Nga Albert Vataj
Ai, nuk është më në të gjallët që frymojnë, në vazhdën e sfidës së jetës dhe rreken të shfaqen vakët në kujtesën e gjeneratëe, por, sikur të ishte ende mes nesh, siç ka mundur të mbetet në ëndjen për të dëgjuar zërin e tij, do të ishte 70 vjeç. Tonin Tërshana, u lind në Shkodër, më 1 qershor 1949. “Kam ndenjur shumë pak në Shkodër, megjithatë e kujtoj shpesh fëmijërinë, ajo ka qenë pjesa më e bukur e jetës sime. Atëherë e përballojnë jetën të tjerët dhe nuk bie gjithë përgjegjësia mbi ty”, është shprehur ai. Jeta për të ka qenë e vështirë, por ai ka ditur të sfidojë dhe t’ia dalë. “Që i vogël kam jetuar i pavarur nga prindërit dhe e kam përballuar herët jetesën, pasi edhe prindërit nuk kishin mundësi të më shoqëronin dhe ndihmonin. Kam çarë vetëm në jetë”. Ndërsa nuk ka nguruar gjatë atij kumtimi për median në lidhje me mbështetjen që i ka dhënë familja, kryesisht vëllai i madh, “i cili zëvendësoi babën që vdiq shpejt dhe më la kur isha pesë vjeç”. “Megjithatë, mu duk sikur u bëra burrë shpejt”.
Këngëtari Tonin Tërshana ishte një nga emrat më të vlerësuar në skenën e festivaleve të këngës. Pjesëmori në 20 evente të tilla të këngës, duke rrëmbyer me talent dhe vokal, përkushtim dhe meritë një vend të privilegjuar në ëndjen e publikut për krijimtarinë dhe performimet e tij në skenët e mëdha të këngës. Ai ndoshta ishte një befasi, një i zgjedhur nga fati dhe i vlerësuar nga mundësia që herën e parë që ngjitet në skenën e festivalit në RTSH më 1965, ku fiton çmim të parë me këngën “Të dua o det”, një këngë që sipas tij do ti hapte rrugën e bukur të krijimtarisë me këngën. Vazhdon të ketë një përfaqësim vlerësues, të marrë çmime dhe të rrëmbejë admirimin e publikut, i cili e ndjek dhe e duartroket në çdo skenë dhe çdo komunikim muzikor.
Ai arriti të ngulitej në adhurimin e muzikëdashësve sa, atëherë edhe sot, këngët e tij, këndohen dhe përcillën brezave të këngëtarëve si visare të traditës sonë të këngës. Ai u largua nga skena që në festivalin e vitit 1989. Vite më vonë ka shprehur si arsye ndryshimin e shijeve në këngë. Ai mbeti deri në fund të jetës një pëlqyes i këngëve të para viteve ’90. Kishte nostalgji për këtë krijimtari, që sipas tij ka qenë me vlera dhe prandaj ka mbetur dhe sot tek publiku.
Në 20 festivale të këngës dhe në atë kohërendie të përfshirjes së tij në skenën e këngës ai është nderuar; Festivali IV (1965)- Çmimi i parë me këngën “Të dua o det”. Kompozitor Tonin Harapi. Teksti: Mark Gurakuqi; Festivali X (1971)- “Kënga e nënës” ( varianti tjetër i kënduar nga Sherif Merdani). Kompozitor Agim Prodani. Teksti: Agim Shehu;Festivali XI (1972)- “Kur vjen pranvera”.Kompozitor Pjetër Gaci. Teksti: Fatos Arapi; Festivali XXII (1983)- “Vajzë moj, lule moj”.Kompozitor Luan Zhegu. Teksti: Adelina Balashi; Dy çmime të para në Festivalet e Interpretuesve.Viti 1984 me “Këngë për Fato Berberin”, kompozitor Pjetër Gaci; Viti 1985 “Kthjelltësi, lumturi”, kompozitor Pjetër Gaci
Një etapë e pashlyeshme në jetën e këngëtarit ishte koha e gjatë kur ai emigroi në Greqi. Jo pak por 15 vite, kohë që ai qëndroi larg Shqipërisë por jo i shkëputur nga çfarë ndodhte në jetën artistike të vendlindjes së tij.
Gjithnjë jam përpjekur që famën e një artisti ta mati me mirënjohjen që ai ka shprehur dhe vlerësimin që nuk ka nguruar të tregojë për ata me të cilët e lidhi kënga, bashkëpunoi dhe i pati miq të artit dhe të jetës. Një prej të cilëve është edhe Pjetër Gaci, për të cilian ai është shprehur: Kam punuar më shumë me Pjetër Gacin dhe kam kënduar shumë këngë të tij. Një ndër bashkëpunimet me të është F estivali 11-të, kur fitova çmimin e parë me këngën “Kur vjen pranvera”. Ishte një ndër kompozitorët e mi të preferuar.
Një emër po kaq i rëndësishem dhe një mik ka qenë edhe Ferdinand Deda. “Për herë të parë drejt Radio Tiranës dhe festivaleve të këngës, më ka drejtuar Ferdinand Deda.I dedikohem shumë atij. Një natë kur këndoja në lulishten e Sahatit erdhi Ferdinand Deda dhe më thirri në tavolinë dhe më tha: Nesër në mëngjes të vish te Radio Tirana të të provoj.” është shprehur Tonini.
Edhe pse kishte vite që ishte tërhequr nga jeta aktive e skenës, ende flitej për të, ende meloditë e këngëve të tij pëshpëriten, ende edhe sot ai zë kumbon në ëndjen e dëshiruesve të këngës.
Jo vetëm zëri e shënjon si një piketë e rëndësishme të historisë së muzikës shqiptare. Është nder dhe krenari i gjeneratave që duke e ndërmendur në këtë kremte të madhin e muzikës, Tonin Tërshana, ne ofrojmë me përunjësi mirënjohje dhe respekt për atë çfarë ai skaliti në ëndjen tonë të etur për të bukurën. Me zërin e tij të jashtëzakonshëm, me kontributin e tij të pashoq, ai jo vetëm shkroi një faqe të historisë së krenarisë së vendlindjes së tij, Shkodrën, por nguliti në memuarin e kohëve një përvojë, një sfidë dhe një mundësi të shpirtshme që këndon pambarim.
Për artistët si Tonin Tërshana, ka vetëm datëlidnje.