Nga Albert Vataj
“Shkëputja nga Kryqi” është një pikturë e artistit flamand, Rogier van der Weyden. Pretendohet se është realizuar në vitin 1435. Pas një vargani të gjatë peripecish të poseduesit të saj, aktualisht ajo ndodhet në Museo del Prado, Madrid. Në këtë vepër të të mirënjohurit Rogier van der Weyden, tregohet, Krishti i kryqëzuar që është ulur nga kryqi, trupi i tij i pajetë i mbajtur nga Joseph i Arimathea dhe Nikodemus tregohet përmes një shkrehjeje blatuese. Vullneti i të dërguarit të krijuesit i ishte dhënë vdekjes si dëshmi e shlyerjes së një bote mekatnore. Ky jetësim i një prej momenteve kyçe të historisë së Krishterimit është përcjellë me një dramacitet të pashembullt. Dhimbja dhe lotët janë detaje që bëjnë dallimin prej shumë veprave që e kanë trajtuar këtë moment, nga të tjerë mbretër të penelit. Lotët, kanë mbërritur deri në ditët e sotme duke sfiduar afro 6 shekuj, me atë kthjelltësi dhe shkujdesje, me atë valë përvëluese pikëllimi. Shën Maria, ka ardhur me një të mermertë të akullt, me një trishtim që nuk përngjason në asnjë të mëhershëm dhe të mëvonë, që u rrekën të plazmonin në eterin e artit dramacitetin e këtij momenti.
Kjo punë u realizua në fillim të karrierës së Rogier van der Weyden, fare pak kohë pasi mbaroi periudhën e kualifikimit të tij nga Robert Campinin, një personalitet e artit, i cili la gjurmë pashlyera te mjeshtri i ardhëm flamand
Në këtë tablo, një vdekje shndërruese ka marrë në krahë jo vetëm Jezu Krishtin, por edhe nënën e tij, e cila vjen përmes kësaj pune në një dualitet shuarje dhe hyjnizimi përmes sakrificës. Pozicioni i shkrehjes është i njëjtë si i Jezusit që është zbritur nga kryqi, ashtu edhe Marisë, pranë tij, e cila mban veshur një mantel ngjyrë blu e thellë. Diçka e themeltë brenda Saj është shuar, duke fikur edhe çdo dritë jete tokësore edhe në Të. Jo vetëm pikëllimi dhe dhimbja e një nëne, por vetë misioni i saj është në këtë trajtesë, një mëkim i përplotësuar i gjithë asaj game elementesh përbërëse që e vërteta biblike perceptohet kësisoj nga Rogier van der Weyden.
Historianët e artit kanë komentuar se kjo ishte padyshim piktura më frytdhënëse holandeze e kryqëzimit të Krishtit dhe se e tillë ishte kopjuar dhe përshtatur në një shkallë të madhe në dy shekuj pas përfundimit të saj.
Ndikimi emocional i vajtuesve të dhimbshëm që trishtohen për trupin e Krishtit dhe përshkrimi i hollë i hapësirës në veprën e Van der Weyden kanë gjeneruar komente dhe kritike të pafundme. Një nga zërat e përfshirë në këtë betejë ishte Erwin Panofsky, i cili ka thënë: “Mund të thuhet se lotët e pikturuara janë një nga perlat e ndritshme që lindin nga emocione të forta, ato që pëlqyen më së shumti italianët te piktura e hershme flamande: shkëlqim në pikturë dhe ndjenja të shpërthyese dhe tejet të gjallsa, përshkuese “.