Nga Albert Vataj
Në gjerdanin e mrekullisë së bregdetit shqiptar, Dhermiu është padyshim një prej gurëve më të shndritshëm. Tash kur zemërata e verës është në densitetin e saj më të lartë, e kur të gjithë mësyjnë detin për ti bërë sfidë kësaj vape tekanjoze, natyrshëm që në preferencialet e shumë prej bujtësve të bregdetit, është Dhermiu. Bluja e thellë e detit është një pamje që të magjeps. Kur ajo shihet prej lart, prej edhe nga e ka parë fotografi Gent Shkullaku për të ardhur tek në me këtë set imazhesh, nuk është një pamje që ka të ngjarë ndër simotrat e tjera. Kthjelltësia dhe thellësia e ujit i jep të kaltrës një ton disi më të athët. A nuk do të ishin më të shijshme për shumkënd frutat majahosh, tamam si kjo e kaltër deti në Dhermi. Dita nis, vazhdon dhe bashkohet më natën nën një perëndim që rrëzohet mbi syprinën valëzuese të detit, për të shtuar edhe më shumë kësaj mrekullie të rivierës shqiptare, bukurinë. Nëse nuk e besoni se kjo mrekulli është e vërtetë, ngulmoni drejt kureshtjes dhe përballuni me këtë perlë të rivierës së jugut. Vija e bregdetit shqiptar fal gjithnjë befasi të tilla në të gjithë gjatësinë që përshkon. Stina e pushimeve ka pak që ka nisur dhe Dhermiu, natyrshëm për shumë admirues të bregdetit është destinacioni i preferuar. Le të jetë kjo magjepse, që kumton kjo e kaltër e thellë e detit, kjo bukuri joshëse, ky frut majahosh i ëndjes tonë për të shijuar të veçantën, dashuria e kësaj vere.
Pak histori
Dhërmiu shtrihet në fund të një plazhi më tepër së pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon më një kodër, ku ngrihet manastiri i Shën Theodhorit. Fshati përbëhet nga tre lagje: Hondraqi, apo Kallami që është lagja e parë për ata që vijnë nga Llogaraja ; vijuar nga Gjileku dhe Dhërmiu – lagja e tretë dhe më e madhja që i ka dhënë edhe emrin fshatit. Në total, tërë fshati ka rreth 600 shtëpi, ku rreth 300 janë në Dhërmi, 150 në Gjilek dhe 150 në Hondraq. Fshati i Dhërmiut ndodhët 52 km në Jug të Vlorës, 72 km në vëri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti i Tiranës. Nga ana administrativë Dhërmiu bën pjesë në Bashkinë e Himarës, krahinën e Himarës, rrethi i Vlorës.