Arti, ashtu si shkenca është çliruar nga gjithçka që është pozitive dhe nga gjithçka konvencionale në natyrën njerëzore; madje, që të dyja janë po njëlloj të pavarura nga vullneti arbitrar i njeriut. Ligjvënësit politik mund ta bllokojnë zonën e saj, por nuk mund ta sundojnë aty brenda. Ai mund ta syrgjynosë mikun e së vërtetës, por e vërteta qëndron këtu; ai mund ta poshtërojë artistin por nuk do të mund ta shtrembërojë artin. E padyshim nuk ka asgjë se sa të shohësh shkencën dhe artin t’i shërbejnë shpirtit të shekullit dhe shijen krijuese ta marrë ligjin e vet prej shijes gjykuese. Aty ku karakteri bëhet i prerë dhe ashpërson vetveten, aty ne shohim se shkenca i ruan rreptësishtë kufijtë e saj dhe se arti i vë rregullit zinxhirë të rëndë; aty ku karakteri plogështohet dhe prishet, aty shkenca do të synojë të pëlqejë dhe arti të argëtohet. Për shekuj të tërë filozofët tregohen të shkathët, si artistët, për të zhytur poshtë në thellësitë e njerëzimit realitetin dhe bukurinë ato fundosen brenda tyre, por dalin përsëri lart dhe fitimtarë me forcën jetësore të pashkatërrueshme që i karakterizon.
Artisti është pikërisht biri i kohës së vet, por është keq për të, nëse ai njëkohësisht është dishepull apo i përkëdheluri i saj. Një hyjni mirëbërëse e shkëput foshnjën brenda kohëve nga gjiri i nënës së saj, e ushqen atë me qumësht të një moshe më të mirë dhe e lë të piqet deri sa të arrijë moshën madhore nën qiellin e largët grek. Pastaj, kur të jetë bërë burrë, e rikthen në shekullin e vet me një fytyrë krejt të huaj për të, por jo që të gëzojë këtë shekull me pamjen e vet, por që i tmerrshëm, si biri i Agamemnonit, ta pastrojë atë. Megjithatë, sido që të jetë ai lëndën do ta marrë nga e tashmja, ndërsa formën do ta huazojë nga një kohë më fisnike, madje përtej të gjithë epokave, prej unitetit të saj absolut, thelbësor e të pandryshueshëm. Në të, prej eterit të pastër të natyrës së hyjnores rrjedh burimi i bukurisë, i pamolepsur nga degjenerimi i brezave dhe epokave, që rrokullisen thellësive të turbullta të vorbullave të saj.
Fantazia mund ta çnderojë, ashtu siç edhe mund ta fisnikërojë këtë lëndë, por gjithsesi forma e vet e dlirë ka për t’i shpëtuar gjithherë kapriçove të imagjinatës. Romaku i shekullit të parë i ishte përgjunjur perandorit të vet, përpara se statujat e perëndive të ngriheshin në këmbë; tempujt ishin të shenjtë për syrin, atëherë kur perënditë i shërbenin prej kohësh të qeshurave dhe arkitektura fisnike të pallateve, që mbulonin si mburojë bëmat e turpshme të Neronit e Commodus, ishin një protestë e hapur kundër tyre.
Njerëzimi e humbi dinjitetin e vet, por arti e ka shpëtuar dhe ruajtur atë në ato mermerë të skalitur në mënyrë aq kuptimplote. E vërteta vazhdon të jetojë ende brenda iluzionit, por nga ky model, më vonë mund të riprodhohet sërish prototipi i saj. Ashtu si arti fisnik, jetoi më gjatë se natyra fisnike, po ashtu ai i’a kaloi asaj edhe në gjininë frymëzuese, që formon dhe zgjon vazhdimisht shpirtrat.
Përpara se e vërteta dritën e saj ngadhënjyese të depërtojë në thellësinë e zemrës, poezia arriti ta kapë këtë rreze, duke bërë që majat e njerëzimit të shkëlqejnë nga një dritë lëbyrëse, teksa nata e zymtë dhe ende e lagësht qëndron si e varur nëpër lugina.
Por si e ruan veten artisti nga degjenerimet e kohës së tij, që e rrethojnë nga të gjitha anët? Le ta lëmë atë t’i ngrejë sytë drejt dinjitetit të vet dhe drejt ligjit. Le ta lëmë të mos i përkulë ato ndaj fatit dhe nevojës. Po njësoj, le ta lëmë të lirohet menjëherë nga puna e zbrazët, e cila dëshiron ta stampojë gjurmën e vet në një moment të shkurtër dhe fluturak dhe të çlirohet prej ëndrrave të një entuziazmi të padurueshëm , i cili përdor masën e absolutes kundrejt produkteve të pavlerë të kohës. Pra le ta lëmë artistin të braktisë realen për të gjykueshmen, sepse kjo është pikërisht fusha e tij, në mënyrë që t’i orvatet t’i japë kështu udhë lindjes së një ideali që unifikon të mundshmen dhe të domosdoshmen. Më pas le ta lëmë të stampojë iluzionin dhe të vërtetën me shëmbëlltyrën e një ideali të tillë. Le ta lëmë ta ushtrojë atë si një lojë të imagjinatës, ashtu si veprimet e tij më serioze, shkurt, në të gjithë format e tij ndjesore dhe shpirtërore, për ta lejuar së fundmi të projektojë qetësisht veprën e vet kah një kohë pakufi.
Por jo çdonjërit, të cilit i ndriçon në shpirt ky ideal, i’u dha e njëjta qetësi prej gjenisë së tij krijuese – bashkë me atë temperament të madh dhe të durueshëm, aq fort të nevojshëm për të skalitur mbresat e një ideali mbi mermerin e flashkët dhe memec e për t’ia besuar atë duarve besëplota të kohës. Mirëpo ky instinkt hyjnor dhe kjo forcë krijuese, shumë e zjarrtë për të ndjekur këtë udhëtim të paqtë, shpesh e hedh menjëherë dhe në një mënyre të drejtpërdrejtë veten mbi të tashmen, mbi jetën aktive, duke u orvatur ta informojë lëndën e paformë të botës morale. Kjo fatkeqësi e vëllezërve të tij, madje tërë species njerëzore, i flet me zë të lërtë zemrës së njerëzve që e ndjejnë, e poshtërimi i tyre ngjan akoma dhe më i ulët. Entuziazmi ndizet dhe dëshira përvëluese në një shpirt të mbarsur me forcë dhe zjarr, shkon me padurim drejt akteve të veprimit. Por, a e ka këqyrur vallë ky novator vetveten, për ta parë nëse këto parregullsi në botën morale fyejnë arsyen apo lëndojnë jo më pak sedren e tij? Nëse nuk arrin dot të përcaktojë menjëherë një gjë të tillë, atëherë atë do ta njohë tek impulsiviteti, me të cilin ai ndjek një qëllim apo një efekt të caktuar. Instinkti i pastër moral drejtohet kah së domosdoshmes, për atë nuk ekziston kohë, e ardhmja bëhet e tashme, porsa duhet të krijohet patjetër nga e tashmja. Para një arsyeje pa kufi drejtimi është njëkohësisht përfundim dhe rruga përshkohet sapo zgjidhet.
Kësisoj, një miku të ri të së vërtetës dhe bukurisë, i cili dëshiron të dijë prej meje, pavarësisht qëndresës që vë përballë koha, si duhet të kënaqë zjarrminë fisnike të zemrës së vet, unë do t’i përgjigjesha: Drejtoje botën tek e cila vepron kah asaj ç’ka është më e mira, sepse vetëm kështu rrjedhja e paqtë e kohës do të të sjellë rezultate. E këtë drejtim asaj do arrish t’ia japësh, vetëm atëherë kur duke mësuar, do mundesh t’ia ngresh mendimet në shkallën e së domosdoshmes dhe së përjetshmes; pra, nëse me veprimet ose krijimet tua, do të shndërrosh të domosdoshmen dhe të përjetshmen në objekt të instinkteve tuaja. Ndërtesa e marrëzisë dhe arbitraritetit do të bjerë, ajo duhet të bjerë, tashmë ajo ka rënë, porsa ti të jesh i sigurt se ajo po anohet. Gjithsesi është e rëndësishme të anohet jo vetëm te njeriu nga jashtë, por edhe brenda tij. Në heshtjen e turpshme të karakterit, edukohet e vërteta ngadhënjyese, ajo del jashtë teje nëpërmjet bukurisë, duke mos qenë vetëm mendimi shërbenjës i saj, por edhe ndjenja në rrokjen e mrekullueshme të pamjes së saj. E me qëllim që të mos ndodhë ta marrësh modelin prej realitetit të jashtëm, të cilin më pas lipsesh ta pajisësh përsëri, mos guxo të futesh në shoqërinë e tij të dyshimtë, derisa zemrës tënde t’i kesh siguruar një shpurë ideale. Jeto me shekullin tënd, por mos ji krijesa e tij, ndihmoji bashkëkohësit e tu, por vetëm për atë që kanë nevojë, jo për atë që lavdërojnë. Pa ndarë fajet, ndaj dënimin e tyre në një ndëshkim fisnik dhe përkulu me liri zgjedhës që ata mbartin dhimbshëm pa ditur në i’u duhet apo jo ta mbajnë. Nëpërmjet guximit këmbëngulës, me të cilin t’i përbuz fatin e tyre të mirë, do t’iu vërtetosh se nuk është rruga e burracakërisë ajo që të bën t’i nënshtrohesh vuajtjes së tyre. Merre me mend se si mund të jenë, nëse do të arrish të ndikosh mbi to, por merre me mend se si do të jenë, nëse do të përpiqesh të veprosh për ta. Kërko t’ua miratosh vuajtjen nëpërmjet dinjitetit, por fatin llogaritua sipas jovlerës së tyre, kështu fisnikëria jote, nga një anë do të zgjojë edhe tek ata fisnikëri, kurse nga ana tjetër, qëllimi yt nuk do të reduktohet aspka në hiç, për shkak të padenjësisë së tyre. Serioziteti i parimeve tuaja do t’i përzërë ata prej teje, por brenda lojës së tyre do të vazhdojnë t’i durojnë të tilla parime. E kjo sepse shija është më e dlirë se zemra e tyre, e është pikërisht nëpërmjet shijes që lipsen të rroken këto ikanakë të dyshimta. Më kot ti do t’ua sulmosh maksimat, më kot do t’ua mallkosh bëmat. Gjithsesi, ti mund të provosh dorën tënde mbi përtacinë e tyre. Dëboua nga argëtimet arbitraritetin, mendjelehtësinë, ashpërsinë, madje më në fund edhe nga pikëpamja e tyre. Kudo ku t’i gjesh, rrethoji me forma fisnike, të mëdha, të pafajshme; shumëfishoji reth e rrotull tyre simbolet e përsosmërisë, derisa pamja e jashtë t’u triumfojë mbi realitetin dhe arti mbi natyrën.
“Mbi edukimin estetik të njeriut” -Letra e nëntë