Nga Albert Vataj
Ju keni menduar se datëlindje ka vetëm për njerëzit, por ai, njeriu, vetë gjenia e tij, ngjizi dhe krijoi jetë prej jetës së vet, si një sporvë e mirënjohjes për jetën, si një solemnitet i të drejtës për të sunduar botën, përmes besimit dhe virtuozitetit të shëmbëllimit të vetë të lartit, të plotfuqishmit dhe vullnetmirit bujar, të të madhit Zot.
Ditëlindje kanë edhe qytetet, por ajo që këtë e ka shndërruar në kremte është Venecia, qyteti i magjishëm.
Venecia është ngaherë, një qytet që të magjeps, me themele në ujë dhe në legjendë. Ai lindi në orën 12:00 të mësditës e 25 marsit të vitit 421.
Venecia, një vullnese hyjnore i krijuar prej 118 ishujve që pluskojnë. Himni i kësaj krijese nuk ishte e qara e një fëmije, por kambanat e një kishe, flatrimi i përmadhshëm i shpendëve të metaltë të San Giacomos, e cila mishëron atributet atërore të këtij kurmi që kridhet mbi Adriatik e ngas përgjatë gjithë jetës së vet pasione artistësh dhe kurtizanesh, dukësh dhe tregtarësh, ëndrrimtarësh dhe aventurierësh, sundimtarësh dhe gjakatarësh.
“Madhështor, i bukur, i qetë, i zhurmshëm, i ftohtë, i nxehtë, i pastër, aty është çdo gjë tokësore dhe jashtëtokësore, shtrihet mbi valëdallgët e detit Adriatik, si një këmbanë e madhe qiellore ku uji dhe qielli nuk njohin dhe nuk ndajnë kufinj”
Kjo ishte, është dhe do të jetë Venecia!