Nga Albert Vataj
Nga gjithëçfarë ne kemi rrokur me interesim dhe përvetësim dijeje, ajo që na ka grishur më shumë në jetën por edhe veprën e post-impresionistit holandez, Vincent Van Gogh është veshi i prer i tij. Kohë më parë bota artistike i kushton një vëmëndje të shtuar lajmit të bërë publik për Van Gogh, i cili vë në pikëpyetje legjendën, sipas të cilës Vincent në një moment çmendurie pret veshin e tij të majtë, pasi i prishte profilin e një autoporteti që po realizonte, më pas veshin e prerë ia dhuron një prostitute që frekuentonte. Një legjendë që i përafron kësaj çmendurie gjen një lidhje me jetën e tij të shpenguar dhe veshi i prerë ishte dëshmi e përbetimit që ai i kishte bërë një gruaje që frekuentonte.
Deri më sot, gjithë bota i ka besuar versionin e papajtueshmërisë që ai kishte me veshin në lidhje me çfarë donte të realizonte në një nga shumë autoportretet që ai ka bërë. Gjithsesi ky varjant është rrëzuar nga dy studiuesit gjermanë, Hans Kaufmann e Rita Wildegans. Ata pas një analize të detajuar historike të ngjarjes, kishin arritur në përfundimin se, ishte pikërisht miku i tij, piktori francez, Paul Gauguin, i cili ia këput veshin me goditjen e një shpate. Në esse-në e tyre të titulluar, “Veshi i Van Gogut e pakti i heshtjes“, me anë të dokumentacionit të asaj kohe, studiuesit gjermanë mundohen të vertetojnë, se dy piktorët janë grindur o për çështje arti o për një grua, duke i çuar në një duel të hapur që përfundon me prerjen e veshit te Van Gogh-ut, e me arratisjen e Paul Gauguin.
Mosdenoncimi i Gauguin nga miku i tij është quajtur nga dy studiuesit, “pakti i heshjtes”, vërtetësia e të cilit lëkundet nga dokumentacioni i spitalit psikiatrik San Remy, ku piktori hollandez u shtrua e sipas procesverbaleve të doktor, Peyron, veshin e majte Vincent Van Gogh-u e kish prere me duart e tij. Po t’i besojmë kësaj hipoteze, pra versionit legjendar të ngjarjes, veshi i prerë si sakrificë e një perfeksioni artistik është vetëm frut i një çmendurie depresive në art. Autoporteti i tij i vitit 1898 me kokën e fashuar në veshin e majtë, vetëm pak muaj para se të vetëvritej, është dëshmitar i depresionin të thellë që po kalonte piktori hollandez. Ky gjest që sindroma e një çmendurie fillestare e që aq shumë është folur e shkruar.
Çfarëdo të ketë ndodhur dhe sido të kenë precipituar ngjarjet, cilatdo të jenë hipotezat dhe legjendat e trilluara e historitë e fabrikuara për konsum, fakt është se Vincent Van Gogh shkoi me një vesh mangut në botën tjetër. Veshi i tij ishte fli e çmendurisë, e dashurisë apo e aventurave, kjo edhe sot rreket mes hipotezash dhe aludimesh dhe të vërtetash të pretenduara.