Nga Albert Vataj
Kjo foto më ka bërë me shumë miq, kryesisht admiruese, të cilët i dua me gjithë forcën e zemrës, dhe i çmoj me gjithë matshmërinë e shpirtit dhe vullnetit njohës të dritës dhe dashurisë. Pati ndër ta që guxuan dhe thanë atë çfarë menduan dhe unë nuk e kurseva mirësinë dhe u isha shumë mirënjohës. Ata u dashuruan me foton time, por ndoshta jo me mua, kjo për faktin se ky jam unë, hijerëndë dhe i trishtë, delikat dhe melankolik. Im bir Justiniani edhe kur realizoi këtë foto në vitin 2012 kishte vërejtjet e tij, për ftohtësinë, trishtimin dhe dhimbjen që fshihte portreti im. Megjithëse ai u përpoq dhe vijon të përpiqet edhe sot, ai sërish është i bindur se unë nuk mund të dal në foto ndryshe, ndoshta ngase nuk di të shtirem, ndoshta ngase e çdo dalje nga vetvetja do ta tjetërsonte deri në shpërfytyrim këtë shprehi shpirtërore që skalis në këto fokus.
Fotografitë që kanë mundur të vjedhin ndonjë buzëqeshje timen, ato e kanë të pamundur të jenë fotot e mia. Sot im bir është pajtuar me pozimin tim serioz në foto, megjithëse në jetën e përditshme, edhe pse nuk shquhem si tip shakator, qeshi, madje qeshi me gjithë shpirt, me familjarë, miq dhe kolegë dhe jam me ta, ndoshta jo ai i duhuri por kam bindjen se nuk do të donin ta ndërronin me dikë tjetër. Gjithsesi ky portret është tërësisht i imi. Në këtë foto jam tërësisht unë, me gjithë ashpërsinë, zymtësinë, brishtësinë, trishtimin dhe dhimbjen që shkrihen në tërësoren e këtij pozimi thelbësisht shpirtëror.
Sot mund të them se të gjithë miqtë që më bëri kjo foto, sërish janë miqtë e mijë. Sepse është ajo brendësi, ai karakter, ai personalitet, bota ime shpirtërore e shprehur në këtë foto dhe në gjithçka që unë bëj dhe i qëndron besnikërisht atyre në dashuri dhe mirënjohje, në vlerësim dhe konsideratë.
Faleminderit nga zemra miqtë e mijë, ju që më njohët nga kjo foto dhe më vlerësuat dhe vijoni ta bëni nëpërmjet publikimeve të mia.