Nga Albert Vataj
Ti mund të mos besosh për shumë arsye, dhe kjo është e drejta juaj, edhe nëse është e gabuar, por nuk ka asnjë motiv, për të cilin ju duhet të jeni kundër asaj thelbësoreje që udhëprin trupin dhe shpirtin tënd në përjetësi dhe që është dashuria.
Sepse thelbi i të gjitha ligjeve dhe urdhrave të Zotit mund të përmblidhet me një fjalë të vetme: dashuri. Kjo ka qenë dhe do të jetë gjithnjë pjesë thelbësore e adhurimit të pastër dhe me devocion.
Kur e pyetën, cili ishte urdhërimi më i madh i Ligjit, Jezui u përgjigj: “Duhet ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.” Urdhërimi i dytë ishte: “Duhet ta duash të afërmin si vetveten.” Pastaj tha: “Në këto dy urdhërime varet gjithë Ligji dhe Profetët.”… dhe gjithë e drejta e secilit nga ne, besimtar ose jo. Nëse për ty Zoti nuk ekziston, nuk mund të mohosh vetveten dhe prindërit, ata që të kanë shpërblyer me jetë.
Tu bindesh ligjeve të së drejtës së lartë, nuk është t’i nënshtrohesh një vullneti çfarëdo por një adhurimi që e lartëson përulësinë dhe bindjen tënde. T’i njohësh dhe t’i pranosh “Dhjetë urdhëresat e shenjta”, si një forcë sovrane, për të cilin tek ty ende nuk ka mëkuar besim, nuk është të heqësh dorë nga mosbesimi, por të pranosh të bashkëjetosh në paqe dhe në harmoni, në dashuri dhe mirëkuptim, në përulësi dhe mirënjohje me të gjithë ata, pa të cilët jeta juaj nuk ka kuptim.
Po cili është ai ligj themelor, ajo ligjësi, që më shumë se vetë urdhëruesit, Zotit, ai i shërben tokësores tënde, njeriut, si një këshillues atëror, si një mësonjës i urtë dhe vullnetmirë. Ai mund të jetë gjithçka dhe mund ta quash gjithësi, por që në thelb është as më shumë e as më pak se ai ligj të cilit duhet t’i bindesh, ligji i Zotit, “Dhjetë urdhëresat e shenjta” që Moisiu udhëpriu popullin e tij në liri. Nëse ligji të shtetit i bindesh pa kushte madje edhe atëherë kur ai është i padrejtë, Zotit nuk duhet, nënshtrimi as frikë e ndëshkimit, por e drejta.
Dhjetë urdhëresat, në Besëlidhjen e Re janë urdhëresat e shkruara në dy rrasa guri të ligjit të dhënë nga Perëndia Moisiut (Musai) në malin e Sinait.
Dhjetë urdhëresat gjenden të “Dalja 20:2-17 dhe Ligji i përtërirë 5:6-21 (të cilat janë pothuaj krejt të ngjashme).
1. “Unë jam Zoti, Perëndia yt . . . Nuk duhet të kesh perëndi të tjerë kundër fytyrës sime.”
2. “Nuk duhet t’i bësh vetes shëmbëlltyra të gdhendura as formë të ngjashme të asaj që është lart në qiej apo poshtë në tokë, apo në ujërat nën tokë. Nuk duhet të përkulesh përpara tyre e as mos u nxit për t’u shërbyer…”
3. ” Mos e përdor emrin e Zotit, Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij.
4. “Duke iu kujtuar ditës së të shtunës për ta shenjtëruar, gjashtë ditë duhet të kryesh shërbim dhe duhet të bësh gjithë punën tënde. Por dita e shtatë është një e shtunë për Zoti, Perëndinë tënd. Nuk duhet të bësh asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote…”
5. “Nderoje atin tënd dhe nënën tënde që ditët e tua të zgjaten mbi tokën që Zoti, Perëndia yt të jep.”
6. “Nuk duhet të vrasësh.”
7. “Nuk duhet të bësh kurorëthyerje.”
8. “Nuk duhet të vjedhësh.”
9. “Nuk duhet të dëshmosh gënjeshtrën si dëshmitar kundër të afërmit tënd.”
10. “Nuk duhet ta dëshirosh [lakmosh] shtëpinë e të afërmit tënd. Nuk duhet të dëshirosh [lakmosh] gruan e të afërmit tënd dhe as skllavin e tij, as skllaven e tij, as demin e tij, as gomarin e tij, asnjë gjë tjetër që i përket të afërmit tënd.”—Të Dalët 20:2-17.
Ne mund të mos jemi aq të zot, të denjë dhe të përkushtuar, jo dhe aq ndaj Zotit, se sa ndaj vetes dhe njerëzve tanë të shtrenjtë, për të zbatuar “Dhjetë urdhëresat e shenjta”, por sa më shumë bindje dhe adhurim të kemi, jeta jonë do të jetë më e mirë, besimi do të dijë se si të na shpërblejë dhe ligji i të drejtës së lartë do të jetë gjithnjë i drejtë, edhe atëherë kur në pendim dhe me përulje guxojmë të kërkojmë falje.