Nga Albert Vataj
Më 13 prill 1906 u lind Samuel Beket (Samuel Barclay Beckett), novelist, dramaturg dhe poet irlandezë. Fitues i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 1969. Ai u shua më 22 dhjetor 1989.
Ndër krejt tekstshkruesit e plotkuptimtë modernë, Samuel Beket, e veçon veten në një këndshikim të ndryshët të botës, reales, racionales, të kuptueshmes. Qëllimisht ai më bëhet se vendos të qëndrojë nga na e errët, nga ajo pjesë e reales së gjërave dhe gjëndjeve ku nuk pahet fare me dritën, ose e ka refuzuar përgjithmonë këtë thërmi të gjallimit zjarmues.
Vizionet e tij të ngrysura në lidhje me qenien dhe me ekzistencën njerëzore në themel të konceptimit, nxitojnë t’i hedhin mbi supe mantelin e një nihilisti. Sipas tij, fati i njeriut në të tashmen e përgjithmonshme është përgjithësisht i erret, ngase në çdo kapërcyell, në çdo kthinë, në çdo qoshkë e skutë, e përgjon sëmundja, mjerimi, vdekja. Në një njëfarë mënyre, kësaj krijese fatkeqe një Amok i vihet nga pas këmba-këmbës, nga djepi në varr duke mos e lënë për asnjë çast të qetë. Së këndejmi rrekemi të dëshifrojmë tek ai botekuptimin e një pesimisti të pandreqshëm, një lloj predikimi të Zarathustrës si Zot.
Situatat e ngjeshura dramatike në kumtin krijues të Samuel Beket ngulmojnë të shpërfaqin vetëm episode të ngrysura, shterrur prej gjithëpamjes, të jetës. Vetmia, dobësia, degradimi, humbja e dinjitetit, janë kudhrat ku ai farkëton personazhin e tij absurd, me kast nevojën e tharmit të një mbinjeriu, për të cilin flet Niçe. Humori sarkastik që shoqëron skenat, situatat, gjestet dhe personazhet, e bën më klithës këtë pesimizëm që ngërthen skajet ku tendoset njeriu që ai njeh, njeriu që ai ka takuar, vetvetja që ai rreket ta predikojë si një mundësi për ta çliruar njeriun bashkëkohor nga plogështia, boshi dhe shterrimi.
Beket duket qartë se është i apasionuar pas shpirtit spartan dhe nuk toleron kundrejt asgjëje që personazhet e tij të vijnë si një forcë që zhvendos atë që rrezikon vërtetë të tashmen duke nxjerrë në dritë një krijesë të gatshme për tu ndeshur. Forca përshkruese dhe thellësia depërtuese e brendisë dhe shpirtit të personazheve të tij e bëjnë Beketin një ndër penat me të fuqishme të letërsisë moderne.
Ndoshta jo aq i pazakontë se sa i vetvetishëm, Beket i rrethvjen nevojës së njeriut bashkëkohor të njihet me një pjesë të vetes së tij, të cilën ndonse e ka të vështirë ta pranojë, ai gjithqysh jeton me të. Sipas këtij deshifrimi të absurdit beketian, ky njeri duke e pranuar këtë vetevete, nuk ka pse druhet ta njohë, ta shikojë në sy, të flasë për të dhe të ndeshet me të, si me një sëmundje të cilën mund ta luftosh pasi e ke denoncuar, jo duke e fshehur, duke e strukur pas alogjizmit trashanik: se kur diçka e largojmë nga sytë e botës, ajo nuk ekziston. Harrojmë se rrugën për tek mjeku na e tregon gjithnjë sëmundja dhe shërimin na e predikon ndeshja dhëmb për dhëmb dhe jo përpjekja për të fshehur veten pas gishtit.
Kësosoj Samule Beket e vendos veten në rendin e penave më të veçanta, më origjinalë dhe më të rëndësishëm të shekullit të 20-të.
Ai nuk ishte ekzistencialist si filozofi francez Jean-Paul Sartre.
Puna e tij ngjasonte në disa drejtime me atë të James Joyce, mësuesit të tij të parë, kryesisht në përdorimin e gjuhës.
Me Franc Kafkën ngjasonte në trajtimin e disa situatave herë-herë duke përcjellë frikë e terror.
Me Fjodor Dostojevskin, në nxjerrjen në pah të shpirtit njerëzor, të përjetimeve dhe vështirësive me të cilat ndeshet njeriu në jetë.
Me Dante Aligerin tek kryevepra botërore “Komedia Hyjnore” atë e pikëtakon frymëzimi.
Nëpërmjet romanit “Duke pritur Godonë” e cila është edhe vepra e tij më e suksesshme ai përcjell tek lexuesi shpirtin dramatik ku e konsideron veten një romancier të mirfilltë. “Duke pritur Godon” u shkrua në 5 Janar të vitit 1953 në Paris . Është konsideruar për shumë kohë si “best seller”. Krijimtaria letrare e Samuel Beketit shpesh herë është përdorur edhe në teatër ku regjisorë me famë botërore kanë ngjitur vepra të ndryshme në skenë të cilat janë pritur mjaft mirë nga publiku dhe kanë patur shumë sukses. Duke bërë një shëtitje “virtuale” përmes Irlandës, Francës, Anglisë dhe Gjermanisë ai shkroi poema dhe histori nga më të ndryshmet duke treguar përjetime dhe situata nga më interesantet të cilat i skaliti me mjeshtëri në rrjeshtat që kanë mbushur librat e botuara prej penës së tij.
Ky është Samuel Beket, predikuesi i absurdit si formë çlirimi i njeriut nga plogështia dhe boshi, sëmundje këto me të cilat e molepsi modernizmi.