Nga Albert Vataj
Alfred Hiçkok u lind më 13 gusht 1899 dhe vdiq më 29 prill 1980 në Kaliforni për shkak të dështimit të veshkave. Mbetjet e tij mortore u dogjën dhe hiri u shpërnda mbi Oqeanin Paqësor. Konsiderohet si një nga regjisorët më të njohur të filmit horror dhe trillit policesk. Pikërisht për këtë ai është mbiquajtur “Mjeshtri i ankthit”. Trilli psikologjik i gërshetuar me inspirimin e frikës dhe panikut, shënon me të rrugëtimin në atë që më vonë do të quhej filmi horror.
Magjepsja e tij me krimin filloi që në moshë të re, kur u ndëshkua nga babai i tij, i cili e bëri të kalonte disa minuta brenda një burgu për ligësinë e tij. Prandaj, filmat e tij janë simbolikë të fajit dhe pafajësisë së keqbërësit dhe viktimës. Ai kishte një aftësi për të krijuar histori që përbëheshin nga mashtrimi, vrasja, shantazhi dhe vepra të tjera keqbërëse me kthesa të pabesueshme dhe komplote të inskenuara. Protagonistët në filmat e tij ishin shpesh njerëz të thjeshtë, të kapur në situata të padëshiruara dhe të pashmangshme. Ai ishte një tregimtar pjellor dhe vepra e tij e mahnitshme konsiderohet magjepsëse nga kritikët. Shumica e filmave të tij i kanë rezistuar kohës dhe konsiderohen si kryevepra. Ai mbahet mend edhe nga kineastët e tjerë, sepse ai vazhdon t’i frymëzojë ata të jenë të pasionuar pas punës së tyre. Ai është gjithashtu i nderuar nga njerëzit në mbarë botën për tregimet e tij argëtuese dhe emocionuese.
Karriera e tij si regjisor nuk mbeti vetëm në atë suazë. Ai la një kontribut të madh duke sjellë filma që bënë epokë dhe duke promovuar aktorë që u bënë emblemë e kinemasë amerikane.
Pas një karriere të suksesshme në kinema britanike ai u shpërngul në Hollywood më1939 duke u bërë qytetar amerikan në vitin 1955. Ai drejtoi 50 filma artistik në një karrierë prej gjashtë dekadash duke u cilësuar si më të spikaturit e zhanrit. Ai u nderua dhe u vlerësua me shumë çmime, duke lënë një emër të madh në industrinë e filmit.
Unë jam regjisor për ta kënaqur publikun me tronditje të mrekullueshme, ka thënë ai që i jetësoi në film tmerre dhe frikë. “Gjithmonë bëje publikun të vuajë sa më shumë që të jetë e mundur”, dhe dukshëm ai ka artitur kësaj.
“Unë jam plot frikë dhe bëj të pamundurën për t’i shmangur vështirësitë dhe çdo lloj ndërlikimi. Mua më pëlqen që gjithçka rrotull meje të jetë e pastër si kristali dhe të jetë tërësisht qetësi” Për të “Fati është gjithçka…Fati im i mirë në jetë ishte që të bëhesha një njeri vërtet i trembur. Kam fat që jam burracak, që kam pa masë frikë, sepse një hero nuk do të bënte dot filma me ankth. E vetmja mënyrë për t’i shpëtuar frikës është që të bëj filma.
Diti të ishte një regjisor i madh sepse arriot të ishte komunikues lakonik dhe saktësues preciz. “Kur një aktor vjen te unë dhe kërkon të diskutojmë për personazhin e tij, unë i them: E ke në skenar. Kur ai kërkon motivimin, unë i them: E ke tek pagesa.” Mund të themi se ai ishte edhe modest gjë e cila lexohret edhe në shprehjen që ai ka thënë, sipas së cilës, “Nuk ka asgjë të veçantë për suksesin. Duhet të jesh i pajisur me një sy të mprehtë, me një mendje të shkathët, si dhe të mos kesh skrupull për asgjë.”
Alfred Hiçkok ishte Alfred Hiçkok, i pangjashëm me asnjë nga kolegët e tij, e aq më pak me armatën e panumert të regjisorëve dhe producentëve të kinemasë amerikane, asaj tradite nga më të pasurat në botën e filmit.