Nga Albert Vataj
Sado që keni shëtitur ju nuk keni shkelur kurrë nëpër ato vende pavarësisht se ato ju duken të njohura, dhe nuk do të mund të realizoni asnjëherë këtë dëshirë. Ashtu siç ka idilikë të krijuara nga asgjëja përmes një punë pasionate të shkrimtarëve dhe artistëve, si nevojë për të përtëritur aftësinë shprehëse dhe ngucuar sensorët tanë ndijues, ka edhe realitete të krijuar tërësisht me produkte ushqimore.
Në këtë set fotografishë, gjithçka është realizuar me produkte ushqimore, nga diçkaja më e vogël deri në tërësoren e saj më magjepsëse. Gjithçka i përket nevojës sonë jo vetëm për të pasuruar kuzhinën dhe tryezën, por edhe shijen estetike, pasionin tonë të eksplorimit, të gjetjes dhe ecjes nëpër rrugë të pa shkelura më parë, sendërgjimit të një bote nga ajo që është ushqim dhe energji lëvizëse për ne. Këtë ka bërë fotografi profesionist, Carl Werner, i cili ka vite që i është kushtuar ngritjes së ushqimeve në kultin e artit, kënaqësisë gastronomike, në një pasion të fuqishëm artistik. Ai nuk është mjaftuar që proshutën, bokolin ti ketë vetëm në pjatë, por edhe në fotografinë e tij, në konceptin e tij të peizazheve dhe rikrijimit të pamjeve të njohura.
Gjëja e parë që të vjen në mendje kur shikon fotografitë e Carl Werner është se ato janë punuar në kompjuter me programin Photoshop. Pasi kjo është edhe ana më interesante e punimeve të Werner… Në këto fotografi, ku Werner nuk ka përdorur në asnjë mënyrë Photoshop, ka ushqime të vërteta. Werner ka 10 vjet që punon mbi këtë stil fotografimi, madje me fotografitë e Wernerit është botuar edhe një libër. Dhe tani po ju paraqesim botën e ushqimeve të fotografit Werner.
Carl Werner me këtë synim, me këtë qasje dëshmon shpirtin e tij të ngulmit, karakteristikë e një artisti avangardë, e një qëmtuesi të hollë dhe realizuesi të fuqishëm. Foto dhe realizimet janë magjepsesh. Ata nuk janë promo produktesh të mishit, frutave, perimeve, bukës, ëmbëlsirave, prodhimeve të detit, etj, etj. Janë dhe mbeten një shprehje estetike, një dëshmim artistik.