Nga Albert Vataj
Kaq urrejtje dhe sa shumë vuajtje. Frika nga drita më keq se djalli nga temiani. Pasione shtazarake dhe vulgaritet për të dashuruar me trup e me shpirt, me mendje e me zemër. Lumturia, një maskë e çjerrë nga hipokrizia dhe boshi. Shtirje, shumë fallsitet dhe gjithçka fasad. Paniku i nevojës për të fshehur gjithçka tonën, edhe fytyrën, tregon se ne vuajmë më shumë se sa lëngojmë. Teprimi në gjithçka dhe me çdo çmim, për të shitur atë çfarë nuk është i interesuar ta blejë askush. Ngulmi përtej caqeve të mundesisë për të sprovuar veten, jo si një provë e asaj që ne i bëjmë ballë, se sa si një domosdoshmëri për të sfiduar në një rivalitet të pashpallur. Për ta, askush dhe asgjë nuk vlen më shumë, se gjëja që ata kanë, ajo që ata ofrojnë, ajo për të cilën ata përpiqen.
Po të ndjekësh me vëmëndje komunikimin; në ambiente publike dhe private, në studio televizive e debate personale, përfshirje interesimi online të temave të diskutueshme, nuk do ta kesh të vështirë të pikasësh një tension të lartë dhe gjaknxehtësi alarmuese, humbje të ekuilibrit dhe shterrim të skajshëm të të drejtës së gjykimit, përmes arsyes së argumenteve. Kjo jo vetëm për shkak të hendeqeve të thella të formimit, mungesës elementare të informacionit, mangësisë së përditësimit të dijeve, molepsjes prej një përvoje folklorike, padurimit të ndërkryer, por kryesisht si pasojë e shndërrimit të çdo momenti tensioni në një mundësi shpërthimi, shfrimi, nxjerrje të asaj që kohëpaskohja e ka akumuluar.
Asgjë nuk i vë fre askujt; të sulmojë, të fyej, të shaj e të mallkojë. Secili me gjuhën dhe fjalorin e tij vetjak, me pelin dhe helmin, me baltë e jashtëqitje, të hidhet përsipër, të vë thonjtë në fyt, e ashtu i çakërdisur dhe me sytë që flakërijnë si një bishe prehistorike, kërkon që mbi të drejtën tënde të ngre tempullin e të drejtës së tij. Më të përmbajturit, ata më finokët, më të rafinuarit dhe më djallëzorët, por jo më pak të molepsur nga demoni i urrejtjes, përdorin sarkazëm dhe ironi, eufemizma e batuta bajate, që manifestojnë jo oponencën por kundërshtinë, jo diversitetin e mendimit, por denigrimin e komunikimit. Ata, dukshëm nuk thërrasin asnjë vullnetmirje brenda vetes, për të vënë inatet nën fre, e mëritë nën hyqëm. Përkundrazi, si ai insekti që gjurmon zjarrin, ata nxitojnë të jenë të parët në gostinë e argamedonit. Ndoshta jo dhe aq për tu ndeshur se sa për të rrëmbyer të drejtë, pikërisht atë që sipas tyre i është mohuar me të padrejtë.Ndërsa flasim për kulturën e urrejtjes si për një të keqe që skllavëron dhe nënshtron me përdhunë dhe poshtërim, pak gjas mëkojmë për shpëtim. Nëse njëmendemi se kultura e urrejtjes është pjellë e injorancës, ku mund t’i kadegorizojmë; fyerjen, përçmimin, banalitetin, shfaqja e të cilave e ushqen këtë urrejtjen siç mbarështon të keqen ajo “elitë”, e cila mendon se mjeti i vetëm për të sunduar është injorimi, mashtrimi, abuzimi, shpresëvrarja.
Pse?!