pa kaluar nëpër fazat normale të moshës siç janë shuarja e kurioziteteve të ndryshme dhe eksplorimet.
Zilia
Zilia është një nga emocionet mëmësore më konfuze dhe më shqetësuese me të cilat mund të përballet një fëmijë. Ndonjëherë edhe vetë gëzimi apo gjendja e mirë e fëmijës mund të shkaktojë inat te nëna. I tillë është edhe rasti i suksesit të një fëmije që mund të pritet nga nëna me dyshim. Duke qenë se zilia drejtohet gjithmonë ndaj dikujt me të cilin krahasohemi, vajzat ka më shumë të ngjarë që të shndërrohen në objekte të zilisë së nënave të tyre. Një nënë mund të mendojë: “Përse ajo ka ato gjëra që unë nuk i pata kurrë?”
Për një nënë të vështirë nuk ka një përkufizim të qartë. Ndodh që një nënë të jetë e vështirë vetëm për njërin prej fëmijëve, e për tjetrin jo. Një fëmijë mund të nxisë, apo të zgjojë ndjenja e mënyra të caktuara sjelljeje tek e ëma e një tjetër jo. Një mama mund të kërkojë gjëra të jashtëzakonshme nga e bija, por ndërkaq, ta lërë të lirë e të qetë të birin. Mund t’i bëjë presion njërit prej fëmijëve që të sillet konform ambicieve të saj dhe ndërkaq që ndaj tjetrit të mos sillet në këtë mënyrë. Gjinia, personaliteti dhe rendi i linjës të gjithë bëjnë pjesë në kompleksin e lidhjes mes nënës dhe fëmijës.
Ndërkaq, si për t’i bërë gjërat më komplekse një nënë pëson vetë një sërë ndryshimesh, ndërsa rritet e evoluon. Një grua mund të jetë një nënë e mirë me fëmijët e vegjël, por jo fort e mirë kur ata arrijnë një moshë më të madhe dhe e keqe me adoleshentët. Shumë fëmijë, ndërsa rriten ndërmarrin sjellje të shëndetshme rezistente kundër sjelljeve jo normale të nënave të tyre.
Rezistenca vjen në shumë forma përmes indiferencës, dhënies së argumenteve. Ndërkaq, një nënë e vështirë sillet gjithmonë në të njëjtën mënyrë ndaj kundërshtive: me dënime. Ndonjëherë një fëmijë duhet që të vihet në pozicionin e nënës për të kuptuar sjellje të saja të caktuara, por sigurisht që kjo nuk është shumë e lehtë. Në fakt, e kundërta do të ishte më normale, duke qenë se një nënë është një individ i rritur që nuk duhet t’i lejojë vetes sjellje të pakontrolluara që do ta dëmtonin shumë fëmijën.