Nga Albert Vataj
“Çdo kal i kuq ka një huq”, thotë një proverb. Gjithsesi, huqi i kopracisë, të qenit dorështernguar nuk e bën me faj, Mikelanxhelo Buonaroti, atë që sot i detyrohemi mirënjohje dhe respekt për një galeri të pasur veprash të paarritshme arti. Mikelanxhelo Buonaroti është vërtetuar se ishte koprac. Kritikët, shkruesit e monografive dhe studjues të bashkëkohësve të tij tregojnë se kjo karakteristikë e dobët e personalitetit i bëri shumë armiq atij, kryesisht kolegët, me të cilët pati dhe debate dhe pakënaqësi për mënyrën se si ai pajtohej me porositësit e veprave të artit. Është kjo etje për para, ky ves dhe kjo pikë e dobët e personalitetit të tij, që bëri të kishim më shumë vepra të realizuara prej mjeshtërisë së tij, të kemi më shumë arsye të tolerojmë për kopracinë e tij dhe shpirtin ankimtar që ai përdori për të përmbushur ambicien e tij të sëmurë për më shumë të ardhura, më pasuri. Të paktën ai nuk u akuzua nga asnjë se i kishte vjedhur para. Ai thjeshtë ishte treguar më rrufjan dhe dallaveraxhi për të mbushur mendjen pasunarëve për t’ia besuar atij këtë apo atë sipërmarrje artistike.
Mikelanxhelo, i cili pikturoi tavanin e Sistine Chapel në Vatikan dhe krijoi kubenë e bazilikës së Shën Pjetrit, ishte paraqitur gjithnjë si i varfër, por në të vërtetë ai dukej se ishte shumë dorështrënguar për të treguar pasurinë e tij të jashtëzakonshme, deklaroi sot një historian amerikan arti.
“Ai ishte njeri i çuditshëm, disi paranojak dhe në një mënyrë i pandershëm. Mikelanxhelo nuk donte të merrej vesh se kishte pasuri përrallore”, është shprehur kohë më parë “Reuters”, Rab Hatfield, profesor në Universitetin e Sirakuzës. Në moshë të thyer, Mikelanxhelo ankohej se po kalonte një jetë të varfër, por Hatfield tha se ai kishte grumbulluar një pasuri të jashtëzakonshme nga kryeveprat e tij si monumenti i Davidit prej mermeri të bardhë, që tashmë gjendet në galerinë “Accademia” në Firence.
Hatfield kishte zbuluar dy nga llogaritë bankare dhe disa prej akteve të shitjes, që tregonin se kur Mikelanxhelo vdiq, në vitin 1564, piktori, skulptori dhe arkitekti vlente rreth 50 000 dukatë të artë, më shumë se shumë princër dhe dukë të kohës së tij. Për të bërë një krahasim, ai vuri në dukje se “Pitti Palace”, një ndërtesë madhështore në qendër të Firences, që tashmë është një galeri e madhe arti, i ishte shitur në atë kohë një dukeshe për 9 000 dukatë të artë.
“Atij i pëlqente t’i mbante paratë në një kuti prej druri, poshtë krevatit. Kur vdiq, në një kuti të tillë iu gjetën 8 400 dukatë”, tha Hatfield. Pjesa më e madhe e pasurisë së tij, sidoqoftë, ishte në formën e pasurive të patundshme, përfshi një fermë në afërsi të Romës që jepte të ardhura të konsiderueshme, si edhe disa shtëpi në qendër të Romës dhe Firences. “Mikelanxhelo kërkonte të krijonte përshtypjen se padronët e tij, veçanërisht papët, e kishin trajtuar atë në mënyrë të padrejtë, në një kohë që e vërteta fliste ndryshe”, tha Hatfield.
“Ata i ofronin pagesa të majme, por shpesh ai merrte më shumë se ç’mund të jepte”, shtoi ai. Llogaria bankare e artistit në Romë tregonte se papa Julius II kishte nxjerrë sasi të konsiderueshme floriri si pagesë paraprake për 40 statuja me përmasa njerëzore që Mikelanxhelo pritej të krijonte për varrin ekstravagant të kreut të kishës së asaj kohe. I zënë me punë të tjera, Mikelanxhelo arriti të përfundonte vetëm tri prej statujave, megjithëse njëra prej tyre që paraqet Moisiun të ulur është mes kryeveprave të krijuara nga dora e tij.
“Nëse kjo statujë e Moisiut do të dilte në treg në kohët e sotme, unë nuk arrij dot as ta imagjinoj vlerën që mund të kishte patur, dhe ndoshta në një mënyrë mund të pranoj se shpërblimi për një vepër të tillë mund të ketë qenë i padrejtë”, tha Hatfield. “Por me standartet e asaj kohe, shuma e marrë ishte vërtet e jashtëzakonshme”, shtoi ai.
Gjithsesi ai ishte dhe mbeti kolonat vertebrale e Rilindjes së Artë italiane, një nga gjenitë e pashoqë të virtuozitetit krijues.