Nga Albert Vataj
Ajo është si një vegim, si një përjetim artistik i krijuar prej një lënde gati të tejdukshme. Rembrandt e ka sjellë në këtë tablo, të papërfunduar, por edhe të cënuar në periudhat e mëvonshme me një brishtësi dhe prehje hyjnore. Simeoni është sinqerisht i lumtur që ai, si një plak që është gati të vdesë, mund ta mbajë Mesinë e ardhshme në krahët e tij. Prindërit e fëmijës kishin marrë djalin e tyre në tempull që ta bekonin dhe të sillnin sakrifica. Shpirti i Shenjtë e kishte çuar Simeonin në tempull dhe ky çast që udhëton në kohë nuk mund ta shterrojë atë shprehi fytyre, atë solemnitet përfshirës emocional, atë moment, i cili është vetë bekimi i një jete që i mëkohet përjetësisë dhe dritës së shenjtë.
Subjekti duhet ta ketë magjepsur Rembrandt, sepse ai bëri të paktën dy piktura dhe disa vizatime për të sjellë në këtë nivel tablonë e tij. Kjo pikturë fokusohet tërësisht në emocionet e Simeonit dhe lë në hije të gjithë elementët e tjerë shprehës. Nuk ka referencë për vendin e veprimit. Piktori, qëllimisht e ka vendosur Simeonin me Jezusin e vogël në duar, në një hapsirë të mbushur me një zbraztësi, e cila në vetvete rreket të thotë shumë më tepër se çdo qasje të piktorit për të përcaktuar tempullin ku Simeoni përjeton këtë privilegj, si një shpërblim për ditët e fundit të jetës toksore të tij. Kontrast me pikturën e tij të madhe të vitit 1631, vështirë se mund të ishte më e fortë se kjo.
Kjo tablo hamendësohet se është piktura e fundit e Rembrandit. Ajo u gjet e papërfunduar në seminarin e tij, një ditë pasi ai ndërroi jetë. Gruaja në sfond u shtua ndoshta më pas nga dikush tjetër. Disa mendojnë se ajo është Maria, të tjerë thonë se ajo duhet të jetë profetja Anna.
Gjithsesi pak rëndësi ka, ndërsa ne jemi të përfshirë nga Simeoni, nga ajo forcë përjetimi, nga ajo lumturi që i blatohet shpirtit të tij të përkorë dhe jetës frymore që po shterron dita-ditës.